
Edhe pse nuk mori pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK, kreu i PD Sali Berisha, ka bërë një reagim pas përfundimit të protestës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha thekson se lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë është faqja më e ndritur e historisë së shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, duke kujtuar se pa sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të saj.
Ai thekson se në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk është paraqitur asnjë provë apo fakt që të mbështesë akuzat ndaj tyre, ndërsa akuzat si ajo për "shkuljen e organeve" janë rrëzuar plotësisht.
Sipas Berishës, procesi ka dëshmuar se akuzat janë të bazuara në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiq të tjerë të kombit shqiptar, që kërkojnë të barazojnë agresorin me çlirimtarin.
'Partia Demokratike përsëri deklaron se: 1. Lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga luftërat e Skënderbeut. 2. Pa sakrificën, gjakun, trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë të UÇK-së, Kosova nuk do të ishte kurrë një vend i lirë dhe i pavarur.
3. Lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës është lufta e fundit çlirimtare në Europë që i dha fund pushtimit të gjatë serb të Kosovës, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aleate besnike e Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Kosovës gjatë fushatës së bombardimeve ajrore kundër regjimit të Millosheviçit nga Aleanca, në pranverën e vitit 1999.
Partia Demokratike e Shqipërisë është forca politike që mbështet zbatimin e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo parti ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë dhe ka ndjekur e ndjek me vëmendjen më të madhe punimet e kësaj gjykate në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Republikës së Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, etj. Partia Demokratike konstaton se në këtë proces të zgjatur, disa herë para publikut nuk është paraqitur asnjë fakt apo provë për asnjërën prej akuzave të paraqitura ndaj tyre. E kundërta, janë rrëzuar akuzat monstruoze si ajo e “shkuljes së organeve” dhe tregtimit të tyre nga luftëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Nuk është publikuar asnjë fakt apo provë që të provojë urdhra direkt të ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime konkrete. Ky proces dëshmoi përfundimisht se ai është i bazuar në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiq të tjerë të kombit shqiptar që kërkojnë të barazojnë agresorin, pushtuesin me çlirimtarin. Për të gjitha këto, Partia Demokratike i bën thirrje trupit gjykues të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë të shpallë sa më parë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Kosovës, në respekt të plotë të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Së fundmi, Partia Demokratike përshëndet protestën paqësore të bashkëluftëtarëve të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës, sikundër dënon çdo përpjekje për manipulim të saj nga albanofobë shqipfolës, armiq të damkosur të Kosovës.
Lajmi kryesor:
Mijëra shqiptarë kërkojnë drejtësi nga Tirana për ish-krerët e UÇK, Rama: Zemra mal! Begaj: Asgjë s’mund ta zhbëjë këtë trashëgimi sakrifice e heroizmi











