Andrew Higgins gazetar i “The New York Times”, shef i zyrës për Evropën Lindore dhe Qendrore, ndodhet në Shqipëri për të ndjekur nga afër protestat kundër projektit të Zvërnecit.
Teksa viziton Zvërnecin dhe Sazanin, Higgins tregon për gazetarët vendas se situata në Shqipëri është e qetë dhe se ka një hendek të madh mes zhurmës në rrjetet sociale dhe realitetit në terren.
“Ka shumë akuza të rënda në internet. Kështu që njerëzit i shohin ato dhe mendojnë... e dini, disa njerëz mendojnë se Zvërneci dhe Shqipëria janë në luftë civile, gjë që padyshim nuk është e vërtetë”, thotë ai.
I pyetur nëse po ndikon politika amerikane në Shqipëri ai bën një dallim të qartë ndërmjet administratës zyrtare dhe lobistëve.
Gazetari: Nuk mendoj se është politika amerikane. Mendoj se ka qytetarë amerikanë, që kanë interesa politike, po e shohin Shqipërinë si vend ku mund t’i shprehin ato interesa.
Higgins tregohet i kujdesshëm kur pyetet për projektin e Zvërnecit duke thënë se në parim nuk është kundër zhvillimit.
Gazetari: Nuk është se kam ndonjë mendim të veçantë për investimin. Po, më pëlqeu Zvërneci, por varet çfarë do të bëjnë me të. Është shumë i bukur. Varet se si do të menaxhohet investimi. Nuk jam kundër tij në parim, por nuk është puna ime të kundërshtoj investimet.
Ndërsa sa i përket turizmit, gazetari i NYT jep vlerësim pozitiv, krahasuar dhe me vendet e rajonit.
Gazetari: Unë kam qenë këtu 30 vite më parë dhe ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që atëherë. Kryesisht për mirë. Për turizmin, do ta rekomandoja Shqipërinë. Nuk është i vetmi vend i bukur në këtë rajon, por është shumë më i lirë se, për shembull, Kroacia apo Greqia.
Gazeta amerikane NYT ka ndjekur me interes zhvillimet në Shqipëri, ku më herët ka raportuar se mijëra qytetarë kanë dalë në protesta kundër projektit që lidhet me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Andrew Higgins mbulon çështje ndërkombëtare, kryesisht në Evropën Lindore, Rusi, Ukrainë, Ballkan dhe zhvillime politike rajonale. Gjatë karrierës së tij, ai ka publikuar artikuj për ndikimin rus, luftën në Ukrainë, zhvillimet në Rumani dhe Hungari, ndërsa një prej shkrimeve të tij të njohura është edhe ai për “ushtrinë e trollëve” ruse, ku ai ishte një nga anëtarët e ekipit të gazetarëve që fituan çmimin prestigjioz Pulitzer për raportim ndërkombëtar.
Intervista e plotë
Si ju duket Vlora si destinacion turistik?
Gazetari i “New York Times”: Është fantastike. Ka plazhe të shkëlqyera. Gjëja e mirë është se plazhet janë me rërë, jo me gurë, gjë që është gjithmonë më mirë, sipas mendimit tim. Por është vizita ime e parë këtu në Vlorë, kështu që nuk e di sa shumë ka ndryshuar realisht. Kam qenë në Shqipëri shumë vite më parë, tre dekada më parë.
Dhe, çfarë mendoni për investimin që do të vijë në Zvërnec?
Gazetari: Nuk është se kam ndonjë mendim të veçantë për investimin.
A ishit në Zvërnec?
Gazetari: Po, isha. E vizitova.
Ju pëlqeu?
Gazetari: Po, më pëlqeu. Por varet çfarë do të bëjnë me të. Është shumë i bukur. Varet se si do të menaxhohet investimi. Nuk jam kundër tij në parim, por nuk është puna ime të kundërshtoj investimet.
Thjesht nga kurioziteti, si ka mundësi që një çështje kaq lokale, siç është investimi i Trump këtu në Shqipëri, befas bëhet lajm botëror?
Gazetari: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Dua të them, ka shumë... ka shumë akuza shumë të rënda në internet. Kështu që njerëzit i shohin ato dhe mendojnë... e dini, disa njerëz mendojnë se Zvërneci dhe Shqipëria janë në luftë civile, gjë që padyshim nuk është e vërtetë.
A është politika amerikane që po ndikon këtu?
Gazetari: Nuk mendoj se është politika amerikane. Mendoj se qytetarë amerikanë, që kanë interesa politike, po e shohin Shqipërinë si vend ku mund t’i shprehin ato interesa.
Dhe çfarë mendoni për turizmin në Shqipëri?
Gazetari: Unë kam qenë këtu 30 vite më parë dhe ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që atëherë. Kryesisht për mirë. Kur kam qenë këtu për herë të parë, rrugët ishin të tmerrshme. Kam qenë në Veri, në Kukës atëherë, dhe rrugët ishin plot me banditë dhe shumë të rrezikshme. Ndërsa tani ka një rrugë shumë të mirë. Pra po, gjërat janë përmirësuar shumë.
Dhe tani, qëllimi i vizitës suaj këtu është turizmi apo diçka tjetër?
Gazetari: Jo, jo, nuk është turizëm. Jam këtu për të parë... isha në Tiranë për protestat dhe doja të shihja Zvërnecin dhe Sazanin.
Pra, ju jeni një autor dhe gazetar shumë i njohur i “New York Times”. Si ka mundësi që ju kanë dërguar pikërisht këtu?
Gazetari: Pse? Unë udhëtoj gjatë gjithë kohës. Unë mbuloj të gjithë rajonin, jam gjatë gjithë kohës në lëvizje. Javën e kaluar isha në Lituani, javën para saj isha në Estoni. Dhe javën tjetër do të shkoj në Serbi. Pra nuk është ndonjë gjë e veçantë realisht që vij në Shqipëri.
Disa fjalë të fundit për turizmin shqiptar dhe një mesazh për popullin shqiptar?
Gazetari: Jo. Nuk kam mesazh për popullin shqiptar. U takon atyre të vendosin të ardhmen e tyre. Por për turizmin, do ta rekomandoja Shqipërinë. Nuk është i vetmi vend i bukur në këtë rajon, por është shumë më i lirë se, për shembull, Kroacia apo Greqia.
A do të shohim një artikull për vizitën tuaj këtu?
Gazetari: Po. Po. Shpresoj që po.
Komente








