Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka folur sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme edhe për protestat e dhunshme të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë.

Demo tha se gjatë protestave, dhuna ka qenë me doza shumë të larta, duke rrezikuar edhe dëme të shumta te efektivët e Policisë.

Ai shtoi se Policia përdor pajisje e metoda siç e parashikon ligji, teksa shtoi se uniformat blu janë aty për të mbrojtur të drejtën Kushtetuese dhe për të garantuar sigurinë.

Lidhur me rastet e përdorimit të tepruar të forcës nga ana e Policisë, Demo tha se 9 efektivë janë pezulluar gjatë protestave, ndërsa 50 raste janë nën hetim në AMP.

“Policia përdor pajisje e metoda siç parashikohet në ligj. Kur flasim për dhunën, dhuna duhet dënuar. Policia është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar sigurinë, por është e padrejtë që të mbrojmë edhe dhunën që është me doza shumë të larta, që mund të japin dëmtime të rënda te efektivët. Kemi 9 efektivë të pezulluar, për veprime individuale që kanë bërë, 50 raste janë nën hetim nga AMP, policia është duke bashkëpunuar me prokurorinë për rastet e referuara. Jemi të hapur ndaj çdo hetimi, jemi të vendosur që t'i shkojmë në fund çdo rasti dhune ndaj policëve dhe institucioneve”, tha mes të tjerash Demo.


Lajmi kryesor:

Protestat/ Demo: Protestuesit dhunë me doza të larta, pezulluam 9 policë, 50 po i heton AMP! PD dhe PL bojkot në komision, përballë ministrit vetëm Kapri (VIDEO)