Protesta mbledh kryesinë e PD 
Basha: Madhështore e paqësore

Protesta mbledh kryesinë e PD <br />Basha: Madhështore e paqësore
TIRANE - Një ditë para protestës së Partia Demokratike ka zhvilluar një mbledhje e cila ka zgjatur për rreth 1 orë e gjysëm ku është vendosur organizimi dhe mënyra e zhvillimit të protestës së nesërme përmes së cilës opozita kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta. Në përfundim të saj, Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një prononcim për mediat tha se protesta e opozitës do të jetë madhështore por edhe paqësore.
 
“Do të ketë një protestë të gjithanshme duke nisur që nga sheshi Skënderbej. PD ka organizuar një logjistikë për një protestë për të iu ardhur në ndihmë edhe medias, për një protestë madhështore dhe paqësore.” tha Basha
 
Në orën 11:00 të paradites protestuesit do të mblidhen në sheshin “Skëndërbej”, nga ku do t’i drejtohen përmes një marshimi selisë së kryeministrisë, dhe ku do të flaës lideri i opozitës Lulzim Basha.
 
Më pas, sipas burimeve brenda selisë blu, një grup protestuesish do t’i drejtohen parlamentit shqiptar, ku edhe do të tubojnë kundër qeverisë dhe kërkesës për largimin e kryeparlamentarit Meta.

Po sipas këtyre burimeve, një grup deputetësh të opozitës do të jenë të pranishëm në sheshin “Skëndërbej” e deri në marshimin drejt kryeministrisë, dhe më pas do t’i drejtohen pjesës tjetër të tyre që do të nisin betejën parlamentare.
 
Lidhur me protestën e ditës së nesërme Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të shmangur çdo incident të mundshëm. Protesta e PD, Policia: Kontrolle për të shmangur dhunën

Protesta e nesërme e opozitës ka sjellë edhe reagime mes palëve politike, ndërsa paradite ka pasur edhe një takim ndërmjet Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me Kreun e Kuvendit Ilir Meta. Protesta e PD, Rama e Tahiri takojnë Metën

Ora 22:08 Basha: Nesër marshim madhështor dhe paqësor
Pas daljes nga mbledhja e Partisë Demokratike lidhur me organizimin e protestës së ditës së nesërme, kreu i kësaj force politike Lulzim Basha tha për mediat, se do të jetë një marshim madhështor por mbi të gjitha edhe paqësor.
 
Sipas kryedemokratit Basha selia blu nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për dorëheqjen e Kreut të Kuvendit Ilir Meta pas akuzave të bëra nga deputeti Tom Doshi.
 
“Ditën e nesërme do të jetë dita e një protestë madhështore qytetare. Do të jetë një marshim madhështor i qytetarëve, mbështetësve të opozitës, dhe çdo qytetari që nuk mund ta pranojë më keqqeverisjen. Ditën e nesërme do të keni të gjithë zhvillimet, ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesa jonë për dorëheqjen e Ilir Metës. E vërteta nuk mund të vijë nga një hetim i cekët siç kërkon kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, por nga një hetim i thellë. Do të ketë një protestë të gjithanshme duke nisur që nga sheshi Skënderbej. PD ka organizuar një logjistikë për një protestë për të iu ardhur në ndihmë edhe medias, për një protestë madhështore dhe paqësore.” tha Basha

basha

Ora 21:25 Përfundon mbledhja e PD, Berisha: Protesta do jetë madhështore dhe paqësore 
Ka përfunduar pas rreth 1 ore e gjysëm mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj lidhur me protestën që do të zhvillojë nesër në orën 11:00 në kryeqytet. Burime për A1 Report bëjnë të ditur se gjatë mbledhjes është vendosur që protesta të zhvendoset para Kryeministrisë dhe jo tek Kuvendi siç ishte parashikuar.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta e nesër do të jetë madhështore. I pyetur nëse do të jetë paqësore, Berisha ka siguruar gjithashtu se ajo do të jetë padiskutim sipas tij edhe një protestë paqësore.
 
“Protesta e nesërme një gjë është e sigurtë, do të jetë madhëshore. Dhe padiskutim që do të jetë paqësore.” u shpreh Berisha

Ora 20:15 Nis mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike
Ka nisur mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Sipas burimeve për A1 Report në qendër të kësaj mbledhje do të diskutohet në lidhje me protestën e ditës së nesërme në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”.

Ora 18:15 Të rinjtë e FRPD anulojnë protestën 
Të rinjtë e FRPD kanë anuluar sot protestën e paralajmëruar para Kryesisë së Kuvendit. Ata kishin paralajmëruar një protestë për të kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës por më pas e kanë anuluar atë pa asnjë sqarim. 

Ora 15:08 Basha mbledh në orën 20:00 grupin parlamentar
Burime për A1 Report bëjnë me dije se Lulzim Basha do të mbledhë sot në orën 20:00 grupin parlamentar të PD për të diskutuar rreth protestës së nesërme. Mbledhja e grupit parlamentar të PD vjen një ditë para protestës së lajmëruar të opozitës. Opozita do të kërkojë dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta pas denoncimeve të deputetit Tom Doshi se Meta ka tentuar ta vrasë atë. 
 
Ora 13.45 Ristani: Asgjë nuk do e ndalë protestën, qeverinë e ka zënë paniku
Sekretari i Përgjithshëm i partisë Demokratike Arben Ristani tha se asgjë nuk do ta ndalë protestën e së premtes. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Ristani tha se qeverinë e ka zënë paniku nga protesta e qytetarëve, ndërsa duke iu referuar deklaratave të mazhorancës së protesta mund të jetë e dhunshme, Ristani bëri thirrje që Policia e Shtetit të reagojë brenda kufijve të ligji. Sipas Ristanit krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli.  

Deklarata e plotë e Arben Ristanit
Mazhoranca është kapur nga paniku i protestës së nesërme popullore, sepse të dhënat tregojnë se pjesmarrja e shqiptarëve në këtë protestë do të jetë madhështore. Qindra mijë qytetarë do të bashkohen nesër në Tiranë në orën 11 në Sheshin Skenderbej, për të ngritur zërin e tyre; kundër krimit në qeverisje,kundër pasigurisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit kundër arrogancës së dyshes Rama-Meta. I ka zënë paniku Edi Ramën, Ilir Metën dhe lolot e tyre, sepse, janë ata shkaktarët e depresionit të madh ekonomik të vendit dhe inkriminimit masiv në çdo qelizë të shtetit, deri në kupolën më të lartë të tij. I ka zënë paniku, se në sytë e gjithë shqiptarëve, Ilir Meta është sot i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, ndërsa Edi Rama është i akuzuar si bashkëpunëtor. I ka zënë paniku, sepse Edi Rama dhe Ilir Meta, e kanë tradhëtuar popullin, kanë sjellë varfëri, papunësi e skamje, korrupsion, e zhvatje të qytetarëve. I ka zënë paniku sepse kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit çdo ditë prej dy vitesh, dhe tani është radha e popullit sovran që të marrë fatet në dorë. Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit të përmbahet brenda kufinjve të ligjit, e mos të reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta. Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli. Asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm. Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim, që të vijnë e t’i japin zë kërkesave të tyre e të bashkohen me kauzën e drejtë dhe të madhe të shqiptarëve. Partia Demokratike do të jetë në ballë të kësaj proteste madhështore për të sotmen e të ardhmen e vendit dhe demokracisë. 


Ora 13.30 Policia: Masa dhe kontrolle të shtuara për të shmangur dhunën
Policia e Shtetit do të jetë në këmbë për të siguruar mbarëvajtjen e protestës që opozita do të mbajë të premten në orën 11.00 për të kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta. Nëndrejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Altin Qato në një deklaratë për mediat kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kontrollet  dhe praninë e shtuar të forcave të rendit. 



Deklarata e plote e nëndrejtorit te Përgjithshëm te Policisë së Shtetit Altin Qato 
Subjekti politik, Partia Demokratike, ka paraqitur sot një kërkesë për organizimin e një proteste më datë 12 Mars, ora 11:00 në qytetin e Tiranës.
Bazuar në ligjin për “Tubimet”, Policia e  Shtetit do të garantojë mbarëvajtjen e tubimit për të siguruar rendin publik gjatë zhvillimit të tij.

