Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas tensioneve në protestën e sotme të zhvilluar para Kuvendit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj protestuesve. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa sjell në kujtesë episodin e fund-majit ku një protestues kundër investimit në Zvërnec u tërhoq zvarrë nga rojet private, akt që shkaktoi shumë zemëratë në popull dhe përbëu pikënisjen e protestave anti-qeveritare.

Duke shpërndarë pamje nga protesta, Zhupa shtroi pyetjen nëse policët dallojnë nga banditët e firmës private që dhunuan qytetarin në Zvërnec dhe insistoi se protesta  është një e drejtë kushtetuese dhe policia duhet të garantojë rendin, jo të ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve.

" Nga çfarë ndryshojnë këta policë nga banditët e firmës private në Zvërnec, të cilët ushtruan dhunë ndaj qytetarëve? Nëse njëri përdor uniformën e një kompanie dhe tjetri uniformën e shtetit, por të dy godasin njerëz të pambrojtur që protestojnë. Ku është ndryshimi? Për disa vezë të hedhura në shenjë proteste, Policia e Shtetit zgjodhi të përgjigjej me grushte, shqelma, tërheqje zvarrë dhe dhunë ndaj qytetarëve. Pamjet janë tronditëse dhe të papranueshme në një shtet demokratik. Protesta është një e drejtë kushtetuese. Policia ka detyrimin të garantojë rendin, jo të hakmerret ndaj qytetarëve. Kur përdoret forcë e pajustifikuar për të frikësuar këdo që ngre zërin kundër qeverisë, atëherë kemi të bëjmë me një polici kriminale që i shërben pushtetit dhe jo shtetit. As dhuna, as frika dhe as represioni nuk do ta zgjasin jetën e një pushteti që ka humbur besimin e qytetarëve. Historia e ka treguar se çdo qeveri që zgjedh forcën në vend të dialogut e afron fundin e saj.

U.D/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?