Dy ditë përpara protestës së lajmëruar nga PD për bllokim rrugësh në të gjithë vendin, selia rozë dhe ajo blu janë përplasur në distancë me akuza dhe kundërakuza.
 
Partia Socialiste e Shqipërisë dënon thirrjet e Partisë Demokratike për dhunë dhe deklaron se nuk do të lejojë që opozita të marrë peng të ardhmen e shqiptarëve.
 
PS në deklaratën e shpërndarë për mediat thekson se kërcënimet e Bashës për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që na çon pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n.
 
E ndërsa e akuzon për bllokimin e reformës në drejtësi, PS thotë se çadra e Bashës rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë edhe nga rruga drejt BE-së.
 
Ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike, që deklaron se nuk do të përfshihemi në dhunë.
 
PD thekson se Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile.
 
Deklaratat nga PS dhe vetë Rama për një rikthim në 1997, PD u përgjigjet duke deklaruar se "Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit".
 
PD ditën e hënë nga ora 10:00 deri në 11:00 ka paralajmëruar se do të mbajë një protestë kombëtare, ndërsa në plan ka bllokimin e rrugëve.

Deklarata e plotë e Partisë Socialiste
Është koha që Basha të mësojë se: Ai që bënte thirrje vetëm pak ditë më parë për të thyer dritaret e për të shpuar gomat, nuk mund të pretendojë krejt papritur e pakujtuar se është thjesht një qingj i pafajshëm.
 
Çadra e Bashës e ka vonuar mjaft tashmë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga drejt BE-së.
 
Kërcënimet e tij për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që na çon pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n.
 
Ne nuk do ta lejojmë PD-në t’ju marrë peng të ardhmen shqiptarëve. Në 18 Qershor, qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin për zgjedhjen e tyre.


Deklarata e Partisë Demokratike
Partia Demokratike dhe opozita kanë 64 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria.
 
Të gjitha veprimet e saj kanë qënë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike.
 
Partia Demokratike nuk ka​ nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë.
 
Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë.
 
Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile.
 
Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit.
 
Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës qe po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar.
 
Protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
 

dy.b/shqiptarja.com