E drejta kushtetuese për të protestuar është e garantuar, ndaj Policia e Shtetit do të marrë masat maksimale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Në këtë kontekst, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore në Tiranë dhe njëherazi u kujton të gjithë qytetarëve detyrimin për të qënë të pajisur me dokument identifikimi gjatë lëvizjes së tyre si dhe për t'ia vënë në dispozicion punonjësve të Policisë së Shtetit kur të kërkohet. 

Në kuadër të këtyre masave, si dhe nga vlerësimi i disa informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjensi të tjera ligjzbatuese, strukturat e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha akset rrugore, kontrolle personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë zhvillimit të protestës.

Policia e Shtetit do të marrë masa të plota me synim parandalimin e çdo paligjshmërie dhe garantimin e plotë të të drejtës për të protestuar paqësisht.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për prezencën e shtuar të kontrolleve policore në të gjitha akset rrugore dhe mjediset publike, si dhe për masat e shtuara të sigurisë në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përfshirë qytetarët që do marrin pjesë në tubim.  Policia e Shtetit, është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike, të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi.    


Ora 12.20 Balla: Te hetohet Berisha per destabilizim, t'i behet ekspertize per gjendjen psikike
Deputeti socialist, Taulant Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për ish­-kryeministrin Sali Berisha, duke e akuzuar atë për nxitje dhune, përpjekje për panik dhe destabilizim të vendit për çështjen “Doshi”.

Për Partinë Socialiste ky është një skenar qesharak dhe i turpshëm. Në një deklaratë për media nga Kryesia e Kuvendit, Balla ka deklaruar se ai vetë do të marrë përsipër nismën për verifikimin në rrugë mjekësore të Berishës dhe “për të kërkuar mbylljen në çmendinë nëse komisioni mjeko­ligjor vërteton dyshimin e thellë të shumicës së shqiptarëve, se Berisha është klinikisht i papërgjegjshëm për ato që bën e thotë”.




Deklaratë  e nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla
Sot Shqipëria është bërë për fat të keq skena e një teatri të shëmtuar ku krimi dhe politika, nën drejtimin e regjizor-doktor Sali Berishës synojnë të imponojnë forcën e rrënimit. Thirrjet e Sali Berishës dhe të oficerëve të Shqup-it nxisin dhunën ndaj institucioneve, duke përdorur si shkak një manipulim skandaloz për gjoja vrasjen e dy deputetëve dhe madje, duke përfshirë në këtë teatër edhe një të sëmurë mendor. Fakti është se kjo nuk është vetëm një orvatje kriminale për të destabilizuar jetën e vendit përmes një manipulimi serial, po edhe një përpjekje e dëshpëruar për të delegjitimuar hetimin që po kryen prokuroria e krimeve të rënda. Pse nuk e pret Sali Berisha fundin e hetimit të prokurorisë? Pse nuk duron dot Sali Berisha derisa faktet, provat, dëshmitë e marra nga prokuroria të kthehen në konkluzione ligjore? Pse Sali Berisha ka ri-hipur mbi kalin e vjetër të luftës kundër ligjit dhe shtetit, ndërkohë që ka një hetim intensiv që po kryhet nga prokurorët e krimeve të rënda? Sali Berisha e di më mirë se kushdo tjetër të vërtetën dhe më shumë se kujtdo tjetër, e vërteta e këtij teatri të turpshëm i djeg vetëm atij, doktorit të sëmurë që prej 25 vjetësh ose e sundon ose e djeg Shqipërinë! Unë i bëj thirrje prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet për Sali Berishën dhe të gjithë nxitësit e tjerë politikë të dhunës, Sepse: Sali Berisha përsëri nuk po kërkon zbatimin e ligjit, por imponimin me forcë të një skenari kriminal që dëmton seriozisht Shqipërinë. Ndërkohë, unë do të ndërmarr prej sot nismën për të verifikuar në rrugë mjekësore gjendjen psiqike të Saliut dhe për të kërkuar mbylljen e tij në çmendinë në rast se komisioni mjeko – ligjor vërteton dyshimin e thellë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve sepse Sali Berisha është klinikisht i papërgjegjshëm për ato që thotë dhe për ato që bën. Po ndërkohë, për sa kohë ky njeri nuk është shpallur zyrtarisht i papërgjegjshëm klinikisht, duhet t’i nënshtrohet ligjit si gjithë të tjerët dhe duhet të përgjigjet për krimet e tij. Duke filluar nga krimi më i fundit, nxitja e dhunës dhe përpjekja e hapur për përhapjen e panikut dhe destabilizimin e vendit, përmes një skenari sa qesharak aq edhe të turpshëm e të rrezikshëm për vendin tonë. 

