TIRANE - Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës ka konfirmuar zyrtarisht se nuk do të ketë bojkotim të orëve të mësimit apo provimeve, në lidhje me protestën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë, që janë transferuar nga universitetet private në ato publike.

Përmes një komunikate për shtyp, Këshilli Studentor i UT-së sqaron se nuk ka patur asnjë qëndrim për bojkotim të orëve të mësimit apo provimeve nga ky Këshill

“Nisur nga zhvillimet e ditëve të fundit në lidhje me grevën studentore për sa i përket tarifës së studimeve për ata studentë që janë transferuar nga universitetet private në ato publike, Këshilli Studentor i UT-së konfirmon që nuk ka asnjë qëndrim zyrtar me deklaratat e shpërndara ditën e djeshme. Ju informojmë se Këshilli Studentor i Universitetit të Tiranës dhe kryetari i tij Z. Emiljano Dervishi, nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në lidhje me bojkotin e provimeve apo procesit mësimor.” thuhet në komunikatën për shtyp.

Ditën e djeshme, në një dalje për mediat, një përfaqësi e Këshillit Studentor të UT-së bëri të ditur se në shenjë solidarizimi me protestën e studentëve të Mjekësisë do të bojkotohen orët e mësimit dhe provimet. Por kjo deklaratë u cilësua e pavërtetë nga Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësië.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)