TIRANË- Protesta e djeshme, mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit nuk ka pasur zyrtarisht një organizator, megjithatë, Policia ka njoftuar se ka vënë në hetim 4 persona, si të dyshuar si drejtues të saj. Sipas bluve të kryeqytetit, ato kanë penguar në mënyrë të paligjshme rrugën, si pjesëmarrës dhe organizatorë. Po ashtu, po punohet për shoqërimin e tyre.

"Më datë 06.10.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasve, N. L, V. K, A. G dhe E. K, pasi në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, kanë bërë bllokimin në mënyrë të paligjshme të rrugës, duke penguar qarkullimin e mjeteve, të identifikuar si pjesmarrës dhe organizatorë", njofton Policia.

Ndonëse lindi si një protestë qytetare, duket se Sali Berisha nuk ka nguruar që të fusë duart, i fshehur pas milItantëve të thekur të Partisë Demokratike dhe mesa duket skenari ishte i qartë. Për të treguar se kjo protestë nuk ishte e organizuar prej tyre, futën në Bulevard një të ri me flamurin e PD-së dhe më pas ishin të tjerë protestues që e larguan me argumentin se “politika nuk dihej përfshirë”. Megjithatë, në realitet fatkeqësisht nuk rezultoi kështu. Kjo sepse një nga protestuesit që mbajti një fjalim me megafon, mes një lumi akuzash për qeverinë, ishte Gentjan Gjonaj me origjinë nga Mati dhe që jeton në Tiranë.

Emri i tij është i njohur ndër radhët e protestuesve besnik të Partisë Demokratike, një mbështetës i Sali Berishës, pjesëmarrës në çadrën e opozitës që ka qenë i ndaluar “për shkatërrim prone” për protestat e PD-së. 

Të mërkurën, qindra qytetarë iu bashkuan protestës për rreth 60 minuta kundër rritjes së çmimeve. "Unë vendos, unë them jo" kanë qenë brohorimat e qindra qytetarëve të mbledhur dje para Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Shtrenjtimi i bukës, i ushqimeve, i karburantit, si dhe dyfishimi i çmimit të gazit, por po ashtu edhe paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama se mund të ketë një shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, për shkak të krizës globale, i ngriti në protestë me qindra qytetarë. Ato e kanë lënë që të takohen sërish të hënën në orën 17:00 për të protestuar.