Protesta e 10 shkurtit e Sali Berishës nuk ishte një revoltë qytetare, por një skenar i organizuar për të prodhuar zhurmë politike. Kjo ishte linja që përshkoi analizën në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku juristja Alesia Balliu dhe analisti Arben Meçe çmontuan narrativën e “kilometrit të fundit” të shpallur nga Sali Berisha.

Balliu e ndau qartë revoltën spontane nga protesta e organizuar me skenar. “Revolta nuk bëhet me letër përpara, me presje e me regji. Kjo është protestë për zhurmë”, tha ajo. Sipas saj, problemi nuk është vetëm forma, por thelbi: mungesa e besueshmërisë së lidershipit aktual të PD-së.

“Nuk është e besueshme për qytetarët sepse lidershipi aktual i PD-së është krye i korruptuar dhe këtë damkë ia ka vënë SHBA dhe jo qytetarët. Ai proteston kundër Ballukut dhe Ramës të cilën e quan të korruptuar, por ai është krye i korruptuar. Protesta është bërë për të mbrojtur Berishën dhe interesat e tij personale dhe familjare dhe jo sepse qytetarët presin që Berisha do të bëjë ndryshimin. Sali Berisha e di dhe vetë që koha e tij politike ka mbaruar. Nuk mund të bëjë ndryshimin një personazh që vetëm gënjen. Ai doli dhe tha ‘do arrestohet Yuri Kim’, tha ‘do arrestohet Rama si Maduro’, mashtrimet e Berishës nuk kanë fund. Një person që të gjithë retorikën e tij e ka të bazuar tek gënjeshtra nuk mund të jetë zëri i vërtetësisë së qytetarëve” tha Balliu .

Ajo shtoi se Partia Demokratike duhet ta ndajë fatin e saj nga figura e Berishës.

“Partia Demokratike nuk është Sali Berisha dhe ka ardhur koha që demokratët ta ndajnë këtë çështje sepse në muajin prill ka zgjedhje dhe pa diskutim demokratët nuk do të duan në krye të PD-së një individ që ka probleme me drejtësinë dhe që është i bllokuar ndërkombëtarisht, sepse PD nuk ka të ardhme pa këto dy faktorë” tha ajo duke shtuar  se fakti që PD nuk frymëzon më duhet ta gjejë problemin tek vetja.

Nga ana tjetër, Meçe e analizoi protestën si një model të konsumuar prej vitesh. “Efekti politik është zero. Është i njëjti skenar që shohim prej 13 vitesh”, tha ai. Sipas analistit, hedhja e molotovëve dhe përfshirja e të miturve e zhvendos protestën nga dimensioni politik në atë penal.

“Në protesta hidhen lëndë luftarake ndaj efektivëve të policisë me synimin  për viktima dhe gjykata i nxjerr atentatorët, kemi arritur në një moment ku protestën e shohim si shfaqjen e rradhës. Qytetarët kanë nevojë për shfaqje dhe këtë ua dhuron Saliu. Efekti i tyre politik është 0. Askush nuk i merr më seriozisht. Është i njëjti rezultat, i njëjti skenar. Unë po bëj 13 vjet që shoh protestat e PD-së, por skenari mbetet i njëjtë.  Një forcë politike që do të vijë në pushtet, duhet të demonstrojë lidership dhe forcë politike. Sot lidershipi i PD-së është i kalçifikuar, është non-grata, është armik i demokracisë, është çërtifikuar si hajdut , pra të gjitha të këqijat që mund t’i ketë një person që pretendon të vijë në pushtet i ka ai. Këtë nuk e themi ne, por populli që nuk i shkon pas. Lidershipin e ka të korruptuar e të pamoralshëm, dhe qytetarin nuk e ka nga pas. Pra nuk injekton dot shpresë. Këto gjëra që bën, uroj që mendja diabolike e doktorit të mos e bëjë fakt sniperin me plumba gome, dhe atë njësi që do shumëfishohet për të vrarë policë. Gjithcka tjetër është show” tha ai.

Në fund, si Balliu ashtu edhe Meçe dhanë të njëjtin mesazh: pa besueshmëri dhe pa një lidership që frymëzon, protestat mbeten zhurmë sezonale. Revolta nuk ndërtohet me regji dhe pushteti nuk fitohet me show.