TIRANË - Një ditë pas protestës kundër ndërtimit të këndit të lojërave për fëmijë në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, aktivistët e lëvizjes “Nisma për Publiken” kanë dalë në një deklaratë të posaçme për të ndarë qëndrimin ndaj dhunës që policia sipas tyre ushtroi ndaj shoqërisë civile në një protestë që misionin e saj e ka paqësor: Ruajtjen e mjedisit nga betonizimi.
 
16 persona nga radhët e qytetarëve që ju bashkuan kësaj kauze u shoqëruan në komisariat nga policia për përplasjet e krijuara gjatë protestës. Për anëtarët e “Nismës për Publiken”, efektivët e policisë kanë ushtruar dhunë gjatë shoqërimit dhe mbajtjes në komisarit për mbi 8 orë.
 
“Dhuna policore është ushtruar ndaj qytetarëve paqësore, pa asnjë shkak”, tha në një deklaratë për mediat aktivisti Ervin Goci, njëherësh pedagog në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë, në departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit.
 
Studentja Bora Mema rrëfeu një tjetër incident të ndodhur gjatë protestës, çka sipas saj flet për ndërhyrjen e qëllimshme të faktorit politik në mesin e aktivistëve, për të nxitur dhunë e për të devijuar nga kauza reale e tyre. Ajo tha se militantë të Partisë Demokratike kanë kërcënuar disa nga aktivistët e shoqëruar në komisariat, duke shtuar se ata u ndaluan nga policia vetëm pas insistimit të shoqërisë civile. E pyetur se si mundën t'i identifikonin keta persona si aktiviste te djathte, studentja Mema u shpreh se ata thirrisnin vazhdimisht emrin e Sali Berishes, me simbolin e kesaj force politike: dy gishtat lart.
 
Ndërkohë, një tjetër i ri Isa Myzaraj, tregoi se gjatë shoqërimit në komisarit, efektivët e policisë e kanë dhunuar, fakt ky sipas tij, i vërtetuar edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.
 
“Nisma për Publiken” është duke përgatitur padi penale për të gjitha shfaqjet e dhunës gjatë protestës të mbajtur mesditën e së dielës tek Liqeni i Tiranës, qe nuk eshte e para kunder ketij projekti, i cili sic eshte shprehur kryebashkiaku Veliaj pritet te inaugurohet ne 1 qershor.
 
pedagoget

Shoqëria civile pretendon se në mesin e protestuesve ka pasur edhe persona civilë të panjohur prej tyre, të cilët jo vetëm kanë nxitur konflikte por edhe kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Referuar lëndimit të policit bashkiak Dritan Hardhia, Goci mohoi në mënyrë kategorike që efektivi të jetë qëlluar nga protestuesit.
 
“Ne hedhim poshtë me neveri qëndrimet e deritanishme ndaj nesh të Kryebashkiakut Veliaj. Ne dënojmë sharjet, fyerjet dhe deklaratat arrogante të tij,  të cilat nxisin urrejtje dhe dhunë ndaj qytetarëve që e kritikojnë. Dënojmë me forcë kryeshpifjen e tij publike, të denjë për skenarët e sigurimit të shtetit, se qytetarët kanë goditur me lopatë një polic. Ky pretendim i qëllimshëm i Zotit Veliaj është përgënjeshtruar nga filmimet që tregojnë se episodi shëndetësor që i ndodhi policit bashkiak nuk ka asnjë lidhje me qytetarët. E vërteta është se qytetarët protestues nuk kanë ushtruar, në asnjë moment, asnjë lloj dhune ndaj policëve apo zyrtarëve të tjerë publikë”, tha ai.
 
Qëllimi i protestës së të dielës, ishte edhe informimi i qytetarëve për të rejat që kjo Nismë kishte zbuluar në projektin për parkun e Lojërave. Për shkak se misioni i tyre për të ngritur një çadër të madhe në mesin e hapësirës ku po ndërtohet parku, nuk u lejua nga policia, aktivisti Ervin Goci bëri të ditura paligjshmëritë e zbuluara nga shoqëria civile.
 
“Ndërtimi i këndit të lojrave në Parkun e Liqenit është i paligjshëm. Fillimi i punimeve është bërë në shkelje të ligjeve të vendit. Bashkia Tiranë nuk ka bërë informimin dhe dëgjimin e publikut, nuk ka leje mjedisore dhe nuk ka leje ndërtimi, si dhe nuk ka plotësuar, pothuajse, asnjë detyrim tjetër ligjor e administrativ.  Bashkia, në këto momente, është institucion i diskredituar që ka humbur tërësisht komunikimin me qytetarët. Ky komunikim nuk rindërtohet me deklarata mediatike e dëgjesa të sajuara, por sipas procedurave ligjore që burojnë nga Konventa Aarhus dhe legjislacioni i vendit”, thuhet në deklaratën e “Nisma për publiken”.

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)