TIRANË- Kryeministri Edi Rama u ka prezantuar ditën e sotme pikat e Paketës së Rezistencës Sociale përfaqësuesve të biznesit të vogël, se si  qeveria do t'i mbrojë ata përballë pasojave që po sjell lufta. Ai tha se biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë, prandaj kanë zero taksa, si asnjë biznes tjetër në rajon apo Europë.

 “Në vendet e tjera nuk ka askund biznes të vogël me taksë zero, siç është ky biznesi këtu. Biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë shqiptare. Për 95 mijë biznese të vogla ne kemi bërë atë që s’e ka bërë askush, as në Europë e as në botë. Zero taksa, zero TVSH, zero tatim fitimi. Me një tavan shumë më të lartë, se deri dje tavani ishte 80 milionë të vjetra xhiro, sot tavani është 140 për pa tatim fitimi dhe 100 milionë xhiro për pa TVSH dhe plus kësaj ne i mbrojmë biznesit të vogël faturën e energjisë, se do të ishte goditje”, tha Rama. 

Ndërkohë, Pas bordit për naftën, Rama tha se do të krijohet edhe Komiteti Teknik për çmimet bazë, njësoj si në kohën e pandemisë.

"Për çmimet bazë po krijojmë në task forcë, po krijojmë një komitet teknik. Siç bëmë me pandeminë, që edhe këto teoritë e ekonomisë së tregut mund të sjellin probleme", tha Rama.

Ai shpjegoi se përse nuk bënte dot qeveria ndërhyrje në çmimin e naftës apo të hiqet taksa siç kërkohet nga Lulzim Basha apo protestuesit në shesh.

 

 

“Duke pasur këtë strukturë, si mundet tani të heqësh edhe taksat e naftës, që sjellin një të ardhur të rëndësishme në buxhet, ndërkohë që nga e ardhura e rritur në buxhet, për shkak të rritjes së çmimit, është bërë gjithë kjo paketë që i kthehet prap njerëzve dhe më shumë se kaq. Nuk ia kthejmë atyre që kanë fuoristrada, ia kthejmë njerëzve që janë më pak të mbrojtur sot. Ia kthejmë biznesit të vogël, s’ka taksë mbi fitimin, s’ka TVSH dhe s’ka faturë të rritur energjie.

Me pjesën tjetër, i japim mbi gjysmë milioni individëve, 30 mijë lekë plus të vjetra për 3 muaj. Janë ca që thonë, pse me 30 mijë lekë? Sepse llogaria e bërë për rritjen e çmimeve të shportës, produktet bazë është 25 mijë lekë, mesatarja e nxjerrë nga INSTAT, që do të thotë me këtë 30 mijë lekësh ne garantojmë ushqimin. Garantojmë që çdo pensionist, nga ato kategoritë që kemi zgjedhur, që nga pensionisti invalid deri tek ata që janë çift, jo me fëmijë që i mbajnë, të mos ketë problem ushqimin, për shkak të goditjes nga kriza e çmimeve. Që asnjë invalid, asnjë paraplegjik, asnjë tetraplegjik, asnjë i verbër, asnjë familje në ndihmë ekonomike të mos ketë problem këtë rritjen”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë nuk ka lënë ka komentuar edhe protestën e qytetarëve, ku tha se kjo i leverdis Rusisë, e ndërsa theksoi edhe një herë që qeveria nuk ka organizuar koncertin e Malumës, në një kohë krizë.

"Më  mirë dhe më bukur nuk i organizonte dot Kremlini këto protesta, të bësh punën e dikujt tjetër, në këtë rast të armikut të demokracisë, për të luftuar qeverinë tënde në Shqipërinë tonë të vogël. "Unë Malumën mendoja se ishte një epitet që i kanë ngjitur një ministri, burrë apo grua është? Burrë, këngëtar, koncerti i Malumës nëse mendohet që e kemi bërë ne, jo tregoje ti se mbase ti ke bërë gjë (i drejtohet Veliajt", tha Rama.

Rama gjatë fjalës së tij foli edhe lidhur furnizimin që Serbia do t’i bëjë Shqipërisë me grurë, duke e cilësuar këtë si një arritje të Ballkanit të Hapur që do të na vijë në ndihmë gjatë kësaj krize ekonomike.

“Ballkani i Hapur funksionoi sepse Serbia liroi vetëm sasinë për Shqipërinë. Ministrja ka disa ditë që merret. Ne nuk kemi problem furnizimin. Problemi në tërësi i çmimit është pjesë e sfidës sonë për të mos lejuar që çmimi të reflektohet. Nga pikëpamja e furnizimit kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama.

Qytetarët kanë dalë prej disa ditësh në protestë kundër rritjes së çmimeve, teksa 3 ditë më parë kreu i qeverisë prezantoi planin me 7 pika, paketën e Rezistëncës Sociale kundër pasojave ekonomike që do të sjellë lufta. Kjo paketë, për kryeministrin, është tregues që qeveria nuk i braktis ato që kanë nevojë në ditë të vështira.

 

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:21
Rama: Ballkani i Hapur funksion, Serbia do të furnizojë me grurë Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama e cilësoi Ballkanin e Hapur një sukses, duke kujtuar faktin që Serbia ka bërë të mundur furnizimin me grurë të Shqipërisë.  

“Ballkani i Hapur funksionoi sepse Serbia liroi vetëm sasinë për Shqipërinë. Ministrja ka disa ditë që merret. Ne nuk kemi problem furnizimin. Problemi në tërësi i çmimit është pjesë e sfidës sonë për të mos lejuar që çmimi të reflektohet. Nga pikëpamja e furnizimit kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama.

Ora 14:09
Rama: Pas bordit për naftën, do krijojmë Komiteti Teknik për çmimet bazë

 

Kreu i qeverisë Edi Rama, ka paralajmëruar ngritjen e një Komiteti Teknik për çmimet bazë, njësoj si në kohën e pandemisë.

“Çmimet e tjera do fillojnë të balancohen me shpresë. Për çmimet bazë po krijojmë në task forcë, po krijojmë një komitet teknik. Siç bëmë me pandeminë, që edhe këto teoritë e ekonomisë së tregut mund të sjellin probleme. Mund të kompromentosh furnizimin. Në gjendje lufte dhe do futemi në një mënyrë ose një tjetër, se ndodh. Dhe duke shtrënguar atë që bën distributor mund ta çosh në bllokim. E tendenca është ta ulësh ta çosh në cep, por mund ta bllokosh zinxhirin.” tha Rama.

Ora 14:08
‘Qeveria do të mbrojë njerëzit nga kjo krizë’, Rama sjell shembullin: I kemi kursyer një subjekti 299 mijë lekë, duhet të paguante faturën e energjisë me 476 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin me pronarët e bizneseve të vogla tha se qeveria po punon për të mbrojtur individët dhe subjektet private nga kriza ekonomike.

“Ne nuk jemi të ndarë në kate të ndryshme, por jemi në të njëjtin kat dhe të gjithë së bashku dhe qeveria është këtu për të mbrojtur njerëzit nga goditjet e ditëve të vështira të paparashikuar si kjo e sotmja. Pavarësisht luftës, para disa muajsh u shfaq një kriza energjetike që kishte debate edhe në platformat ndërkombëtare, si diçka e nxitur edhe për arsye gjeopolitike nga ana e Rusisë. Po ashtu, e gjithë bota u përball me një nevojë shumë të rritur për energji pas pandemisë, ku kërkesa u bë shumë më e lartë sesa oferta dhe prandaj pati rritje çmimesh.”

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë mburojën për çmimin e energjisë. Madje i kam kërkuar OSHE të sjellë edhe pjesën e pagesë nga buxheti i shtetit në faturë, edhe pse nga ana teknike është pak e pamundur.”, tha Rama.

Kryeministri solli një rast të një subjekti nëse do të rritej çmimi i energjisë sa do t’i duhej të paguante 476 mijë lekë, po në të vërtet ka paguar vetëm 176 mijë lekë, kjo sepse diferencën mes tyre e paguan qeveria.

“Subjekti në faturë paguan 176 mijë lekë, ndërkohë vlera reale është 476 mijë lekë dhe 299 mijë që është diferenca e paguan buxheti i shtetit.”, tha Rama.