Në prag të protestës madhështore për UÇK, e cila do të mbahet ditën e premte, në Tiranë është mbajtur një konferencë e organizuar nga Shoqata Tirana. Në këtë konferencë morën pjesë drejtues shoqatash, pedagogë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe disa përfaqësues të organizatave nga Kosova. 

Kryetari i 'Shoqatës Tirana', Ruzhdi Keci, i bëri thirrje krerëve të tjerë të shoqatave që të njoftojnë komitetet e tyre.

“Duke qenë se në jemi vendi pritës na takon të bëjmë punë tonë. Kryetarët e shoqatave si të zgjedhur të komiteteve, duhet të njoftojnë komitetet përkatëse. Me qëllim që kontributi i shqiptarëve në këtë miting madhështor, të shfrytëzohet dhe të japë rezultatin e vetë”, u shpreh ai.

Në këtë konferencë mori pjesë kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha në fjalën e tij se protesta është kombëtare.

Më tej Gucati hodhi akuza ndaj Gjykatës së Hgës, të cilën e quajti si politike dhe të njëanshme. Ndërsa më tej tha se ‘shtepia e verdhë’ nuk ishte spital ushtarak, pasi sipas tij këto janë gënjeshtra të Dick Martit.

“Ne kemi bërë një protestë në datën 7 gusht në Kosovë. Ne e kemi zjgjdhur protestën në Shqipëri, pasi jemi një komb dhe një gjak, një flamur. Arsyeja që ne kemi thirrur protestën gjithëkombëtare në Shqipëri, është se Adem Jashari dhe celulat e para të UCK, që ishin në shtetin tonë, se unë e konsideroj shtetin tim, gjetën strehën këtu, ku punuan për ta çliruar Kosovën nga hordhitë serbe. Kështu që unë iu falënderoj për angazhimin që do të merrni në 17 tetor, për të protestuar ashtu si na ka hije. Protesta ka karakter gjithëkombëtar. Ne kërkojmë drejtësi dhe jo politikë. Ajo gjykatë është politike, selektive e njëanshme dhe përndjek vetëm anëtarët e UÇK-së. Ajo gjykatë ka devijuar nga rruga. Arsyeja është e thjeshtë, flitet për një shtëpi të verdhë në Shqipëri. Ndoshta shtëpia e verdhë ekziston si objekt, por jo si spital ushtarak i kohës. Këto janë gënjeshtrat e Dick Martit, që është financuar nga Serbia dhe Rusia”, tha kreu i OVL-së Hysni Gucati.

Pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Invalidëve të Kosovës, Fadil Shurdha, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e së premtes. Ai tha se Gjykata e Hagës ka rënduar Kosovën.

“Do të ju bëj të gjithëve atyre që në datë 17 në orën 17, të na bashkohen dhe të na ndihmojnë që të shprehim pakënaqësinë tonë kundër kësaj gjykate, e cila e ka rënduar Kosovën dhe e rëndon politikisht, moralisht dhe sidomos ish-luftëtarët e UÇK-së. Ndaj të gjithë ju shoqatat dhe populli i Shqipërisë dhe i Kosovës, Maqedoni, Mal të zi dhe të gjithë diaspora, i bëj thirrje që na bashkohen në protestën në Sheshin Skënderbej”, tha Shurdha.

Ndërkohë ditën e sotme, Report Tv mësoi se pjesë e protestës në sheshin Skënderbej, ku do të bëhet thirrje për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jetë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit socialist Taulant Balla, ministra e deputetë. Ndërsa Partia Demokratike ka refuzuar që të marrë pjesë! Arsyeja sipas demokratëve e mosmarrjes pjesë është prania e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas demokratëve, është autor i një sërë goditjesh ndaj Kosovës.