“Të paktën 12 mijë persona, shumë prej tyre nën 30 vjeç, janë vrarë” gjatë protestave në Iran. Kështu raporton Iran International, në atë që kjo media opozitare me bazë në Londër e përkufizon si “masakrën më të madhe në historinë bashkëkohore të Iranit, e ndodhur kryesisht gjatë netëve të 8 dhe 9 janarit”. Vlerësimi i komitetit editorial të Iran International bazohet “në një analizë ekskluzive të burimeve dhe të dhënave mjekësore” dhe publikimi i tij është “shtyrë deri në konvergjencën e provave”: ai është hartuar mbi një analizë me disa faza të lajmeve nga burime të ndryshme, “përfshirë një burim pranë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare”.
Viktimat sipas regjimit
Një burim i Ministrisë së Shëndetësisë në Iran i ka thënë New York Times se rreth 3 mijë persona janë vrarë gjatë protestave, duke sqaruar se në bilanc përfshihen edhe anëtarë të forcave të sigurisë dhe duke ia atribuar vdekjet veprimit të “terroristëve”. Vlerësimet e fundit të OJQ-së amerikane Human Rights Activists News Agency flisnin për të paktën 646 viktima, por bllokimi i internetit që prej ditësh prek vendin e bën të vështirë marrjen e të dhënave të plota dhe verifikimin e pavarur të informacionit.
Mbështetja e Trump
Sot presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje protestuesve iranianë të mos dorëzohen, duke siguruar se ndihma është në rrugë. “Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni. Merrni institucionet tuaja”, shkroi ai në Truth. “Shënoni emrat e vrasësve dhe të atyre që kryejnë abuzime. Do të paguajnë një çmim të lartë”, siguroi ai. “Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa vrasja e pakuptimtë e protestuesve të ndalet”, shpjegoi Trump. “Ndihma po vjen”, shtoi ai.
Moska: “Të papranueshme kërcënimet e Trump”
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se “kërcënimet e Uashingtonit për të nisur sulme të reja ushtarake kundër Iranit janë kategorikisht të papranueshme”. Rusia, shtoi Zakharova, e cituar nga Tass, i hedh poshtë kategorikisht përpjekjet e hapura për të “shantazhuar partnerët e huaj të Iranit duke rritur tarifat tregtare”.
Reagimet e tjera ndërkombëtare
Reprezaljet kanë shkaktuar dënim të ashpër ndërkombëtar. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se është “i tmerruar”: “Vrasja e protestuesve paqësorë duhet të ndalet dhe është e papranueshme etiketimi i protestuesve si ‘terroristë’ për të justifikuar dhunën kundër tyre”, deklaroi ai. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh: “Kur një regjim qëndron në pushtet vetëm me dhunë, ai në fakt është në fund. Unë mendoj se po asistojmë ditët dhe javët e fundit të këtij regjimi”. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka thirrur në Farnesina – për orën 17:30 – ambasadorin iranian në Itali.
E ashpër është edhe qëndrimi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila shkruan në X: “Numri në rritje i viktimave në Iran është tronditës. Dënoj pa mëdyshje përdorimin e tepruar të forcës dhe kufizimet e vazhdueshme të lirisë. Bashkimi Evropian e ka përfshirë tashmë të gjithë Trupin e Gardës së Revolucionit Islamik në regjimin e tij të sanksioneve për shkelje të të drejtave të njeriut. Në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas, do të propozohen shpejt sanksione të tjera ndaj përgjegjësve të represionit. Ne jemi në krah të popullit iranian që po marshon me guxim për lirinë e tij”.

Ali Larijani, një nga këshilltarët kryesorë të Ali Khamenei, i është kundërpërgjigjur thirrjes së Trump për iranianët që të vazhdojnë të protestojnë dhe se “ndihma është rrugës.”
“Ne njoftojmë emrat e vrasësve kryesorë të popullit iranian: 1 – Trump, 2 – Netanyahu.”
Kjo nuk është hera e parë që Larijani reagon ndaj Trump përmes rrjeteve sociale.
Më 2 janar, Trump shkroi në Truth Social: “Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, që është zakoni i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u vijnë në ndihmë.”
“Trump duhet ta dijë se ndërhyrja e SHBA-ve në këtë çështje të brendshme do të nënkuptonte destabilizim të të gjithë rajonin dhe shkatërrim të interesave të Amerikës”, iu përgjigj Larijani.

Vendet europiane kanë thirrur ambasadorët respektivë iranianë gjatë protestave kundër regjimit në vend.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper ishte ndër të fundit që thirri ambasadorin Iranian të vendit të saj, raporton Sky News. “Sipas raportimeve të tjera, ministri i Lindjes së Mesme, sipas udhëzimit tim, ka thirrur ambasadorin iranian për të theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe për t’i bërë thirrje Iranit që të përgjigjet për raportet e tmerrshme që po dëgjojmë”, u shpreh ajo.
Gjermania i është bashkëngjitur lëvizjes duke shtuar se “veprimet brutale të regjimit iranian kundër popullit të vet janë shokuese.” Edhe ministri i Jashtëm i Italisë ka ndjekur të njëjtin shembull.
Ndërkohë, Irlanda ka shtyrë një ceremoni formale për t’i dhënë kredencialet ambasadorit të ri iranian. Një zëdhënës u shpreh se kjo lëvizje pason shqetësimet për shkallën e dhunës kundër protestuesve dhe kufizimet në aksesin në informacion.
Para këtyre vendeve, ishin Franca, Holanda, Finlanda dhe Spanja që njoftuan se kishin thirrur ambasadorët e tyre.

Një agjenci amerikane, Human Rights Activists News Agency ka konfirmuar shifrën e 2 mijë të vrarëve në protestat në Iran, raporton Sky News. Shifra u deklarua më herët nga një zyrtar iranian.
Sipas agjencisë, midis personave të vrarë gjatë dy javëve me revolta, janë 1, 847 protestues dhe 135 persona të lidhur me qeverinë.
Gjithashtu janë vrarë 9 fëmijë dhe 9 qytetarë që nuk po merrnin pjesë në protestë.
Pasi njoftoi tarifat doganore si masë ndëshkuese për Iranin dhe vendet që zhvillojnë tregti me të, Presidenti i SHBA Donald Trump, reagon sërish. Ai iu drejtohet me një mesazh protestuesve të cilët i quan patriotë iranianë dhe u kërkon që të vazhdojnë protestat e tyre kundër regjimit. Në mesazhin e tij drejtuar civilëve, Trump shkruan në "Truth" se ndihma e SHBA për ta "po vjen" dhe nënvizon se ka anulluar të gjitha takimet me zyrtarët e Iranit deri sa dhuna dhe vrasjet të përfundojnë. Më poshtë mesazhi i Trump në Truth.
Bashkimi Evropian do të propozojë shumë shpejt sanksione të mëtejshme ndaj autoriteteve përgjegjëse për shtypjen e protestave antiqeveritare në Iran.
Kështu deklaroi Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Von der Leyen deklaroi se numri në rritje i viktimave në Iran është i tmerrshëm, teksa dënoi përdorimin e tepërt të forcës dhe kufizimin e vazhdueshëm të lirisë.
Ajo shtoi se në koordinim me zëvendësen e saj Kaja Kallas, do të propozohen shpejt sanksione të mëtejshme.
“Numri në rritje i viktimave në Iran është i tmerrshëm. Unë dënoj pa mëdyshje përdorimin e tepërt të forcës dhe kufizimin e vazhdueshëm të lirisë. Bashkimi Evropian e ka listuar tashmë Trupën e Gardës Revolucionare Islamike në tërësinë e saj nën regjimin e sanksioneve për të drejtat e njeriut.”, shkruan Von der Leyen.
Sipas grupit të të drejtave të njeriut Hengaw, një protestues 26-vjeçar do të ekzekutohet nesër në Iran.
Mediat a huaja bëjnë të ditur se grupi me seli në Norvegji thotë se Erfan Soltani, nga Fardis, u arrestua gjatë protestave në qytetin e tij.
