Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi Gjykata e Tiranës la në qeli 5 prej militantëve, që dyshohet se ishin pjesë e ‘grupit të zjarrit’ në protestën e PD-së në 17 prill para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij në tubimin e përjavshëm para Kryeministrisë, Berisha tha se të pestë të arrestuarit u mbajtën në qeli pa prova.
Berisha gjithashtu ngriti pretendime të forta se 5 militantët e arrestuar të PD-së janë dhunuar në qelitë e komisariateve.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju miq që çdo javë, çdo të hënë mblidheni në këtë shesh, mblidheni në kuvendin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë guximtarë.
Por një mirënjohje të pakufishme le t’u shprehim ne atyre dhjetëra e mijëra qytetarëve që me uraganin e fuqishëm të lirisë, dridhen themelet e regjimit të organizatës kriminale të Edi Ramës të premten që shkoi, dhe shndërruan zërin e shqiptarëve guximtarë në jehonën më të fuqishme botërore.
Mirënjohje të madhe medieve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme të kauzës tonë, pasqyrimin fantastik të kryengritjes tonë paqësore.
Sonte unë kam një mirënjohje dhe përshëndetje shumë të përzemërt për heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici, të cilët qëndruan si luanë ndaj torturave çnjerëzore shtazarake që kriminelë me uniformë kryen ndaj tyre në qelitë e komisariateve dhe u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë.
Ata janë ndërgjegja jonë, janë frymëzimi ynë.
Lirimi i tyre urgjent nga burgu është beteja jonë.
Një përshëndetje të përzemërt edhe për guximtarët e pamposhtur Ikball Domi, Gentian Tuga, Ernest Kapo, Preng Lala, Edison Shyti, Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari,etj, të cilët u torturuan në komisariate nga banditë me uniformë, por qëndruan të pamposhtur.
Lajmi kryesor:
Protesta/ Për herë të parë, 5 militantë të Berishës lihen në qeli, u kapën me molotovë në duar! Gjykata cakton detyrim paraqitjeje për 6 të tjerë











