Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashaniku, mbërriti sot në Tiranë, pas një udhëtimi 2 ditor në këmbë nga Kosova, për të marrë pjesë në protestën në mbështetjë të ish krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
Për Report Tv, ai tha se është ideator i protestës së sotme që do të zhvillohet në Sheshin “Skënderbej”. Veteran i UÇK-së tregoi për gazetaren Raziela Myslimaj se si i kërkoi qeverisë shqiptare mbështetjen për tubimin.
“Iniciativa ka qenë e imja. Kjo iniciativë ka buruar para një muaji kur jemi kthyer nga Haga me këta djem. Unë jam kthyer në kryeministri dhe kam patur kërkesën për shtetin shqiptar që të bëni protestë shumë të madhe këtu në Tiranë, pas Tiranës dhe një në Shkup dhe kabineti tha do t’ia përcjellim kryeministrit Edi Rama këtë mesazh tëndin dhe pas dy javësh u dha lajmi që do bëhet kjo protestë e madhe”,- tha ai.
“Dy ditë e dy netë kam udhëtuar, vetëm në tre vende kam ndaluar nga 2 orë sepse kam pasur problem me këmbën. Policinë e shtetit shqiptar e falenderoj sepse gjithmonë e kam pasur përkrahje dhe popullin shqiptar e falenderoj shumë”,- shtoi Pllashaniku.
Një tjetër veteran paralajmëroi nëpërmjet mikrofonit të Report Tv se nëse liderët historikë të UÇK-së dënohen në Hagë, reagimi do të jetë i dhunshëm.
“Ky është organizim perfekt. Është dashur të organizohet më herët. Zëri ynë është të jemi sa më të bashkuar, sa më të afërt. Jo t’i urrejmë çlirimtarët siç po i urrejnë disa politikanë në Kosovë. Kjo është vdekje për ata njerëz. Të të sjellin lirinë dhe t’i urresh. Vdekje për ne është. KJo është krenari gjithëkombëtare. Zëri ynë duhet të dëgjohet në të gjithë botën. Të jehojë në të gjithë botën. Këtu është vendi i Skënderbeut dhe prej këtu duhet të jepet mesazh i qartë që ne luftojmë për demokraci të Ballkanit dhe të Europës dhe për çdokund. Ishalla nuk na idënojnë çlirimtarët sepse do të na e shohë sherrin e gjithë Europa”,- tha veterani i UÇK-së.
Lajmi kryesor:
Mijëra shqiptarë në protestë, mesazh Gjykatës Speciale nga Tirana: Drejtësi për ish-krerët e UÇK-së! Moisiu e Ali Ahmeti: Akuza të fabrikuara










