TIRANË- “Unë jam UÇK”. Kjo thirrje bëri bashkë mijëra shqiptarë në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Imazhi i ish-presidentit Hashtim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit u shfaq krah bustit të heroit kombëtar Gjergj Skënderbeu, ndërsa përballë tij mijëra shqiptarë jehuan me thirrjet “liri dhe drejtësi për çlirimtarët”.
Protesta u zhvillua për 1 orë dhe nisi me himnin kombëtar shqiptar dhe bëri bashkë mijëra shqiptarë të cilët që prej orëve të para të mëngjesit vërshuan në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranën, për t’i dhënë mesazhin e qartë Gjykatës Speciale, se çlirimtarët e Kosovës po i mban padrejtësisht në qeli.
Këngët patriotike nuk munguan në protestë, ndërsa veteranët e UÇK-së udhëtuan nga Kosova të veshur me uniformën ushtarake, si dëshmi e gjallë e luftës për liri.
I pari që çeli protestën qe Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati
“Tirana sot është kryeqendra e Shqiptarëve. Sot nga kjo tokë i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bijtë e këtij kombi që dhanë gjithçka për atdhe”, tha ai.
Megjithëse me një shëndet të rënduar, ish-Presidenti Alfred Moisiu mbajti fjalimin e tij para mijëra shqiptarëve në shesh, ku tha se liria nuk u dhurua, por u fitua me gjak. Akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bashkë me Ali Ahmetin i quajti të fabrikuara.
“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve”, tha Ahmeti.
Ndërsa Mesazhi i Ali Ahmetit ishte i drejtpërdrejtë për qeverinë e Prishtinës, që në këtë protestë mungoi.
“Ka akoma në mesin tonë ca të pavetëdijshëm që i shërbejnë axhendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe mbjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm se po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është pushkë për ndasi ndërshqiptare”, tha ai.
Djali i Hashim Thaçit, Endriti, e ndoqi nga afër, në krah të Taulant Ballës, kryebashkiakut të Prishtinës Përparim Rama dhe Ogerta Manastirliut.
‘Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen, dua të falenderojë edhe zotin Rama që ka mbështetur këtë protestë dhe zotin Balla që është angazhuar dhe ka dhënë përkrahjen e tij maksimale’, tha ai.
Nga kjo protestë, një thirrje për t’i nderuar 4 liderët e UÇK-së iu bë edhe dy presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Dua t’ju bëj një propozim publik se, përveç thirrjeve, duhen edhe akte konkrete. I propozoj presidentit Begaj që djemtë që ndodhen në Hagë të nderohen me Urdhrin e Flamurit. I propozoj presidentes Vjosa Osmani t’i nderojë me titullin më të lartë që ia jep Kushtetuta, si dhe Këshillit Kombëtar të Malit të Zi dhe atij në Preshevë,” deklaroi Haklaj.
Zemrat e pjesëmarrësve u ngritën herë pas here peshë nga këngët patriotike.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte pjesë e tubimit, por një dhuratë e UÇK-së e solli figurën e tij në mes të sheshit. Reagimin e tij e pati në distancë, ku ndau një video nga protesta me mesazhin e shkurtër “zemra mal”.
Përfaqësuesit e lartë të opozitës munguan gjithashtu. I vetmi që u pa në thyerje të rregullit ishte Bujar Leskaj i Vlorës, si edhe Fatmir Mediu.
Pas tubimeve në Tiranës, Prishtinë e Hagë, mbështetja për 4 liderët e UCK-së do t’i mbledhë shqiptarët edhe në Shkup.
Gazetari Raimond Kola ka realizuar një set fotosh nga protesta e sotme në Sheshin “Skënderbej”, të fokusuar tek portretet e njerëzve që morën pjesë në protestën për lirimin e drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Portretet e mbështetësve të tyre shprehin dhimbjen që drejtësia ndërkombëtare po penalizon përpjekjet e tyre për liri.
Foto © Raimond Kola
Ish deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka, ishte e pranishme në protestën për UÇK-në që u zhvillua në Tiranë. Për mikrofonin e Report Tv ajo tha se ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk duhet të ishin të paraburgosur në Hagë, por pranë familjeve të tyre.
