Protesta që tronditi qeverinë, por që nuk e preku sistemin arsimor

Protesta që tronditi qeverinë, por që nuk e preku sistemin arsimor

Dhjetori ka hyrë në memorien kolektive shqiptare si muaji i protestave të studentëve. Vitit 1990 iu shtua edhe viti 2018. Në vitin 1990 studentët shqiptarë ose bijtë e elitave komuniste,  u ngritën për të përmbysur sistemin politik të etërve të tyre duke ripohuar me këtë rast se përmbysjet e mëdha në një shoqëri vijnë edhe nga zhvillimi i brendshëm dhe se vetë sistemi krijon premisat që të bjerë nga ata që e ndërtojnë atë ose të asgjësohet nga ata që e kanë kundërshtuar.

Analiza që mund të bëjmë sot për rënien e demokracive popullore të Lindjes dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik, ka mbetur pas në kohë sepse, vite më vonë, bota u përfshi në një përmbysje tjetër të madhe, pikërisht atëherë kur Kullat Binjake u goditën nga terrorizmi islamik. Ndryshoi gjithçka në konfigurimin e konflikteve në botë dhe përfundimi i luftës së ftohtë mbeti si një kujtim i afërt. U tha se po niste konflikti mes qytetërimeve, por as kjo tezë nuk u vërtetua plotësisht. Një gjë ishte e sigurtë, ajo që, siç u tha në atë kohë, dhe siç po realizohet tani dhe që është : bota e pasigurtë. Pushtimi i Agfanistanit, përmbysja e regjimit diktatorial në Irak dhe eksportimi i demokracisë në një rajon të administruar nga një kulturë krejtësisht e mbyllur dhe pa asnjë lidhje me atë perëndimore e bëri botën një teatër konfliktesh.

« Pranvera arabe » që nisi në Egjipt e vazhdoi në Tunizi, demonstratat e studentëve në Iran, përmbysja e dhunshme e diktatorit libian Khedafi e shenjuan botën në një mënyrë tjetër. Ndërkaq, Kina dhe Rusia po shfaqeshin me një formë të ndryshuar. Të gjithë ishin në një mendje se këta dy vende të mëdha kryen reforma të thella në ekonominë e tregut, por mbetën të mbërthyera në sistemet e tyre politike tradicionale. Rusia ndoqi shembullin e perandorisë me një car që instalon tregun kapitalist sipas modelit oligarkik dhe Kina që vijon ekspansionin në botë duke ndërtuar brenda vendit modelin e kapitalizmit të kontrulluar njëpartiak.

Brishtësia dhe pafuqia e Perëndimit për të administruar konfliktet jashtë territorit të saj me anë të organizmave të ngritura pas Luftës së Dytë Botërore, u shfaq në Siri. Siria u bë metafora e dështimit të diplomacisë botërorë dhe ajo tregoi për fat të keq se hapja, globalizmi, nga njëra anë, dhe joshja për demokraci, nga ana tjetër, nuk mund të realizohen në ato pika të globit ku interesat e dy botëve të dikurshme, që ishin krijuar që nga koha e luftës së ftohtë, përplasen ashpër.

Në këtë kontekst plasën e dhe demonstrata e « jelekverdhëve » në Francë dhe të studentëve tanë në vitin 2018. Protestat e studentëve shqiptarë ishin në vazhdën e zhvillimeve kontrastuese edhe të vendeve të tjera të Lindjes e të Perëndimit dhe në këtë kuptim ato i jepnin Shqipërisë pamjen e një vendi normal demokratik në të cilin vend pakënaqësitë sociale çojnë edhe në manifestime të fuqishme shoqërore.

Deri tani, në gjithë këta vjet tranzicioni, vetëm studentët arritën të organizohen e të artikulojnë shqetësimet e tyre me manifestime të mëdha e të fuqishme që e detyruan qeverinë para dy vjetësh të rishikojë me kujdesin më të madh kërkesat  e studentëve dhe t’i plotësojë ato në masën më të madhe.

Kam lexuar këto kohë ndonjë shkrim për këtë manifesitim dhe mësova para pak kohësh që është bërë edhe një dokumentar për atë ngjarje.

Edhe unë vetë, duke qenë pjesë e sistemit universitar, e kam ndier si timin atë manifestim të madh e  qytetar që bënë studentët në vitin 2018. Mirëpo edhe ateherë në komentet që kam botuar edhe sot, vijoj të kem bindjen se protesta e studentëve e vitit 2018  e tronditi qeverinë dhe e detyroi atë që të plotësonte në një masë të madhe kërkesat e tyre të cilat ishin kryesisht të karakterit ekonomik dhe social. Pra, ata kërkonin kushte më të mira, tarifa më të pranueshme, një rol më dinjitoz të studentit të establishmentin universitar dhe luftë ndaj korrupsionit në universitet. Ato protesta nuk e zgjidhën dhe as nuk e prekën sistemin mbi të cilin është ndërtuar shkolla shqiptare dhe universiteti shqiptar. Do të mjaftonte skandali i « Turit » në testin e maturës shtetërore për të kuptuar se shkolla shqiptare është në një krizë të thellë.

Pas viteve ’90, ne nuk kemi arritur të ndërtojmë modelin e një shkolle shqiptare me orientim perëndimor dhe nuk kemi arritur të përzgjedhim ashtu si duhet dhe sa duhet dijen që u japim fëmijëve dhe të rinjve tanë. Ne e kemi lënë shkollën në dorë të disa aparatçikëve mediokër që bëjnë eksperimenete me kurikula e me programme që synojnë vetëm të ndërtojnë një burokraci të llahtarshme me terminologji vulgare siç është ajo e « kopetencave » dhe askush nuk është shqetësuar të shohë përmbajtjen e dijes që ne shtiem në shkollat tona. Ai që sheh tekstet dhe programet e të gjitha niveleve të shkollës shqiptare do të vërejë se aty është ngulur një mishmash njohurish që nuk reflekton as nivelin e dijeve të kohës që jetojmë, as nivelin e informacionit që marrin sivëllezërit e fëmijëve tanë në Ballkan e në Europë.

Prej kohësh mungon një trupë akademikësh e njerëzish të kualifikuar që do të llogarisnin sistemin e dijeve dhe sasinë e tyre në të gjitha ciklet e studimit parauniversitar, që do të hartonin dhe do të ndërtonin përmbajtjen e shkollës shqiptare në të gjitha nivelet. Kur fëmijët shkojnë në shkollë të mesme, mësuesit vënë duart në kokë për nivelin thellësisht të ulët të formimit, kur ata shkojnë në universitet të gjithë ne jemi dëshimtarë të mangësive të thella që ata kanë. Kur ata dalin në jetë, të gjithë vënë duart në kokë se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë asnjë aftësi për t’u përshtatur me ekonominë dhe me shoqërinë ku jetojmë.

Ky handikap i shkollës shqiptare nuk është vënë në programin e asnjë force politike dhe askush nuk e ka në vëmendje. Ndaj edhe protestat e studentëve si ajo e vitit 1990 dhe ajo e vitit 2018 nuk arritën të shkallmojnë sistemin e prapambetur arsimor. E para, ajo e vitit 1990 përgatiti përmbysjen politike, e dyta, kjo e fundit e vitit 2018, vetëm sa na kujtoi që manifestimet e mëdha mund ta trondisin qeverinë, por sistemi arsimor do kohë të ndryshojë. Sistemi arsimor, shkolla kombëtare është investimi më i madh i një shoqërie. Platoni në « Republikën » e tij të famshme, kur fliste për qytetin ideal shqetësimin e parë kishte edukimin e fëmijëve. Ndërsa në Shqipëri, për fat të keq, edukimi i fëmijëve dhe shkolla shqiptare pas rënies së diktaturës komuniste, janë lënë në duar njerëzish pa asnjë formim të qenësishëm.

Diktatura komuniste të cilën e shajmë nga mëngjesi në darkë e kishte obsesion edukimin dhe shkollën. Ajo ndërtoi një sistem të ideologjizuar arsimor, por të mosa harrojmë se e kishte prioritet si edukimin ashtu edhe shëndetësinë. Pas rënies së diktaturës ne kaluam në kahun e kundërt dhe duke e konceptuar jetën thjesht si mundësi për të fituar me çdo kusht, shkallmuam themelet e dijes, ato themele që të mësojnë ta shohësh jetën me idealizëm dhe jo domosdo si mundësia për të fituar e zhvatur me çdo çmim.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 07/12/2020 19:09

    te fala Lindites, Beses dhe Evisit. natyrisht edhe kryepiktorit qe i paguan ...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë