Kryeministri Edi Rama ka folur sërish sot për protestat e dhunshme në Tiranë, ku dha detaje për mënyrën e organizimit të tyre. Rama ka publikuar edhe fotot e 45 personave me precedentë penal, të cilët sipas tij, nën 'maskën' e studentit, kanë marrë pjesë në dhunë dhe plaçkitje gjatë protestës.
Personat e bërë publik nga Rama, dyshohen për një sërë veprash penale, si vjedhje, dhunë në familje, pjesëmarrje në protesta të dhunshme, plagosje, shitje narkotikësh, abuzim seksual e deri te marrje financimesh të paligjshme nga Irani.
Kryeministri Rama 'zbërtheu' edhe skenarin që sipas tij është përdorur për përshkallëzimin e protestave të dhunshme. Sipas tij, përgatitjet kanë nisur disa muaj më parë, që me protestën e ‘Flamingove’, përmes futjes së lëndëve eksplozive dhe maskave nga jashtë.
Rama tha se grupet ANTIFA kanë tentuar të eksportojnë dhunën në Shqipëri dhe t’i imponohen popullit shqiptar përmes dhunës. Kryeministri shtoi se të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA dhe pjesëmarrësit e dhunës janë në duart e Policisë.
“Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamengove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë e të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vetë. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tashmë në duart e Policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë. Por në duart e Policisë janë edhe një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejtë nga krimi i organizuar dhe forca të huaja", tha mes të tjerash Rama.
Shefi i Qeverisë tha gjithashtu se janë hedhur para nga krimi i organizuar dhe forca të huaja për të financuar protestën, me qëllim sipas tij, që t’i impononin kryeministrit prishjen e kontratës me popullin shqiptar.
Si pjesë të grupit që organizoi dhunën, kryeministri Rama bëri përgjegjëse edhe PD-në, e cila sipas tij është 'glasa mbi tortë'. Rama tha se PD dhe Sali Berisha morën vetë përsipër dje autorsinë për fillimin e dhunës te Ministria e Arsimit.
"Por glasa mbi tortë është PD, që dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit. Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë student, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, shtoi Rama.
Kryeministri, Edi Rama, e cilësoi dhunën gjatë protestave si të pajustifikueshme, ndërsa apeloi që të distancohen prej saj
“Atyre u them të distancohen nga dhuna. Idetë janë çështje zgjedhje dhe në një vend të lirë e demokratik gjithkush mund të ketë idetë e veta. Por dhuna nuk është ide. Dhuna është krim. Dhuna është armik i demokracisë, është armik i lirisë, është armik i qetësisë, është armik i sigurisë dhe nëse Shqipëria ka shumë gjëra për të bërë ende, Shqipëria ka një domosdoshmëri absolute për të garantuar në të përditshmen e vetë sigurinë. Sigurinë e pacënueshme të rendit dhe të lirisë dhe të qetësisë së çdo individi, të kujtdoqoftë që qarkullon i lirë në rrugët e vendit dhe jo më të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të vetë.
Ka një orë për të folur për të gjitha. Ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t'ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur tek informacioni, të rrënjosur tek funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar”, tha Rama.
Në një komunikatë live Kryeministri Edi Rama ka deklaruar edhe një herë se ata që shkatuan dhunën në kryeqytet nuk janë studentë, por njerëz të paguar nga krimi i organizuar që duan t’ia ulin kokën Shqipërisë
"Po, ndaj me ju pamje që do trondisin shumë kënd, është ruajtur konfidencialiteti në respekt të ligjit, të gjithë janë persona të ndaluar dhe subjekt i ligjit, u ndaluan në protestat e dhunshme dhe nuk janë student, nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata student që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban por që qëndrojnë në një front proteste.
Përmes instagramit dhe tik tok e mbështesin se shikojnë te dhuna një mundësi për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të vendit dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarë.
Fytyra që janë paguar nga krimi organizuar dhe forca të huaja që duan të përmysin Shqipërinë. Këta nuk janë studentët e kam thënë që në krye të herës, dhe tani është koha që kjo fjali të mbështetet nga fakte e dokumenta", tha Rama.









Komente
Komento