“Ne jemi këtu familjarisht, bashkë me Feritin, në mbështetje të UÇK-së, në mbështetje të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, sepse jam totalisht e bindur që qëndrimi i tyre në Hagë është totalisht i gabuar. Ata duhet të jenë në Kosovë, sepse aty e meritojnë. UÇK-ja ka luftuar vetëm për Kosovën dhe ne jemi totalisht në mbështetje të saj”,- tha Duka.
Edhe aktivistja Albana Osmani u bëri thirrje pernazheve publikë në Shqipëri që të përdorin famën që kanë edhe në shërbim të vendit e kauzave kombëtare.
“Mendoj dhe besoj që çdo shqiptar, edhe ata që kanë një profil publik, do të ishte gjë fantastike, respekt për vendin dhe për kombin, nëse do të përdorinin sado pak grimcë në të mirë të vendit. Këtë e besoj. Arsyeja pse jam këtu është se ata 4 burra që janë atje dhe shumë të tjerë që ranë në luftën për çlirimin e Kosovës, janë heronj. Janë ata që i dolën për zot vendit. Janë ata që mbrojtjën familjet nga shumë arsye”,- tha Osmani.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha për gazetaren e Report TV, Raziela Myslimaj se me protestën e sotme që u mbajt në Tiranë u përcoll mesazhi se kemi një qëndrim sa i përket UÇK.
“Mesazh tregon qartë se jemi një komb, kemi një qëndrim sa i përket luftës së drejtë të çlirimtarëve të Kosovës dhe gjakut të derdhur nga populli shqiptar i Kosovës për çlirimin e Kosovës.”, tha Balla.
Pyetjes nëse do të donin më shumë figura nga Kosova si Albin Kurti apo Vjosa Osmani, Balla tha:
“Sot po flet populli.”
Në protestën që u zhvillua në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK, ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj i ka bërë thirrje presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të nderojnë me urdhrat më të lartë katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Haklaj theksoi se një akt i tillë do të kishte një mesazh të fortë kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Dua t’ju bëj një propozim publik se, përveç thirrjeve, duhen edhe akte konkrete. I propozoj presidentit Begaj që djemtë që ndodhen në Hagë të nderohen me Urdhrin e Flamurit. I propozoj presidentes Vjosa Osmani t’i nderojë me titullin më të lartë që ia jep Kushtetuta, si dhe Këshillit Kombëtar të Malit të Zi dhe atij në Preshevë. Kjo do të ishte një mënyrë për t’i treguar botës mbarë se jemi një komb,” shtoi ai.
Ka përfunduar protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK, që u zhvillua në ‘Sheshin Skënderbej’ në Tiranë.
Një protestues nga Kosova për Report Tv, u shpreh se kjo protestë bashkoi të gjithë shqiptarët.
Ai theksoi se ish-krerët e UÇK do lirohen shumë shpejt pasi po akuzohen pa fakte.
'Quhem Hysen Shala, jetoj në Zvicër që prej 37 vitesh. Është kënaqësi ti shohësh shqiptarët të bashkuar kështu. Uroj që të jemi sa më të bashkuar dhe më të fortë. Këtë forcë e ka frikë krejt rajoni. Nëse do të bëheshim bashkë të gjithë do të ishte shumë bukur. Ata do të lirohen së shpejti, sepse po i akuzojnë pa baza. Por ushtria ka luftuar për çlirimin e vendit dhe kjo është një krenaria gjithëkombëtare. Kjo protestë sot është një emocion i madh dhe i falenderojmë ata që e kanë bërë. Ne kemi qenë edhe në Hagë dhe nëse e nevojshme do të shkojmë edhe në Neë York’, tha ai.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, figura qendrore të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen prej 5 vitesh të arrestuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa procesi ndaj tyre nisi vetëm në vitin 2023.
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli drejtoi shërbimin e inteligjencës, Krasniqi ishte zëdhënës. ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Ndërsa gjithshka nisi nën pretendimet për trafik organesh, që nuk u vërtetuan kurrë, ndaj të katërve u ngritën akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Krime të cilat dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.
Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve. Procesi në Hagë po shkon drejt përfundimit, pasi muajin e kaluar mbrojtja e Thaçit thirri dëshmitarët e parë.
Protesta në Tiranë duket se e ka arritur qëllimin e vet, teksa është bërë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Një video e siguruar nga Report Tv, ku shfaqet një pankartë në të cilën është foto e ish-kreut të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ku shkruhet ‘Justice’ (Drejtësi).
Në protestën e ditës së sotme, është bërë thirrje për drejtësi dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, që mbahen në qelitë e paraburgimit në Hagë.
Ndërkohë që në Tiranë po zhvillohet një protestë në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti përpiqet të theksojë kontributin e tij për shtetin e Kosovës, duke shkruar në rrjetet sociale se pasaporta e vendit është fuqizuar gjatë qeverisjes së tij.
“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të. Edhe në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa kemi qenë në vendin e 68-të. Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë. Me pasaportën tonë e cila po bëhet më e njohur ndërkombëtarisht, përfaqësohemi dinjitetshëm, udhëtojmë në më shumë vende pa viza dhe fuqizojmë republikën tonë”,- shkruan Kurti.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dorëzuan Ogerta Manastirliut 2 dhurata simbolike për kryeministri Edi Rama, si falenderim për mbështetjen dhe reklamimin që ai i bëri protestës që po mbahet sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen në Hagë për krime kundër njerëzit dhe trafik organesh.
Një pllakatë me mbishkrim falenderues dhe një portret të kryeministrit Rama, ishin ato çfarë veterani Agim Pllashaniku i dorëzoi Manastirliut, për t’ia përcjellë kreut të qeverisë.
I pranishëm në protestën që po zhvillohet në ‘Sheshin Skënderbej” në Tiranë është edhe Endrit Thaçi për të mbështetur babain e tij Hashim Thaçi.
Në një prononcim për media, ai shprehu falënderime për pjesëmarrësit që i janë bashkuar kësaj proteste si edhe kryeministrit Edi Rama.
‘Ju falenderojë të gjithëve për pjesëmarrjen, dua të falenderojë edhe zotin Rama që ka mbështetur këtë protestë dhe zotin Balla që është angazhuar dhe ka dhënë përkrahjen e tij maksimale’, tha ai.
Aktori Llesh Nikolla, nga protesta në Tiranë, për ish-krerët e UÇK në Tiranë, recitoi disa vargje.
‘‘Kosova po rënkon, peshojeni mirë këtë emër peshojini mirë këto varre, kërkojnë hakmarrje unë hakmarrjen se njihja ma mësove ti. Mi le nuset e reja e më përzure mijëra njerëz. Të vdekurit në varre thërrasin ku është liria, rilindasit thërrasin ku është pavarësia. Europë a e ke pyetur veten po të vinte shkjau ta bënte Londrën gropë do rrije t’i pa e çarë qiellin përmidis. Kosova jeton, gjallëron, liria ka emër, UÇK’, tha ai.
Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ishte i pranishëm në protestën që po mbahet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish krerëvë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
Në fjalën e mbajtur nga podiumi i tubimit, Moisiu tha Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore: çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet.
Për ish presidentin shqiptar, akuzat ndaj liderëve historikë të UÇK-së janë të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse, por bëri thirrje që të mos lejohet nëpërmkëmbja e gjakut të dëshmorëve shqiptarëe të rënë për lirinë e Kosovës.
“Të dashur qytetarë të Tiranës, Shqipërisë dhe Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Preshevës dhe Malit të Zi, të dashur bashkëkombës, sot jemi mbledhur këtu në zemër të Tiranës. Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së, që luftuan për lirinë e atdheut. Në vitin 2022, bashkë me presidentin Rexhep Meidani, Bamir Topi, Pandeli Majko, në dhomat e paraburgimit për të takuar personalisht presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, në bisedë me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin të frikësuar, por burra të vërtetë, qëndronin të qetë, të gatshëm për t’u sakrifikuar për të pasur luftën e UÇK-së pa njollat që padrejtësisht duan t’i japin ata që nuk i njohin mirë shqiptarët. Ata kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore: çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër vëllezërve të UÇK-së. Janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qelat e errëta serbo-ruse. Dua të theksoj se lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO dhe SHBA, dhe nga partnerët e rëndësishëm perëndimorë. Komandantët udhëheqës të UÇK-së, dëshiroj të them se shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë, por në tre raste janë shqiptarët që kanë luftuar për veten: në kohën e Skënderbeut, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe UÇK. Të dashur miq, është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së, liri luftëtarëve të UÇK-së”,- tha Moisiu.
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati mori fjalën në protestën që po mbahet në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, tha se sot protestojnë për drejtësinë. Ai theksoi Gjykata Speciale e Hagës po tenton që të barazojë viktimën me xhelatin, ndërsa shtoi se nga Tirana po i tregojnë botës se nuk janë kriminelë por thjesht luftuan për liri.
“Ne sot protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi, jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK, për të mbrojtur gjakun e atdheut për liri dhe nderin e çlirimtarëve tanë. UÇk nuk ka nevojë me dëshmuar se ka qenë ushtri çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar historia, populli dhe varret e Dëshmorëve të Kombit. Gjykatat e padrejta po përpiqen na barazuar viktimën me xhelatin, duan të njollosin luftën tonë të shenjtë për liri. Nuk do të lejojmë të njollosin emrat e komandantëve tanë. Kjo protestë nuk ka lidhje me politikë. Kjo është protestë për popullin shqiptar. Ne kërkojmë drejtësi dhe baraza para ligjit. Tirana sot është kryeqenra. Sot nga kjo tokë i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bijtë e këtij kombi që dhanë gjithçka për atdhe.”, tha Gucati.
Deputeti i PD-së Bujar Leskaj ka thyer urdhrin e kryedemokratit Sali Berisha, teksa ka marrë pjesë në protestën e UÇK-së. Ai është shfaqur në protestë, teksa këndon edhe himnin kombëtar dhe thërret 'Lavdi'.
Dy ditë më parë PD-së njoftoi se nuk do të merrte pjesë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Kosovës. Por duket se Leskaj ka dalë kundër vendimit të partisë së tij.
Kryetari i Bashkisë së Prishtinës Përparim Rama, nga protesta në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK, tha se ata duhet që të qëndrojnë të fortë pasi sipas tij do të marrin lirinë shumë shpejt.
'Unë besoj në drejtësi, besoj në liri dhe besoj se ata janë të pastër, besoj në pastërinë e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata duhet që të qëndrojnë të fortë sepse do të lirorohen shumë shpejt’, tha ai.
Protesta mbarëkombëtare në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hgë, nisi me Himnin kombëtar, i cili ushtoi në zemër të kryeqytetit, me të pranishëm mijëra veteranë dhe pjesëmarrës.
Ish-presidenti Alfred Moisiu ka mbërritur në sheshin “Skënderbej” për protestën në mbështetje t ëish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Pranë tij shihet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Me mijëra shqiptarë janë mbledhur në sheshin “Skëndërbej” për të protestuar për ish-krerët e UÇK-së që mban në qeli në Hagë. I gjithë sheshi është i mbushur me flamuj kuqezi e flamujt e UÇK-së, ndërsa Report Tv sjell këto pamje me dron, ku dallohet që sheshi është mbushur me qindra shqiptarë nga të gjitha trevat.
Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë po vijon grumbullimi i qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Në mesin e pankartave të shumta që po mbajnë qytetarët pjesëmarrës të protestës, ishte edhe një pankarde ku thuhej: “Gjykata Speciale është EULEX II, padrejtësi e re në emër të drejtësisë së dështuar dy dekada”.
I pranishëm në protestën që do të nisë për pak minuta në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është edhe Endrit Thaçi për të mbështetur babain e tij Hashim Thaçi. Ai është parë krah Taulant Ballës, Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së.

Një protestues ka shkruar me një pankartë interesante në protestën që do të mbahet në sheshin ‘Skëndërbej’.
Në pankartën e protestuesit shkruhet se Gjykata Speciale është raciste dhe serbo-rusë.
Gjithashtu bëhet thirrje për mos të bëhet barazim me viktimës me agresorin barbar.
’O të vdesim o të rrojmë, çlirimtarët t’i lirojmë! Gjykatë raciste serbe-ruse! Stop barazimit të viktimës me agresorin barbar’.