Ora 11.30 Vasili: Meta nuk do te jape doreheqjen per llogari te krimit, publikojme fakte tronditese
Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili tha se gjatë 24 orëve në vazhdim mazhoranca do të publikojë fakte tronditëse siç i quajti ai, por pa thënë konkretisht se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.
 
Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së, Vasili tha se kryeparlamentari Ilir Meta nuk do të japë dorëheqjen, për llogari të krimit të organizuar, ndërsa njëherës iu referua opozitës se mbështet dhe frymëzon krimin e organizuar..



 “Dëgjuam pak më parë deklaratën e sekretarit të PD, të një njeriu të njohur si i dënuar për korrupsion, i cili bën thirrje për protestës dhe dorëheqjen e Metës. Çdo parti është e lirë të bëjë protesta, edhe PD është e lirë të bëjë edhe 24 orë protesta në ditë po të dojë për llogari të krimit të organizuar, bile edhe ta mbajë flamurin e tij. PD është e lirë të përdorë edhe të sëmurët psikik si ky i fundit, dhe brenda partisë për të mbështetur e frymëzuar krimin e  organizuar. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nuk do të japë kurrsesi dorëheqjen për llogari të krimit të organizuar, ju konfirmoj edhe njëherë qartë edhe prerë se lufta e mazhorancës kundër krimit të organizuar do të jetë shumë e  rreptë dhe pa asnjë kompromis. Gjithashtu bëj me dije opinionin publik se fakte të reja tronditëse do të bëhen publike gjatë 24 orëve në vazhdim”, u shpreh Vasili. 

Ora 10.40 Luan Rama: Ligji perballe keqbersve nese protesta kthehet ne dhune
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka paralajmëruar PD, si organizatore të protestës, së nesërme se nëse ka dhunë shteti do të reagojë në mënyrë të vendosur.

Pas konferencës në mediat për çështjen Doshi, Rama u pyet për deklarata e Edi Palokës i cili ka thënë se PD nuk mban përgjegjësi për ecurinë e protestës së ditës së nesërme. Paloka: PD s'mban përgjegjësi për atë që do bëjë populli më 12 Mars
 
“Të gjithë qytetarët e këtij vendi, përfshirë zotin Paloka, dhe deputetë të tjerë PD e kanë parasysh faktin se Shqipëria është vend demokratik dhe anëtar i NATO-­s, me rekorde pozitive në kuadrin e integrimit e në këtë kontekst, çdo aludim për të stimuluar dhunë apo krijuar terrenin për dhunë, do të ketë përballë reagimin e vendosur të organeve të shtetit dhe të vetë qytetarëve. Nuk besoj që doktori do mund t'iu kundërvihet vullnetit të qytetarëve për të krijuar dhunë. Në të kundërt, reagimi i ligjit do të jetë si çdo herë kur përballë ka keqbërësit”, ishte përgjigjia e Luan Ramës.



Ora 09.30 Takohen në Kuvend Rama-Meta-Tahiri
Edhe mëngjesi i kësaj të mërkure, ashtu siç ka ndodhur në katër të mërkurat e fundit ka nisur me një tjetër takim të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, njëherësh aleati i tij në qeverisje si kreu i partisë së koalicionit, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetem nje ore pas bisedes koke me koke Rama-Meta, takimit i eshte bashkuar edhe ministri i Brendshem Saimir Tahiri.

Në fokus të takimit, i cili mbahet një ditë para seancës parlamentare, mendohet se është situata e fundit politike në vend, ku demokratët kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit pas akuzave të Doshit se Meta ka urdhëruar vrasjen e tij gjashtë muaj më parë. 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Ilir Yzeir: Rri e rri e trazo hirin

Ilir Yzeir: Rri e rri e trazo hirin