ZVICËR - Qindra persona kanë në dalë në protesta për të kundërshtuar vendimin për dëbimin e 17-vjeçarit kosovar nga Zvicra. Bëhet fjalë për adoleshentin Arlind Lokaj, i cili ka lindur në Lokarno të Zvicrës, por që më pas u largua për të jetuar në Kosovë me të atin.

Por, pas problemeve që pati me të atin, ai para 3 vitesh u rikthye përsëri me vizë turistike për të jetuar në Zvicër me të ëmën e tij. Por, Gjykata Administrative nuk e ka pranuar kërkesën e të ëmës së tij për të jetuar me të birin dhe i ka ndaluar bashkimin familjar.

"Po përjetoj një ferr. Unë kam nevojë për djalin tim dhe ai ka nevojë për mua", tha e ëma e Arlindit për mediat zviceriane. Sipas autoriteteve, 17-vjeçari nuk i plotëson kushtet për bashkim familjar në Zvicër dhe i kanë vendosur afat deri ditën e dielë për t'u larguar nga vendi.

Kjo gjë ka ngjallur zemërim tek shumë persona, të cilët janë solidarizuar me rastin adoleshentit nga Kosova.

protesta
(Foto: Protestat kundër vendimit për dëbimin e Arlind Lokaj) Foto të tjera


Deri më tani, dy mocione parlamentare për rishikimin e vendimit i janë dërguar qeverisë.

Gjithashtu edhe në rrjetin social në Facebook është hapur një faqe me emrin "Asnjë dëbim për djalin e pafajshëm". Nga ana tjetër, 17-vjeçari shprehet se shpreson që autoritetet t'i lejojnë qëndrimin në Zvicër.

"Jam 17 vjeç me origjinë nga Kosova dhe kam lindur në Lokarno. Babai më ka marrë me forcë dhe nëna ime nuk ka mundur të më ndalë. Kam shpresuar se një ditë do të takoheshim përsëri dhe kjo ditë ka ardhur. Tani jeta ime është këtu, me miqtë dhe me nënën time", u shpreh Arlindi përpara turmës.

(v.gj/shqiptarja.com)