Dy ditë para protestës së opozitës në datë 16 shkurt ka reaguar ambasada e SHBA në Tiranë. Selia diplomatike kërkon nga liderët e opozitës shqiptare që të refuzojnë dhunën dhe tubimi të zhvillohet në mënyrë konstruktive. Për SHBA-të, dhuna është e papranueshme.
"E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme.
Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive" thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.
Gjithashtu, ambasada e SHBA-ve në Tiranë paralajmëron qytetarët e saj të kenë kujdes gjatë protestës së opozitës dhe të shmangin zonat; Qytet Studenti, Stadiumi Selman Stermasi dhe Zogu i Zi, ku pritet që të grumbullohen protestuesit dhe bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' ku do të zhvillohet tubimi.
Edhe Bashkimi Europian përmes ambasadorit, Luigi Soreca në Tiranë apeloi për një manifestim paqësor, pa dhunë (lexo ketu). Ndërkohë që Policia e Shtetit pak ditë më parë shprehu shqetësimin se në protestë mund të përfshihen individë me precedent penal që kanë për qëllim destabilizimin e vendit.
Komente






