PRISHTINË, 24 Janar/ATSH/.- Prishtina i është rikthyer normalitetit, pas protestës së sotme, ku disa protestues goditën me gurë ndërtesën e qeverisë dhe disa objekte të tjera private.
KosovaPress raporton se aktualisht në sheshin kryesor dhe rrugët e kryeqytetit kosovar gjithçka është kthyer në normalitet, përveç pjesës së lokalit të dëmtuar, ku policia ka rrethuar vendin.
Ndërkohë, sheshi është i mbushur me gurë dhe objekte të tjera që janë përdorur nga protestuesit.Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Kosovës ka thënë se pas veprimeve të dhunshme të protestuesve, njësitet policore janë detyruar të ndërhyjnë për të larguar protestuesit të cilët kanë vazhduar të thyejnë lokale dhe biznese, Policia bën të ditur se deri tani ka ndaluar tre protestues të dhunshëm.
Policia e Kosovës i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës, se do të vazhdojë t'i përmbushë objektivat e saj ligjore, duke ju ofruar siguri të gjithë qytetarëve, pronave të tyre private dhe atyre publike.
Sipas Policisë, në protestë kanë marrë pjesë rreth 7 mijë protestues.
/m.m/