Selitë diplomatike në Tiranë shprehin shqetësimin mbi situatën e përshkallëzimit të dhunës në protestat që po zhvillohen në kryeqytet.
Në një reagim për Report Tv, Delegacioni i Bashkimit Europian thekson se “liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”.
“Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thotë delegacioni i BE, i cili bëri thirrje për ulje tensionesh.
Mesazhi u shpërnda edhe nga ambasada Gjermane në Tiranë, ndërsa reagim pati edhe nga ambasada britanike. Ambasada Britanike në Tiranë theksoi se e drejta për protestë paqësore dhe liria e shprehjes janë të mbrojtura nga Kushtetuta, por nënvizoi se protesta nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Njëkohësisht, ambasada theksoi se protesta nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në uljen e tensioneve.
" Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara." thuhet në reagimin e dhënë për Report TV.
Për të dytën ditë reagoi edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila paralajmëron shtetasit amerikanë të shmangin demonstratat dhe të tregohen vigjilentë, pasi protesta, sipas saj, po shndërrohet në akte dhune.

Ambasada amerikane në Tiranë ka lëshuar një alarm sigurie për protestën e dhunshme në kryeqytet, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet edhe pranë institucioneve qeveritare. Përfaqësia diplomatike u ka kërkuar punonjësve të saj të shmangin protestat, ndërsa ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun e përplasjeve dhe bllokimit të rrugëve.
“ Një protestë në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është aktualisht në zhvillim dhe është kthyer në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të përhapet në blloqet përreth dhe pranë ndërtesave qeveritare, duke sjellë potencialisht shtim të pranisë policore, ndërprerje të trafikut, devijime dhe bllokime rrugësh. Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat.
Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendore të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.
Masat që duhet të merrni:
Shmangni demonstratat.
Jini të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike.
Ndiqni mediat lokale.
Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji largimi.
Shmangni tërheqjen e vëmendjes."

Ambasada Britanike në Tiranë reagoi sot për protestën në kryeqytet, duke theksuar se e drejta për tubim paqësor duhet të respektohet, por nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, ndërsa kërkoi edhe që policia të veprojë në mënyrë proporcionale dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.
"Ambasada Britanike në Tiranë nënvizon rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Sikundër, ajo nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia. Ambasada Britanike u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë këto të drejta dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve" thuhet në reagimin e saj në rrjete sociale.












Komente
Komento