Edhe pse masat kufizuese kundër COVID -19 në një pjesë të madhe të shteteve Evropiane kanë filluar të lehtësohen, ne shumë shtete evropiane ende ka shumë pakënaqësi.
Në Belgjikë policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila ishte mbledhur në Bruksel për të protestuar kundër kufizimeve COVID-19. Rreth një mijë protestues, veçanërisht nga Holanda, Gjermania dhe Belgjika, u mblodhën në një nga parqet më të mëdhenj në kryeqytetin e Belgjikës, ndërkohë që një grup i tyre marshoi në drejtim të Komisionit Evropian, për të kritikuar politikën e vaksinimit të miratuar nga vendet evropiane.
Edhe në Britaninë e Madhe po ashtu u zhvilluan protesta të organizuara kryesisht nga persona që kundërshtojnë vaksinën, pasaportën anti-COVID dhe maskat. Dyqanet u detyruan të mbyllen herët teksa demonstruesit protestonin ndaj një detyrimi të vendosur nga qeveria për të mbajtur maska në hapësira të mbyllura. Protestuesit i shohin kufizimet e COVID-19 si të panevojshme dhe shkelje të të drejtave njerëzore. Ndërkohë që një studim i kryer nga akademikë në universitetin e Oksfordit në vjeshtën e vitit 2020 paralajmëroi se një pakicë e konsiderueshme e njerëzve besojnë teoritë konspirative në lidhje me vaksinat e koronavirusit dhe COVID-19.
Rritja e fundit e rasteve me variantin indian të virusit COVID në Mbretërinë e Bashkuar, ka nxitur spekulimet se heqja e kufizimeve përfundimtare të COVID në 21 qershor, mund të vonohet, ndërkohë që vendi ishullor ka arritur që t’u japë një dozë më shumë se 39 milion njerëzve.




Komente










