Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë nga qytetarët që janë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Duke publikuar intervistën e një protestuesi që fyen dhe kërcënon me vdekje, kreu i qeverisë thekson se Shqipëria do të bëhet sipas vizionit që është votuar në shumicë nga qytetarët në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Numri një i ekzekutivit lë të nënkuptojë se resorti që është planifikuar të ndërtohet në Zvërnec, do të bëhet, "pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë".

Rama mbyll reagimin e tij me "një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes".

Reagimi i Edi Ramës: 

MIRËMËNGJES

dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes