Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar duke shprehur shqetësim për sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë zhvillimeve të kësaj të enjteje në dhe pranë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas AGSH-së, që në orët e para të mëngjesit policia bllokoi hyrjen normale të gazetarëve në Kuvend, ndonëse punonjësit e medias i nënshtrohen vetëm Rregullores së Masmedias të miratuar nga Kuvendi.

Organizata kërkoi gjithashtu sqarimin e plotë të rrethanave të shoqërimit në polici të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, duke theksuar se shoqërimi i gazetarëve pa një shkak të ligjshëm përbën një vijë të kuqe që nuk duhet të kalohet. Ndërkohë, gazetarja është liruar tashmë nga ambientet e policisë.

Reagimi i plotë: 

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh edhe një herë shqetësimin e tij të thellë për sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë ditës së sotme, në dhe përpara ambienteve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Që në orët e para të mëngjesit, Policia e Shtetit kishte bllokuar hyrjen normale të gazetarëve në ambientet e Kuvendit. Duhet rikujtuar se gazetarët dhe punonjësit e medias i nënshtrohen vetëm Rregullores së Masmedias të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe se pengimi i ushtrimit të detyrës së tyre nga Policia e Shtetit është i papranueshëm.

Së dyti, Policia e Shtetit nuk bëri asnjë komunikim paraprak mbi masat dhe perimetrin e sigurisë jashtë Kuvendit, në mënyrë që gazetarët dhe punonjësit e medias të ishin në dijeni dhe të mund të organizonin punën e tyre.

Kjo është hera e disatë që Policia e Shtetit pengon pa shkak gazetarët të raportojnë lirshëm në hapësirat ku zhvillohen protesta. Një sjellje e tillë është tërësisht e papranueshme dhe cenon ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit.

AGSH kërkon gjithashtu, në mënyrë urgjente, sqarimin e plotë të rrethanave të shoqërimit në polici të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca. Shoqërimi i gazetarëve në polici pa një shkak të ligjshëm përbën një vijë të kuqe që nuk duhet të kalohet në asnjë rrethanë.

Po ashtu, shprehim shqetësimin tonë për përdorimin e ujit me presion dhe gazit lotsjellës në drejtim të gazetarëve, të cilët ndodheshin në terren duke ushtruar detyrën e tyre për të informuar publikun. Autoritetet kanë detyrimin të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe jo t’i ekspozojnë ata ndaj rreziqeve gjatë ushtrimit të profesionit.


Lajmi kryesor:

Protesta te Kuvendi/ Vezë, domate e sende të forta ndaj policëve, lëndohen 6 prej tyre! Policia hedh ujë e spray piper! Shkon në 23 numri i protestuesve të shoqëruar, 11 në spital (VIDEO+FOTO)