Protestat e ardhshme të PD-së, si ëndrrat tona kibernetike

Protestat e ardhshme të PD-së, si ëndrrat tona kibernetike

Sali Berisha

Në orët e fundit po flitet më në fund realisht për protestat e PD-së dhe mënyrën e organizimit të tyre. Sekretari i PD-së Flamur Noka ka iniciuar nisjen e protestave. Ka një protestë në 10.30 “tek Parlamenti, për fjalën e lirë, për parlamentarizmin, kundër Lindës së Parlamentit që është kukull me telekomandë. Diversifikimi është do ta nisim aty, do të bëjmë protesta të tjera, drejt mosbindjes civile. Çdo aktivitet ditor do ta ketë mbylljen te Parlamenti i Shpresës. Ne do të zbatojmë çdo lloj pike të protokollit të mosbindjes civile”.

Parlamenti i Shpresës identifikohet poshtë-shtëpia e Berishës. Më në fund, Partia Demokratike (Rithemelimi) po mundohet të tregojë në bazë atë që e thotë prej muajsh, më saktësisht që në verën e shkuar. Prej atëherë, kanë rrjedhë shumë ujëra, kurse kryetari i tyre Sali Berisha ka marrë masën e arrestit në shtëpi në pritje tashmë të hetimeve të mëtejshme të SPAK-ut, por protestat s’kanë ndezur dot.

A janë të domosdoshme sot protestat? A janë bërë protesta? Po janë bërë disa nga Shoqëria Civile por njerëzit i ka lodhur shurdhëria dhe mbi të gjitha cinizmi i politikës së dy krahëve. Me këtë nivel korrupsioni dhe lajmesh SPAK-u, që nuk të lënë të marrësh frymë, pyetja ka qenë pse nuk bëjnë më përshtypje lajmet? Janë provuar disa nga opozita, që kanë treguar një mbështetje shumë të vakët dhe në momentet kur pritej, që figura ‘e anatemuar’ e Berishës të ndihte, por jo vetëm nuk ka ndodhur, por pjesëmarrja e ulët e njerëzve ka qenë karburanti kryesor i sulmeve që i janë bërë PD-së (Rithemelimit), qoftë nga PS-ja por edhe nga PD-ja (Legale).

Por, a janë të bindur tashmë se kjo është rruga e duhur? Pas mbylljes së Berishës, njerëzve të sotëm të PD-së së Rithemelimit dhe ata që janë bashkuar nga Basha janë në një përpjekje të pareshtur për të treguar tharmin e tyre. Një pjesë e bën duke e anatemuar sistematikisht Bashën, një pjesë duke e tallur atë, kurse në parlament, përpjekja është se cili të bëjë më shumë zhurmë, që të identifikohet si pjesë aktive e PD-së. Këtu mund të gjendet edhe përgjigjja pse njerëzit qëndrojnë larg. Shqiptarët duan ide dhe opozitë ose më shumë se kaq: artikulime në parlament, të kuptojnë se çfarë po ndodh. Kjo mungon prej javësh të tëra.

Në këtë hulli, në kampin tjetër, punët shkojnë të patrazuara. Ligjet kalojnë, buxheti kaloi, komisionet zhvillojnë punimet online dhe koha po ‘kursehet’ në kuptimin më të plotë të fjalës. Ndërkohë, maxhoranca ka pasur mundësi të përjetojë përmirësimin minimal në vitin 2023 të luftës ndaj korrupsionit, prej punës së SPAK-ut dhe premtimeve të një projekti me inteligjencën Artificiale të Chat GPT, të novacioneve, kthimit të Tiranës, në një qendër të vërtetë inovacionesh etj. Premtime, që i kanë nxjerrë bosh. Për të dytin vit me radhë, Shqipëria hakerrohet deri te faqja online e INSTAT prej “Homeland Justice”. Javë më parë na janë hakerruar të dhëna të tjera të ndjeshme, gjë që e bëjnë Shqipërinë Dixhitale, ende një hapësirë propagande për Ekzekutivin e Tretë Rama.

Ndërkohë që maxhoranca ka gjetur një justifikim të radhës dhe të dhënat e Census-it po vonohen, opozita vazhdon të testojë shqiptarët se deri ku mund të shkohet prej drejtimit të miopisë së tyre. Kuptohet, duke e projektuar fajin tek njerëzit pse janë kaq “apatikë”, pa treguar asnjëherë fajin e tyre që e mbajnë partinë kaq të ndarë, apo si ndodh për qeverisjen Rama, që fajin për hakërrimet dhe jo vetëm i projekton gjithnjë jashtë Ekzekutivit. Pak si cinike, për të mos thënë qesharake, por kjo i shkon pikërisht asaj që thoshte dikur Charles de Gaulle:” Kam arritur në një përfundim se politika është një çështje shumë serioze për t’ua lënë politikanëve”. (Javanews)

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin