Është dita e 43-të e protestës dhe qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” për të shkuar më pas drejt kryeministrisë, ku edhe pozicionohen çdo mbrëmje. Sot duket se mikrofoni u është dorëzuar mësuesve, të cilët kanë marrë herë pas here fjalën për t’u thënë protestuesve se janë krah tyre.
Pedagogu Lush Susaj u foli ashpër qytetarëve që nuk janë në protestë.
“Nuk mbaron kjo protestë! Nëse besoni atë që ju thotë propaganda e qeverisë, mos ju zbardhtë drita, ikni se jeni plehra!”, tha pedagogu.
Aktivisti Andi Tepelena njoftoi se të hënën në orën 13:00 do të kallëzojnë në SPAK kryepolicin Skënder Hita për deklaratat e tij lidhur me hetimin ndaj 10 mië qytetarëve për ‘review’-të ndaj bizneseve.
“Të hënën, ora 13:00 para SPAK-ut do t’i përgjigjemi me kallëzim penal drejtorit të policisë duke kërkuar hetimin e tij për shpërdorim detyre. Ftojmë çdo qytetar të vijë dhe ta firmosë kallëzimin”, tha aktivisti.
Siç ata janë shprehur edhe në ditët e mëparshme, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Rama. Ky i fundit i ka kundërshtuar duke thënë se dorëheqja “nuk bëhet me ultimatume” pasi ka një kontratë me më shumë se 800 mijë shqiptarë që e kanë votuar.
Megjithatë, prej disa javësh, qeveria ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me protestuesit që vërtet dëshirojnë të mbrojnë natyrën dhe shqetësohen për vendin, por ka kërkuar “transparencë” prej tyre.
Një ditë më parë, ndërsa në Tiranë mbahej koncerti i Kanye West për të cilin prej ditësh pati polemika për shkak të 4.3 milionë eurove që qeveria investoi në momentin e fundit, protesta kombëtare nuk reflektoi të njëjtën pjesëmarrje si herët e tjera, pavarësisht thirrjes për bojkot.
Lajm në përditësim...

Duke iu drejtuar qytetarëve që s’i bashkohen protestës në shesh sepse mendojnë që ajo po zbehet (edhe pse në fakt pjesëmarrja qartazi ka rënë), pedagogu Lush Susaj s’i kurseu edhe fjalët e ashpra.
“Nuk mbaron kjo protestë! Nëse besoni atë që ju thotë propaganda e qeverisë, mos ju zbardhtë drita, ikni se jeni plehra!”, tha pedagogu.

Një 73-vjeçare nga Durrësi, e quajtur Rita, mbajti një fjalim të gjatë para protestuesve ku iu përgjigj kryeministrit Rama për shprehjen “sorra dhe korba”, duke thënë se ata i gjen në institucionin që drejton, duke e nisur nga Belinda Balluku. Rita kërkoi largimin e Ramës dhe ish-zv. kryeministres.
“Ky na bën sorra dhe korba. Ne jemi njerëzit që duam të rrimë dhe të na përzënë. Sorra dhe korba ka ato të kryeministrisë. E para Belinda Balluku, ajo ka firmosur për Shqipërinë. ajo është hajdutja ekstreme! Ai thotë do të lodhet ky popull. Jo! Do të ndizemi më keq! Rama ik, Belinda ik! Rroftë Shqipëria e re!”, tha 73-vjeçarja.

Luçiana Kokaj mori fjalën para protestuesve te kryeministria për t’i përgëzuar për qëndresën e tyre 43-ditore. Ajo tha se asgjë s’do t’i largojë shqiptarët nga sheshi për të mbrojtur vendin.
“Çfarë janë 43 ditë për të fituar të drejtat tona? Nuk ka verë, nuk ka Botëror, nuk ka pushime verore që largon shqiptarët nga sheshi. Ju bëj thirrje që të jeni çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të bashkuar, Shqipëria ka nevojë për ne! Qeveria na ka sulmuar që ditën e parë duke na quajtur agjentë të ndryshëm, duke u munduar të intimidojë familjaët tanë, por asnjë nga manovrat e tyre nuk na devijon për të mbrojtur familjen tonë”, tha Kokaj.
Komente










