Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, është e bindur se “entitete të jashtme” kanë nxitur përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave që përfshinë qendrën e Milanos fundjavën e kaluar, megjithëse dëshiron të presë prova konkrete përpara se ta deklarojë publikisht këtë.
Nga analizat e para të ngjarjeve, të kryera nga shërbimet inteligjente dhe të njohura si nga qeveria, ashtu edhe nga përfaqësues të Komitetit Parlamentar për Sigurinë e Republikës, po dalin në pah shenja të përforcimit të mobilizimit të protestuesve. E thënë më thjesht, dyshohet se përmes shpërndarjes së përsëritur të thirrjeve në rrjetet sociale është synuar të tërhiqen më shumë njerëz në shesh dhe të nxitet protesta.
Një nga elementet që ushqen dyshimet për përfshirjen e “entiteteve të jashtme” në dhunë është fakti se burimet e këtyre thirrjeve janë të mbrojtura mirë dhe vështirë të identifikueshme, siç shprehet një përfaqësues i qeverisë.
Ndërsa ekspertët po përpiqen të kapërcejnë pengesat teknike për të identifikuar autorët e thirrjeve, po merr formë hipoteza e një akti të luftës hibride. Pikërisht këtë tezë e hodhi dje ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, sipas të cilit veprimi armiqësor ndaj Italisë është kryer përmes mjeteve jokonvencionale, si TikTok, apo platforma të tjera në rrjetet sociale.
Megjithatë, burime të besueshme pranë Kryeministrisë, të përfshira në shqyrtimin e çështjes, bëjnë thirrje që të shmangen përfundimet e nxituara në media, pasi aktualisht “nuk mund të thuhet se rusët kanë dërguar adoleshentë për të thyer vitrinat e dyqaneve në Milano”.
Ky qëndrim ndryshon nga deklarata e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini, i cili ka pohuar se “nuk ka asnjë organizim rus” pas ngjarjeve.
Megjithatë, duhet pritur, pavarësisht kënaqësisë së dukshme me të cilën Moska komentoi “kaosin” që përfshiu Italinë, por edhe Francën dhe Spanjën. Pikërisht kjo “rastësi e pazakontë” e shtyu ministrin e Brendshëm të lidhë trazirat në këto tri shtete të Bashkimit Evropian. Gjatë takimit të zhvilluar dy ditë më parë, Matteo Piantedosi vuri në dukje se “këto janë vende ku, rastësisht, vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhje”. Kjo ngre shqetësime në të gjithë komunitetin evropian për përpjekjet e fuqive armiqësore për të destabilizuar kontinentin e vjetër. Në krye të këtyre dyshimeve qëndron Rusia, e cila javën e kaluar sulmoi publikisht dhe ashpër Giorgia Melonin, pas fjalimit të saj në Parlament në mbrojtje të Ukrainës.
Sipas burimeve, gjatë samitit për rendin publik, kryeministrja Meloni ka ndërhyrë ndërsa po rindërtoheshin rrethanat e akteve të vandalizmit, mënyra se si u kryen dhe pasojat që shkaktuan. Meloni i kërkoi shërbimeve inteligjente përgjigje të shpejta dhe të sigurta lidhur me dyshimet për luftë hibride, duke kritikuar ashpër “nxitësit e këqij” dhe disa forma solidariteti me protestuesit, të cilat, sipas saj, duket se e vendosin në plan të dytë mbrojtjen e institucioneve.
Dje, ajo shprehu gjithashtu indinjatën për titullin e gazetës Il Manifesto, “Shkoni dhe kapini”, të vendosur poshtë një fotografie ku forcat e rendit ndiqnin një të ri në rrugët e Milanos, duke e interpretuar këtë si një sfidë ndaj shtetit. Ndërkohë, disa analiza mediatike dukeshin sikur po i paraqisnin vandalët si ekspertë të ekonomisë dhe financave globale. “Se ata të rinj nuk kishin dalë në rrugë për shkak të rritjes së kostos së jetesës, këtë e ka thënë edhe dikush që i ka parë nga afër veprimet e tyre”, ishte komenti i saj.
Detaje të mëtejshme mbi punën e shërbimeve sekrete do t’i paraqiten nesër nga qeveria Komitetit Parlamentar për Sigurinë e Republikës (Copasir), i cili është thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme.
Nëse bëhet fjalë për një akt të luftës hibride, kjo do të kuptohet në ditët në vijim. Megjithatë, sipas anëtarëve të qeverisë, fundjava e trazuar në Milano nxori në pah “një lloj të ri dhune që duhet studiuar”. Ata i referohen numrit të protestuesve që shfaqeshin papritur, duke e shtuar masën e turmës si një lumë nëntokësor, mënyrave të veprimit që ndryshonin dukshëm nga ato tradicionale të lëvizjeve anarkiste apo të së djathtës, si dhe synimeve të akteve të vandalizmit, të cilat kishin për qëllim grabitjen.
“Problemi nuk lidhej me numrin e efektivëve të angazhuar”, deklaroi Piantedosi gjatë takimit në Kryeministri, pas kritikave të kryetarit të Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala. Ky i fundit e kishte telefonuar ministrin pak më vonë, në përpjekje për të shpjeguar më mirë kuptimin e fjalëve të tij.
Megjithatë, përparësitë e qeverisë janë të tjera: Meloni kërkon të kuptojë se çfarë fshihet pas indicieve të dala nga trazirat, të cilat kanë nxitur dyshimet e saj për përfshirjen e mundshme të një “entiteti të jashtëm”./ Corriere della Sera
-
Me telefon ne dor qe ne moshen 5 vjeç, femit kan nje realitet tjeter ne mendje
Përgjigju









Komente
Komento