Kreu i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka mbërritur në Tiranë, për të marrë pjesë në protestën që sot do të zhvillohet në orën 17:00, në Sheshin Skënderbej, në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në një intervistë për gazetarin e Report Tv, Arlind Isa, të zhvilluar pranë sheshit kryesor të kryeqytetit, Ahmeti deklaroi se protesta e sotme është një thirrje për gjykim të drejtë të liderëve historikë të UÇK-së.

Në prenoncim e tij për Report Tv, ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer veprimtarinë e saj në respektim të plotë të konventave ndërkombëtare për luftën dhe në bashkëpunim me aleatët, si NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dita e sotme është të gjithë jemi UÇK. Të gjithë jemi në përkrahje të çlirimtarëve, sepse ushtrisë çlirimtare të Kosovës i bëhet një padrejtësi e madhe. Nga një ushtri çlirimtare në dosje, organizma tepër konspirativë të Beogradit dhe Moskës. Filloi më pas me Dick Marty, një deputet që alarmoi në Bruksel e SHBA, sikur UÇK është marrë me tregti organesh njerëzore. Ky ishte fillimi dhe tani ky proces devijoi, përderisa ranë të gjitha dhe nuk kishte asnjë fakt që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një veprim të tillë. Sot jemi në kërkim të drejtësisë dhe besoj që drejtësia në fund do të vendosë drejt. UÇK ka qenë një organizatë çlirimtare që ka punuar ngushtë me NATO-n, amerikanët, europianët dhe ne u jemi mirënjohës këtyre fuqive. Ne lirinë e fituam me gjak, por çlirimin me aleatë. Ne kemi respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare mbi luftërat. Nuk mund të vendoset një barazi mes agresorit dhe çlirimtarëve”,- tha Ahmeti për gazetarin Arlind Isa.

Kreu i BDI-së nënvizoi se Gjykata e Hagës nuk mund të dënojë pa të drejtë njerëz që kanë luftuar për lirinë e kombit të tyre. Vendndodhja e protestës, Sheshi “Skënderbej”, për Ahmetin ka një domethënie.

“Unë s’dua të flas për dënim, pse të dënohen njerëzit që kanë luftuar për lirinë e kombit të vet. Drejtësia të vendosë drejt dhe sa më shpejt të shpallen të pafajshëm”,- tha Ahmeti.

“Këtu tani jemi në sheshin “Skënderbej”. Unë kam edhe emocione, kam edhe nostalgji, sepse në këtë shesh janë frymëzuar heronjtë më të mëdhenj të Kosovës, Adem Jashari…:,- shtoi ai.

Ai mohoi kategorikisht që kjo protestë të ketë prapavijë politike apo partiake.

“Nuk ka të bëjë as me politizim, as me partizim”,- tha Ahmeti.

Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.