Qytetarët kanë vijuar për të gjashtën ditë radhazi protestën kundër projektit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec. Me flamuj shqiptarë dhe pankarta me mbishkrimet “Revolucion”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Atdheu nuk është në shitje”, protestuesit marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit.

Mes zërave të protestës ishte edhe ai i një nëne të re, e cila foli për vështirësitë me të cilat përballen qytetarët dhe pasigurinë për të ardhmen.

“Unë jam një nënë e një fëmije 2 vjeç dhe herë pas here e gjej veten vetëm duke menduar të iki apo të qëndroj dhe besoj që ky nuk është vetëm mendimi im, por një gjendje që të gjithë ju e keni ndër vete herë pas here”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, protestuesja iu drejtua grupeve të ndryshme të shoqërisë, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës.

“Ju policëve me uniformat e zbardhura nga uniforma dhe shiu, sepse shteti nuk ka buxhet t’ju blejë uniforma të reja, t’ju shpëtojë jetën me jelek antiplumb, bashkohuni me ne. Ju pensionistët që nuk jua dalin lekët për ilaçe. Ju nënat që nuk keni një park ku të lëshoni fëmijët tuaj për të vrapuar, ju studentët që kërkoni të ardhme dhe mundësi”, tha ajo.


Lajmi kryesor:

6 ditë në shesh kundër resortit në Zvërnec, qytetarët thirrje diasporës: Rezistencë, s’ka negociata për tokën shqiptare! Ripërsërisin 5 kërkesat, protestë edhe në 6 qytete