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashaniku, mbërriti sot në Tiranë, pas një udhëtimi 2 ditor në këmbë nga Kosova, për të marrë pjesë në protestën në mbështetjë të ish krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
Për Report Tv, ai tha se është ideator i protestës së sotme që do të zhvillohet në Sheshin “Skënderbej”. Veteran i UÇK-së tregoi për gazetaren Raziela Myslimaj se si i kërkoi qeverisë shqiptare mbështetjen për tubimin.
“Iniciativa ka qenë e imja. Kjo iniciativë ka buruar para një muaji kur jemi kthyer nga Haga me këta djem. Unë jam kthyer në kryeministri dhe kam patur kërkesën për shtetin shqiptar që të bëni protestë shumë të madhe këtu në Tiranë, pas Tiranës dhe një në Shkup dhe kabineti tha do t’ia përcjellim kryeministrit Edi Rama këtë mesazh tëndin dhe pas dy javësh u dha lajmi që do bëhet kjo protestë e madhe”,- tha ai.
“Dy ditë e dy netë kam udhëtuar, vetëm në tre vende kam ndaluar nga 2 orë sepse kam pasur problem me këmbën. Policinë e shtetit shqiptar e falenderoj sepse gjithmonë e kam pasur përkrahje dhe popullin shqiptar e falenderoj shumë”,- shtoi Pllashaniku.
Një tjetër veteran paralajmëroi nëpërmjet mikrofonit të Report Tv se nëse liderët historikë të UÇK-së dënohen në Hagë, reagimi do të jetë i dhunshëm.
“Ky është organizim perfekt. Është dashur të organizohet më herët. Zëri ynë është të jemi sa më të bashkuar, sa më të afërt. Jo t’i urrejmë çlirimtarët siç po i urrejnë disa politikanë në Kosovë. Kjo është vdekje për ata njerëz. Të të sjellin lirinë dhe t’i urresh. Vdekje për ne është. KJo është krenari gjithëkombëtare. Zëri ynë duhet të dëgjohet në të gjithë botën. Të jehojë në të gjithë botën. Këtu është vendi i Skënderbeut dhe prej këtu duhet të jepet mesazh i qartë që ne luftojmë për demokraci të Ballkanit dhe të Europës dhe për çdokund. Ishalla nuk na idënojnë çlirimtarët sepse do të na e shohë sherrin e gjithë Europa”,- tha veterani i UÇK-së.
Ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili është bërë pjesë e protestës në mbështetje për ish-krerët e UÇK, që po zhvillohet në 'Sheshin Skënderbej' në një prononcim për media, tha se kjo protestë nuk është politike.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj proteste.
‘Është impresionuese protesta e sotme. Kjo nuk është një protestë politike, është protesta e shqiptarëve, kush ka gjak shqiptari do të duhet që të jetë sot këtu në këtë shesh’, tha Manja.
Protestuesit në sheshin ‘Skënderbej’ kanë bërë thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët mbahen prej vitesh në Hagë.
Një protestues tha për Report Tv, se Gjykata Speciale i ka vjedhur Kosovës dhe Presidentin dhe kreun e Kuvendit.
“Ata janë gjithçka për Kosovën, janë arkitekte për Kosovën. Ne pa ta nuk jemi as të formuar as si shtet. Kjo është diçka shumë e vogël që në mund të bëjmë që ata të jenë shumë shpejt në mesin tonë dhe të jenë aty ku u takon. Na e kanë vjedhur presidentin dhe kreun e Kuvendit. Nuk ka shtet pa ta. Ju e shihni sot, nuk kemi qeveri, nuk kemi as shtet”, tha ai.
Ndërsa një tjetër protestues, tha se Kosova është shtet falë drejtuesve të UÇK-së. Ndërsa më tej hodhi akuza ndaj Gjykatës Speciale se po i mban drejtuesit e UÇK-së me dëshmi të falsifikuara.
“Falë tyre kemi shtet, falë tyre sot Kosova lëviz lirshëm. Falë tyre, fëmija im sot në shkollë. Çdo arritje që është bërë sot në Kosovë, është bërë falë tyre, duke filluar nga ushtria, policia etj. Një herë e përgjithmonë, drejtësia te shkojë në vendin e vet. Ne kemi pasur padrejtësira të tjera ndaj drejtuesve të UÇK-së. Të gjithë i kanë marrë në mënyrë të padrejtë në pyetje. Tani kjo Gjykatë Speciale me dëshmi të falsifikuar prej Serbisë”, tha ai.
