Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzon kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për përshkallëzimin e protestave, duke pretenduar se ai nuk dëgjoi kërkesat e protestuesve gjatë pesë muajve të tubimeve paqësore. Duke komentuar deklaratat e Ramës se nuk negocion me dhunuesit, Berisha tha se dorëheqja e kryeministrit është kusht për rikthimin e stabilitetit. Sipas tij, Rama kërkon me çdo kusht të shkojë drejt një konflikti të gjerë.
“Rama deklaron se nuk nënshtrohet përballë protestave të dhunshme. Çfarë bëri ai me protestën paqësore pesëmujore? Nëse protesta ka marrë këto përmasa dhe këto nuanca, ai është autori kryesor. U përpoq edhe kësaj radhe të gjente strehë aty ku horrat kombëtarë dhe ndërkombëtarë strehohen. U përpoq të bindë se qenka Rusia dhe Irani prapa gjimnazistëve dhe studentëve shqiptarë.
Si kriminel, lau duart nga çdo përgjegjësi dhe u bëri thirrje forcave të rendit të shndërrohen në mburojë të tij. Por unë jam këtu për t'u bërë thirrje punonjësve të Policisë shqiptare: Mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuajse gjysmën e shqiptarëve me varfërinë që ka krijuar. Largimi i menjëhershëm i Ramës nuk krijon asnjë vakum. Është kushti i të gjitha kushteve që të rivendoset stabiliteti në Shqipëri. Është kushti i të gjitha kushteve që të vijohet me përkushtim përmbushja e kritereve dhe standardeve të BE-së në procesin e integrimit. Largimi i këtij horri ndërkombëtar është kushti i të gjitha kushteve që të funksionojë shteti ligjor. Rama kërkon me çdo kusht të shkojë drejt një konflikti të gjerë. Është moment historik për çdo shqiptar", tha Berisha.
Lajmi kryesor:
‘Ëndërron 21 janarin’, Berisha i përgjigjet Ramës: Zjarrvënësi më i madh i kombit je ti, mbështesim revoltën (VIDEO)










