Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, kundërshtari kryesor i Erdogan, ka shkaktuar protesta në mbarë Turqinë. Gazetari Sokol Brahaj, në një intervistë nga Izmiri për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, tha se pas arrestimit të bujshëm, presidenti turk nuk ka bërë asnjë deklaratë.
“Vetë presidenti aktual për një rast shumë domethënës dhe kaotik në politikën e Turqisë, arrestimi i kryetarit të bashkisë më të madhe, kryetar i Unionit të Bashkive të Turqisë, ende nuk ka bërë asnjë deklaratë. Nuk ka folur dhe kjo lë për të dyshuar që një gjë kaq e rëndësishme presidenti të mos japë asnjë lloj komunikate.”, u shpreh gazetari.
Gazetari u shpreh se Imamoglu është i vetmi lider që ka fituar katër palë zgjedhje kundër partisë së Erdogan dhe shihet si një rival kryesor.

“Imamoglu është i vetmi lider politik që ka bërë 4 zgjedhje kundër Erdogan dhe partisë së tij dhe të gjitha i ka fituar. Kur ka qenë kandidat për kryetar të bashkisë dhe minibashkie të Stambollit, pas shumë vitesh e ka marrë nga partia e Erdogan. Para 6 viteve, që ishte për kandidat bashkinë e madhe të Stambollit mori me 70-80 mijë vota më shumë bashkinë por vetë forca politike dhe shteti i anuluan zgjedhjet. Pas tre muajsh, u ripërsëritën zgjedhjet dhe aty i fitoi me 800 mijë vota më shumë. Edhe vitin e kaluar, Imamoglu arriti të mundë partinë e Erdogan dhe nga ana e qeverisë ka krijuar një frikë dhe i vetmi në Turqi që ka arritur të mundë partinë dhe Erdogan.”, u shpreh Brahaj.
Brahaj shtoi se të dielën do të mbahen zgjedhjet në Partinë Popullore Republikane (CHP), ku Imamoglu pritet që zgjidhet kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Automatikisht do të jetë sepse është i vetmi kandidat i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por do të presim deri të dielën pasi opozita është e përbetuar në fjalimet zyrtare që këto zgjedhje primare në parti do të jenë të dielën në Turqi. Ngaqë u arrestua Imamoglu, kryetari i partisë opozitare tha se do të vendosin dy kuti në zgjedhjen e kandidatëve për presidentë, një e 1 750 000 anëtarëve të partisë dhe një për popullin e thjeshtë të bëjnë solidaritet e Imamoglu.”, shtoi Brahaj.
Më tej, ai u ndal edhe te anulimi i diplomës universitare të Imamoglu nga Universiteti i Stambollit para se të arrestohej, gjë që mund t’i shkaktojë probleme për të kandiduar. Nëse ky problem nuk do të zgjidhet në gjykatë, Imamoglu rrezikon që të mos kandidojë për të qenë presidenti i ardhshëm i vendit.
Komente

