Ervin Salianji thotë se fjalët që pas protestës fshihen duar të errëta, siç është shprehur kryeministri Rama, janë llogari e kryer gabim.

Ish-deputeti demokrat shkruan krah një fotoje ku shfaqet me protestuesit, se Rama ndodhet nën paranojë për humbjet e pushtetit dhe po tallet me të rinjtë në vend që t’i kuptojë.

Sipas Salianjit, protestuesit kërkojnë ndryshimin e klasës politike dhe fundin e “paktit Rama-Berisha” që për ta është humbje e shpresës për të ardhmen. Në fund, bën thirrje për më shumë mbështetje ndaj protestuesve.

Reagimi i plotë:

Sot Shqipëria gjendet në një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Të rinjtë shqiptarë janë të parët që e vuajnë këtë krizë dhe prandaj kanë dalë të revoltuar në rrugët e Shqipërisë, pa shpresë për të ardhmen.

Nga njëra anë, ata përballen me rritjen e kostos së jetesës, me çmime të shtrenjta dhe me pamundësinë për të përballuar kostot e arsimimit. Gjithashtu, pasiguria për të ardhmen, për të pasur një karrierë të sigurt dhe për të ndërtuar familjen e tyre në vendin e tyre, i ka bërë ata të derdhen lumë kundër padrejtësive dhe kësaj ekonomie, e cila nuk mendon për ta, por vetëm për pasurimin e pushtetit dhe të njerëzve pranë tij.

Sot në Shqipëri, një i ri e ka praktikisht të pamundur të ëndërrojë, sepse këta që qeverisin ua kanë marrë peng edhe ëndrrat. Ata nuk kanë më se çfarë të humbasin, prandaj nuk kanë frikë as nga pushteti dhe as nga policia, që përdoret si kamxhik kundër tyre.

Kush mendon se mijëra të rinj që dalin në shesh janë të përdorur nga duar të errëta, i ka bërë llogaritë gabim. Edi Rama, i mbytur nga paranoja për humbjen e pushtetit, po i akuzon, po i nëpërkëmb dhe po i tall, në vend që t’i kuptojë. Rama i sotëm si Ramizi i djeshëm!

Të rinjtë në Shqipëri sot jo vetëm që ndihen të pashpresë për të ardhmen, por edhe të papërfaqësuar dhe të përjashtuar nga vendimmarrja politike. Ata sot kërkojnë çbërjen e sistemit politik dhe ndërtimin e një klase politike që i kupton, që i përfaqëson dhe që mendon për ta.

Kanë humbur totalisht besimin te klasa politike dhe, me revoltën e tyre, po i japin fund paktit Rama–Berisha të vitit 2008. Një pakt djallëzor që ka krijuar një sistem politik të përqendruar te dy njerëz, ku asnjë institucion, asnjë parti dhe asnjë njeri nuk ka vlerë përveç vullnetit të këtyre dy njerëzve.

Ky pakt ka krijuar një pushtet autoritar, ka bllokuar qarkullimin e elitave, ka ndërtuar një ekonomi përjashtuese dhe ka bërë që shumë të rinj shqiptarë të largohen nga Shqipëria.
Mirëpo, ky brez nuk e pranon më këtë sistem ekonomik dhe politik. Ata janë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Zotit, dhe duhen mbështetur nga të gjithë.

Ky është një moment historik për Shqipërinë. Të gjithë në shesh për të ardhmen e të rinjve tanë! Të gjithë në shesh kundër sistemit politik antidemokratik dhe antishqiptar!