Kryedemokrati Sali Berisha ka pretenduar se komisariatet e Policisë po ushtrojnë dhunë në mënyrë anti-kushtetuese ndaj qytetarëve në qytete të ndryshme të vendit, me qëllim që t’i pengojnë ata të marrin pjesë në protesta.
Në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, Berisha tha se drejtuesit dhe efektivët e Policisë shpresojnë që përmes frikës do të mund të shpëtojnë kryeministrin Edi Rama, të cilin e quajti ‘Vuçiçi shqiptar’.
Shefi i selisë blu ‘vuri bast’ se kryeministri Rama do të ketë fatin e Aleksandër Vuçiç, i cili humbi zgjedhjet në Serbi, ose të ish-diktatorit rumun Çaushesku, i cili u pushkatua nga protestuesit.
“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet në shkelje të gjitha ligjeve po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore. Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar. Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, tha mes të tjerash Berisha.
Më tej Berisha bëri thirrje për protestë kombëtare nga PD të shtunën, në mbështetje të protestave të dhunshme që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Pavarësisht dështimit të protestës së PD-së të shtunën e kaluar, për Berishën, forca politike që drejton duhet të mbështesë fuqishëm protestat e dhunshme në Tiranë.
“Partia Demokratike thërret protestë kombëtare të shtunën në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, shtoi Berisha.
Për pjesëmarrjen e kufizuar në komisione të deputetëve të PD-së, Berisha tha se është vendim i Grupit Parlamentar të kësaj force politike, që përfaqësuesit e tyre të paraqiten në komisione vetëm kur të bëjnë “deklarata për të dënuar dhunën e egër ndaj studentëve dhe mbështetjen për revoltën e tyre.”
“Ky është një vendim i grupit parlamentar, që përfaqësuesit tanë në komisione të paraqiten ku të bëjnë deklarata për të dënuar dhunën e egër ndaj studentëve dhe mbështetjen për revoltën e tyre. Çdo vendim tjetër do t'ju komunikohet më vonë”, përfundoi Berisha.










Komente
Komento