Protesta të dhunshme në
Mitrovicë, dhjetëra të plagosu

Protesta të dhunshme në<br />Mitrovicë, dhjetëra të plagosu
MITROVICE- Protesta e paralajmëruar nga qytetarët e Mitrovicës mbi urën Ibër, ka nisur fillimisht në mënyrë paqësore me pankarta që shkruanin “S’duam park. Duam urë”, por situata s’ka vonuar dhe është tensionuar deri në përleshje mes policisë dhe protestuesve.
 
Pranë urës kanë ndodhur dy shpërthime të njëpasnjëshme të makinës së djegur të policisë nga protestuesit dhe në zonë kanë mbërritur ambulanca për të transportuar të plagosurit, të cilët ishin nga të dy palët. Si pasojë e përplasjeve mes policisë e protestuesve kanë mbetur të plagosur 13 efektivë të policisë, 10 protestues, dhe 2 reporterë.

 Përveç makinës së policisë, protestuesit kanë djegur dhe një makinë të EULEX-it, si dhe dy automjete të tjera. Ndërsa lidhur me ngjarjen, janë shoqëruar dhjetëra persona.
 
Sulmi i protestuesve ka marrë fund pas tre orëve luftime me gurë, plumba gome dhe gaz lot sjellës mes protestuesve dhe policisë.
 
Policia ka marrë urdhër për largimin e qytetarëve, pas paralajmërimeve kërcënuese të disa politikanëve për zhvillimet që do të ndodhin sot në Mitrovicë. Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in, EULEX-in, karabinierët Italianë dhe forcat speciale kanë marrë masa për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, pasi banorët kanë kundërshtuar të largohen nga barrikada e policisë.
 
Situata është përkeqësuar me sulme të qytetarëve ndaj një makine policie ku ka mbetur i plagosur një prej punonjësve të forcave të rendit, ashtu si dhe një fotoreporter.
 
Kjo situatë ka detyruar policinë të përdorë gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, e cila pas shumë rezistence dhe tentativash për të thyer barrikadën e policisë është kthyer mbrapsht dhe është shpërndarë pa dëmtime të mëtejshme.

mitrovice
mitrovice
(Në foto: Situata e tensionuar në Mitrovicë) Foto të tjera

Jahjaga: Qytetarët të tregojnë maturi, BE të angazhohet për zgjidhje për largimin e barrikadës
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke ndjekur me shqetësim zhvillimet në qytetin e Mitrovicës dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të ndihmojnë organet e rendit që të kryejnë punën e tyre.

Sipas "RTK", Presidentja Jahjaga thekson se  çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes përdorimit të dhunës do të përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë çdo proces të vendosjes së normalitetit në qytetin e Mitrovicës, dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga thekson se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e mishëruar edhe në Kushtetutën e vendit dhe është parim thelbësor i demokracisë prandaj edhe çdo pengesë e vendosur në cilëndo pjesë të territorit të vendit pengon përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe dëmton proceset që çojnë drejt integrimit të secilit qytetar të vendit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga në takimet e fundit me përfaqësues të mekanizmave të sigurisë, ndërkombëtarë dhe vendorë, ka theksuar se rivendosja e barrikadës në urën e lumit Ibër, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon i stabilitetit dhe paqes në vend.

Presidentja i bën thirrje Bashkimit Evropian që përmes angazhimit konkrete të gjejë zgjidhje për largimin e barrikadës në urën e lumit Ibër, që ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë por në gjithë Kosovën dhe me të cilën dëmtohen proceset e zhvilluara në Bruksel dhe marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.  

Presidentja Jahjaga kërkon nga qytetarët e Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e saj ndërkohë që nga organet e rendit kërkon rivendosjen e qetësisë në qytetin e Mitrovicës.

KFOR vlerëson punën e policisë, qytetarëve u kërkohet të ruajnë qetësinë
Gjithashtu një tjetër reagim ka ardhur dhe nga KFOR-i të cilët nëpërmjet një komunikate për shtyp kanë vlerësuar punën e Policisë së Kosovës në protestën e ditës së sotme, e cila sipas tyre ka qenë një protestë e madhe dhe policia ka arritur ta ndalojë me profesionalizëm dhe efektivitet të lartë.
 
Në komunikatën e tij udhëheqësi i KFOR-it, gjeneralit Farina, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe autoriteteve të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë më dialogun për të zgjidhur më tej këtë situatë.
 
Sipas tij përpjekja kryesore nga forcat ndërkombëtare të pranishme ishte për të evituar përleshjet ndër etnike dhe përkeqësimin e sulmit.

Shpërthimet në Mitrovicë, reagon politika
Ndërkohë që pas sulmit të tensionuar në Mitrovicë, mbi urën e Ibrës, ka ardhur i menjëhershëm dhe reagimi i qeverisë nga Prishtina e cila fton protestuestit të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë. Qeveria e Kosovës nëpërmjet reagimit të saj zyrtar ka siguruar qytetarët se barrikadat mbi lumin Ibër do të hiqen shumë shpejt dhe se lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit.

Gjithashtu, Qeveria ka garantuar angazhimin e lartë të organeve të rendit, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it që të sigurojnë rendin dhe qetësinë për të gjithë Mitrovicën.

Nuk ka vonuar as reagimi i Vetëvendosjes, të cilët kanë deklaruar se nuk e mbështesin këtë protestë dhe mendojnë se pas saj fshihet Hashim Thaçi. Në deklaratën e Fisnik Ismailit, në rrjetin social "Facebook", shkruhet se "Vetëvendosje e dënon këtë protestë dhe se Hashim Thaçi kërkon ta marrë pushtetin duke bërë trazira", pasi sipas tij kërkon t’u tregojë ndërkombëtarëve se është i vetmi që mund t'i ndalë ato dhe të ruajë stabilitetin në Kosovë.

Ai hedh dyshime mbi momentin e realizimit të kësaj proteste, kur Kosova nuk ka një qeveri zyrtare, si dhe të personave pjesmarrës në të, të cilët janë përleshur me policinë pa arsye duke tensionuar situatën në Mitrovicë dhe gjithë vendin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Barcelona arrin marrëveshjen me Olmon, i bën ofertën e tretë Leipzigut

Barcelona arrin marrëveshjen me Olmon, i bën ofertën e tretë Leipzigut