Protestat e dhunshme dhe sulmet ndaj policisë, institucioneve dhe pronës publike e private kanë qenë në fokus të diskutimeve që ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi me homologë evropianë gjatë qëndrimit në San Patrignano të Italisë.
Demo ndodhet në Itali për Takimin Ndërkombëtar të Nivelit të Lartë për Parandalimin e Varësive dhe Rehabilitimin. Gjatë takimeve me përfaqësues nga vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë dhe Francën, ai diskutoi për masat që mund të merren për forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës.
Në një deklaratë për mediat, ministri tha se zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë nxjerrë në pah nevojën për masa konkrete, ndërsa theksoi se e drejta kushtetuese për të protestuar nuk mund të përdoret për të justifikuar sulmet ndaj policisë apo shkatërrimin e pronës.
“Sot këtu në San Patrignano, pata mundësi të takohem e të diskutoj me homologë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian, përfshirë Italinë dhe Francën. Natyrisht, një nga temat e diskutimit ishte edhe siguria publike, veçanërisht në kontekstin e protestave të dhunshme dhe sulmeve ndaj institucioneve dhe pronës publike apo private.
Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë nxjerrë në pah nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës. Italia ka ndërmarrë masa konkrete në këtë drejtim, ashtu si dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Ne po i shqyrtojmë me vëmendje këto përvoja për të forcuar instrumentat ligjorë dhe kapacitetet tona institucionale.
Dua të jem shumë i qartë për një gjë: E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe ne jemi plotësisht të vendosur ta garantojmë dhe ta mbrojmë. Por e drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë, apo për të shkatërruar pronën publike, si dhe atë private.
Ne do të garantojmë lirinë e protestës, por njëkohësisht do të marrim të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë e çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë, sepse mbrojtja e të drejtës për të protestuar dhe mbrojtja e sigurisë publike janë dy detyrime që duhet të ecin së bashku.
Prandaj, sot ne këtu diskutuam me shumë prej partnerëve tanë se kush janë hapat konkretë që mund të merren edhe në vazhdën e bashkëpunimeve institucionale për të garantuar një siguri publike më të fortë dhe më të prekshme për të gjithë qytetarët”, deklaroi Demo.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mori pjesë në Takimin Ndërkombëtar të Nivelit të Lartë për Parandalimin e Varësive dhe Rehabilitimin, të mbajtur në San Patrignano të Italisë, ku ishte e pranishme edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe ministra nga vende të tjera evropiane.
Në qendër të diskutimeve ishte lufta kundër drogës, jo vetëm përmes masave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, por edhe përmes parandalimit të varësive, mbrojtjes së të rinjve dhe rehabilitimit të personave që përballen me këtë problem.
Demo theksoi se përballja me varësitë kërkon bashkëpunim mes vendeve dhe politika afatgjata, që krahas goditjes së trafikimit dhe shpërndarjes së drogës, të synojnë edhe uljen e pasojave sociale dhe shëndetësore.
“Parandalimi, rehabilitimi dhe riintegrimi përbëjnë elemente thelbësore të një strategjie afatgjatë, me në qendër mbrojtjen e të rinjve dhe krijimin e mundësive konkrete për një jetë të shëndetshme e të sigurt”, shkroi Demo në rrjetet sociale ku postoi një foto nga shtrëngimi i duarve me kryeministren italiane.









Komente
Komento