Gjithashtu një pjesëmarrës në protestë tha se nuk kishte ardhur për politikanët në protestë.
“Nuk kam ardhur për politikanët shqiptarë, se janë të gjithë të korruptuar, por kam ardhur si gjak shqiptari”, tha ai.
Një protestues tjetër bëri thirrje për lirimin e krerëve të UÇK-së.
“Flas në emrin tim dhe në emrin e këtyre, le të lirohen të pafajshmit”, tha ai.
Ndërsa një tubues tjetër për pjesë marrje në protestë.
‘Iu bëj thirrje të gjithë atyre që janë shqiptarë, të na bashkëngjiten në protestë’.
Teksa na ndajnë pak nga nisja e protestës së UÇK-së në sheshin ‘Skënderbej’, protestuesit kanë filluar të mblidhen.
Veteranët e UÇK-së janë rreshtuar para memorialit, ku kanë nderuar heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Po ashtu disa prej tyre kanë mbajtur në duar edhe flamujt e UÇK-së.
Protesta pritet që të nisë në orën 17:00.
Në ‘Sheshin Skëndërbej” në Tiranë në orën 17: 00 do të mbahet protesta për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa protestuesit kanë nisur që të mblidhen në shesh.
Me pankarda në duar studentët nga Kosova, u bënë pjesë e kësaj proteste në mbështetje të ish-krerëve të UÇK.
‘UÇK, UÇK, Hashim Thaçi. O Hashim ti ku je krejt krejt studentët këtu i ke’, thonin ata.
Teksa na ndajnë më pak se dy orë nga protesta për UÇK-në, sheshi ‘Skëndërbej’ ka filluar të mbushet nga protestuesit.
Me flamuj të UÇK-së, në duar, protestuesit janë mbledhur në shesh, teksa nuk kanë munguar as fotot para bustit të ‘Skëndërbeut’.
Protesta pritet të nisë deri në orën 17:00, teksa raportohet për pjesëmarrje të madhe në tubimin e sotëm.
Sot në orën 17:00 në Sheshin Skënderbej do të mbahet një protestë për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndërkohë që në 'zemër' të kryeqytetit kanë filluar të mblidhen protestuesit e parë, në Kosovë qytetarët shprehen se ky tubim do të ngrejë alarmin për lirimin e tyre.
“Ata njerëz nuk e meritojnë të vuajnë atje dënimin. Mendoj se kjo protestë do të ngrejë alarmin për lirimin e tyre”, tha një qytetare.
“Çlirimitarët tanë po mbahen atje (Hagë) padrejtësisht. E gjithë bota e dinë se ata janë të pafajshëm”, tha një tjetër.
“Na kanë marrë njerëzit më të shenjtë që ne kemi, padrejtësi më të madhe nuk ka”, tha një qytetar tjetër.
"Po shkojmë në mënyrë paqësore për të protestuar", theksoi një protestues.
Teksa jemi në prag të protestës për ish-krerët e UÇK- në sheshin Skënderbej janë mbledhur qytetarët e parë.
Ndërkohë nga që prej orëve të para të mëngjesit dhjetëra persona nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë mbërritur në Tiranë me autobusa dhe automjetet e tyre personale.
Teksa ditën e sotme në 17:00 në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë do të mbahet protesta për ish-krerët e UÇK-së, policia ka bërë publike masat e marra.
Pasditen e sotme do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në 'Bulevardin e Ri', gjatë zhvillimit të tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbej”, konkretisht prej orës 17:00 deri rreth orës 19:00.
Burime për Report Tv, bëjnë me dije se në 'Bulevardin e Ri' do të parkohen automjetet e protestuesve që do të vjnë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare.
Policia bën me dije se drejtuesit e automjeteve, duhet të zgjedhin akset alternative .
Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë nisur masivisht drejt Tiranës ku do të mbahet protesta pro UÇK-së.
Me autobusë e motora dhe thirrjet “Uçk, Uçk”, veteranët e UÇK-së kanë kaluar kufirin në Morinë në këmbë teksa mbajnë në duar flamurë të Shqipërisë dhe të UÇK-së në duar.
Protesta do të nisë pasditen e sotme dhe është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Qindra qytetarë nga Kosova po marshojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar tubimit në mbështetje të drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Që në orët e para të ditës janë vërejtur lëvizje të shtuara në “Rrugën e Kombit”, ku dhjetëra automjete, të zbukuruara me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së, po udhëtojnë në grupe drejt kryeqytetit shqiptar.
Për shkak të fluksit të lartë të mjeteve, Policia Rrugore ka shtuar prezencën përgjatë aksit për të garantuar qarkullim normal dhe për të shmangur bllokimet e mundshme të trafikut.
Tubimi në Tiranë pritet të zhvillohet gjatë orëve të pasdites, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje paqësore dhe respektim të rendit publik
Teksa vetëm disa orë na ndajnë nga protesta në Sheshin Skënderbej për ish-krerët e UÇK-së, dhjetra qytetarë nga Maqedonia e Veriut janë nisur drejt Tiranës që prej orëve të para të mëngjesit.
“Jemi tre bashkëluftëtarë që po vijmë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK. Ata po mbahen padrejtësisht atje. Ne jemi pjesëtar të Ushtrrisë Çlirimtare Kombëtare dhe do të përkrahim vëllezërit tanë. Presim ata të lirohen", thanë ata teksa në kokë mbanin qeleshe me simbolin e UÇK-së.

Edhe qytetarët nga Shkodra do të vijnë në Tiranë për t’iu bashkuar protestës për UÇK-në që do të mbahet në orën 17:00.
Bashkia e Shkodrës ka vënë autobusë falas në dispozicion të të gjithë qytetarëve që të duan t’i bashkohen tubimit. Në orën 13:30 do të bëhet nisja nga Shkodra drejt Tiranës, shkruan kryebashkiaku Benet Beci.
“Shkodra marshon për Kosovën! Për protestën gjithëkombëtare në Tiranë, janë vënë autobusë në dispozicion për të gjithë qytetarët që duan të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhështore.
Nisja: ora 13:30
Sheshi para Bashkisë
Shkodra, qyteti i zemrës së madhe dhe historisë së lavdishme, ngrihet sot në krah të vëllezërve tanë të Kosovës për dinjitetin, lirinë dhe drejtësinë e UÇK-së”, shkruan Beci.
Qindra shqiptarë të Kosovës po vijnë në Tiranë për të marrë pjesë në protestën që do të organizohet nga veteranët e UÇK-së për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që mbahen në Hagë prej 5 vitesh.
Në këtë video që sjell Report Tv shihen protestues që po vijnë nga kufiri i Morinës drejt Tiranës me autobusë dhe këngë patriotike.
Që prej orëve të para të mëngjesit dhjetëra qytetarë nga Kosova janë nisur drejt Tiranës për protestën e cila do të zhvillohet në Sheshin Skënderbej për ish-luftëtarët e UÇK-së
Teksa kalojnë me makinat e tyre veshur me flamuj kuq e zi, flamuj të UÇK, këngë patriotike dhe bluza të stampuara 'Liria ka emër', qytetarët shprehen mjaft entuziastë për këtë protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë; Jemi nisur për Tiranë për protestën e organizuar nga veteranët e UÇK. I urojmë kthim sa më shpejt në Kosovë; Po shkojmë në Shqipëri për protestën. Urojmë që t’ia arrijmë qëlllimit për t’i liruar thanë disa prej qytetarëve nga Kosova për Report Tv teksa po kalonon në pikën kufitare të Morinës
Komente











C'FARE MUTIN DONI KETU NE TIRANE JU MOR FELLIQESIRA...KUR NUK JU VRAU SERBI ..TE GJITHE JUVE.....POPULLI I TIRANES TI MARRE ME DRU KETA PALACO.....
PërgjigjuDua te besoj shume qe edhe Ne komentuesit,do te marrim pjese ne Proteste ! Pa "ngjyra",te mbeshtesim kauzen e drejte te udheheqesve te UCK'se ! Kunder padrejtesise qe po demostron ndaj tyre dhe jo vetem,gjykata e Hages ! Iliri
Përgjigju