Pas rreth një ore marshim në rrugët e Tiranës pranë qendrës, protestuesit u ndalën te selia e Partisë Socialiste ku edhe sulmuan me gurë drejt efektivëve. Disa protestues të tjerë të maskuar qëlluan me gurë hyrjen kryesore duke i thyer xhamin.

Brenda në seli i prisnin disa të tjerë të maskuar dhe me shkopinj.Policia ndërhyri me gaz lotsjellës e ujë për shpërndarjen e protestuesve duke rimarrë situatën nën kontroll. Pas këtyre sulmeve ata janë zhvendosur te Kryeministria ku edhe kanë nisur të heqin sërish pllakat e trotuarit.

Dita e gjashtë e protestës para Ministrisë së Arsimit u duk se nisi në një atmosferë tjetër, me këngë e valle nga protestuesit që shpejt u kthyen në sulmet e zakonshme me gurë ndaj efektivëve. Gurët lënduan një gazetare, Elira Kadriun, në pjesën e legenit dhe mbërriti ambulanca për ndihmë.

Qetësia që pasoi zgjati fare pak, me një vrull të ri sulmesh që policia e neutralizoi pa vonesë duke përdorur gaz lotsjellës e ujë për të sprapsur protestuesit që u shpërndanë.

Protestuesit e parë u mblodhën rreth orës 12:30. Kujtojmë që 5 ditët e kaluara kanë qenë një përjetim i vështirë për kryeqytetin pasi ka pasur kaos, shkatërrim e dhunë. Thuajse çdo ditë, nga 13 tetori, përplasjet e nisura paraditeve pranë Ministrisë së Arsimit, i kanë lënë vendin një shpërthimi edhe më të dhunshëm në bulevardin kryesor përpara kryeministrisë. 

272 është numri i personave të lënduar gjatë pesë ditëve të protestave në Tiranë, mes tyre efektivë policie, protestues dhe qytetarë që kanë qenë kalimtarë. Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm gjatë protestës së djeshme, më 17 tetor, janë regjistruar 65 të lënduar. Sipas të dhënave, u shoqëruan 54 protestues, nga të cilët 27 janë arrestuar.

Lajm në përditësim... 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:34
Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit': Të ruajt Zoti (VIDEO)

 

Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit'.

Ndërsa shikon para kamerës, protestuesi i thotë gazetares 'Të ruajt Zoti'.

Ora 15:22
Protestuesit e maskuar para kryeministrisë, heqin pllakat e trotuarit dhe i shpërndajnë për sulm (VIDEO)

Protestuesit kanë lëvizur drejt Kryeministrisë.

Ata kanë hequr pllakat e trotuarit dhe më pas i kanë shpërndarë për sulm.

Ora 15:10
U sulmua nga protestuesit, policia kordon sigurie te selia e PS

Policia ka krijuar një kordon te selia e Partisë Socialiste duke mos i lejuar protestuesit të përparojnë.

Ora 15:05
Protesta e dhunshme, një fëmijë i mitur në mesin e 'betejës'! Efektivi e ndihmon të largohet (VIDEO)

 

Ndërsa disa protestues sulmuan me gurë selinë e PS, aty pranë turmës u gjend edhe një i mitur.

Nuk dihet nëse ishte aty familjarë apo kalimtar.

Ndërkohë për mos t'u trembur një efektiv policie i ka ardhur në ndihmë që të largohet.

Ora 14:49
Protestat e dhunshme, protestuesit sulmojnë me gurë selinë e PS: Hajdeni çuna! Ndërhyn policia (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar me gurë selinë e Partisë Socialiste, duke thyer xhamin e derës kryesore.

"Merrni gura çuna, hajdeni", dëgjohen të thonë ata.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ora 14:41
Protestuesit marshojnë nëpër Tiranë, djegin kosha mbeturinash e tentojnë të shkatërrojnë kioska (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur një marshim nëpër rrugët e Tiranës pasi janë larguar nga Ministria e Arsimit. Në “Rrugën e Barrikadave” kanë djegur disa kosha mbeturinash.

Disa protestues të maskuar po përpiqen të shkatërrojnë një kioskë, qepenat e së cilës janë të mbyllur, duke e goditur me shkelm.

Ora 14:41
'Pse t’u gjuajmë tulla policëve? S’kanë faj', apeli i qytetarit mes protestuesve: Të mos biem pre e politikës së keqe!

 

Një protestues ka bërë thirrje që qytetarët të mos përplasen me efektivët e policisë, gjatë ditës së gjashtë të protestave antiqeveritare në Tiranë. Përmes mikrofonit të mediavve, ai u kërkoi të gjithë protestuesve të mos përdorin dhunë ndaj policëve dhe këtyre të fundit të frenojnë nga kundërpërgjigja duke theksuar se ata nuk janë përgjegjës për situatën por politika që ka sunduar në këtë vend për mbi 35 vjet. 

“Kam një mesazh për popullin dhe Policinë e Shtetit. Të mos biem pre e politikës së keqe, që po na shkatërron prej 46 vjetësh. Pse të mytemi me policinë kot? Pse t’u gjuajmë tulla? S’kanë faj. Politikanët po tallin menderen me ata dhe me ne”, u shpreh protestuesi.

Ora 13:54
Sulmet me gurë, shoqërohen disa protestues! Policia i shpërndan me ujë e gaz (VIDEO)

Për disa momente, protesta pësoi një tension gjatë të cilit policia ka shoqëruar disa protestues.

Deri tani, policia ka ndërhyrë me ujë e gaz dhe i ka zhvendosur protestuesit nga “Rruga e Durrësit” në kryqëzimin me sheshin “Skënderbej.” Protestuesit janë shpërndarë në disa drejtime, ndërsa policia është tërhequr.

Ora 13:49
Protestuesit sulmojnë me gurë e vënë zjarre, policia reagon me gaz lotsjellës

 

Një tjetër përplasje mes protestuesve që gjuajnë me gurë dhe policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit kanë nisur të vënë edhe zjarre nëpër rrugë dhe të hedhin kapsollë.

Në terren ndodhen 2 makina ujëhedhëse.

Ora 13:37
Protesta te Ministria e Arsimit, gazetarja goditet me gur, protestuesit i hapin rrugën ambulancës

 

Protestuesit e pozicionuar para Ministrisë së Arsimit i kanë hapur rrugën një ambulance pasi gazetarja Elira Kadriu raportohet të jetë lënduar pasi është goditur me gur në pjesën e legenit. Megjithatë, nuk munguan as thirrjet “hape bagazhin.”

Ora 13:36
Protestuesi valëvit flamurin kuqezi, disa vajza ia marrin valles

Një protestues para Ministrisë së Arsimit është shfaqur duke valëvitur flamurin kuqezi. Aty pranë, disa protestuese hedhin valle para policisë, e cila qëndron në gatishmëri.

Ora 13:33
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit të acaruar me policinë: Keni fëmijë ju? Na vratë ore!

 

Disa protestues kanë shkëmbyer disa fjalë të ashpra me një nga policët brenda autobotit të ujit te Ministria e Arsimit.

-Keni fëmijë ju ore?

-Na vratë ore!

-Jeni shqiptarë a ça jeni? Çfarë janë këta?

Ora 13:13
Nisin përgatitjet për përplasje pranë Ministrisë së Arsimit! Protestuesit shkulin pllakat e trotuareve për t'i përdorur kundër policisë

 

Protestuesit e mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë nisur të shkulin pllakat e trotuareve, ndërsa protesta antiqeveritare hyn në ditën e gjashtë.

Është ora 13:20 dhe siç shihet edhe nga pamjet që vijnë nga terreni, disa prej tyre po i grumbullojnë pllakat e shkulura, duke i bërë gati për t'i përdorur kundër forcave të policisë.

Kjo ndodh ende pa nisur përplasjet, ndërsa gjatë pesë ditëve të mëparshme gurët dhe pllakat e trotuareve janë përdorur nga protestuesit për të goditur efektivët e rendit.

Ora 13:06
Protestat e dhunshme hyjnë në ditën e gjashtë, mes turmës pranë Ministrisë së Arsimit shfaqet Luiz Ejlli

 

Ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po mblidhen qytetarë të shumtë për ditën e gjashtë të protestave antiqeveritare, mes turmës është shfaqur edhe Luiz Ejlli, fituesi i Big Brother VIP Albania. Prania e tij vjen në një kohë kur protestuesit po grumbullohen për të vijuar protestat, të cilat gjatë pesë ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme.

"Mesazhin ia kanë dhënë për 135 ditë, po ia japi edhe këtë ditë të 6të, ca mesazhi tjetër duhet?" dëgjohet të thotë ai