Në një deklaratë të lëshuar dje, shtohet se ai "po përballet me ekzekutimin e menjëhershëm të një dënimi me vdekje, pas një procesi gjyqësor të shpejtë dhe të errët".
Hengaw thotë se, ndërsa familja e Soltanit është informuar për ekzekutimin e ardhshëm, ata janë “mbajtur qëllimisht të painformuar” në lidhje me procesin gjyqësor.
Pretendimet nga grupi i të drejtave të njeriut pasqyrojnë një kthesë të shpejtë që regjimi po nxit në ndëshkimin ligjor për protestuesit.
Kujtojmë se prej disa ditësh Irani është përfshirë nga protesta masive, ku pjesëmarrësit bëjnë përgjegjëse klasën politike në pushtet për krizën në të cilën është zhytur vendi.
Nga ana tjetër, regjimi është përpjekur që t’i shtypë me forcë këto protesta, duke ushtruar dhunë joproporcionale dhe duke vrarë një numër të konsiderueshëm qytetarësh.
Bashkimi Europian do të propozojë sëshpejti sanksione të reja ndaj Iranit, pas shtypjes së protestave nga regjimi i Ajatollahut.
Sipas mediave të huaja, lajmin e bëri të ditur Presidentja e Unionit, Ursula von der Leyen, e cila i ka bërë thirrje autoriteteve iraniane që të ndalin dhunën ndaj demonstruesve.
Ursula von der Leyen e përshkruan numrin në rritje të të vdekurve si "tmerrues" dhe është udhëheqësja e fundit perëndimore që dënon "përdorimin e tepërt të forcës dhe kufizimin e vazhdueshëm të lirisë" në Iran.
"Bashkimi Evropian e ka listuar tashmë Trupën e Gardës Revolucionare Islamike në tërësinë e saj nën regjimin e sanksioneve për të drejtat e njeriut. Në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesen e Lartë/Zëvendës së Lartë Kaja Kallas, sanksione të mëtejshme ndaj atyre që janë përgjegjës për represionin do të propozohen shpejt. Ne qëndrojmë me popullin e Iranit i cili po marshon me guxim për lirinë e tij", shtoi Von der Leyen.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi deklaroi se Republika Islamike është e gatshme nëse SHBA-të do ndërhyjnë ushtarakisht në vend.
“Ne jemi të gatshëm për çdo veprim. Nëse ata duan të testojnë veprime ushtarake, të cilat i testuan një herë dhe nuk arritën rezultate, ne jemi gati për këtë”, tha Araghchi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton një sërë opsionesh të mundshme ushtarake në Iran pas protestave vdekjeprurëse në vend.
Bordi editorial i Iran International ka vlerësuar se të paktën 12,000 njerëz u vranë në shtypjen e dhunshme të protestave në Iran, të cilat sipas medias në fjalë ndodhën kryesisht gjatë dy netëve radhazi, të enjten dhe të premten, më 8 dhe 9 janar.
Mediat a huaja shkruajnë se nëse këto shifra konfirmohen, kjo do të ishte masakra më e madhe në historinë moderne të Iranit.
Bordi editorial i Iran International pretendon ka shqyrtuar informacionin e marrë nga një burim pranë Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, dy burime në Zyrën Presidenciale, raporte nga disa burime brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në qytetet Mashhad, Kermanshah dhe Isfahan, rrëfime të dëshmitarëve okularë dhe familjeve të viktimave, raporte në terren, të dhëna të lidhura me qendrat mjekësore dhe informacione të ofruara nga mjekë dhe infermierë në qytete të ndryshme.
Sipas informacionit të mbledhur nga Iran International, viktimat u vranë kryesisht nga forcat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe Basij. Shumë prej të vrarëve ishin të rinj nën moshën 30 vjeç.
Informacioni i marrë nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare dhe Zyra Presidenciale tregon se vrasjet u kryen me urdhër të drejtpërdrejtë të Ali Khameneit, me dijeninë dhe miratimin e qartë të krerëve të të tre degëve të qeverisë, dhe me një urdhër për të përdorur armë zjarri të lëshuara nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Këshilli Europian, Antonio Costa
Presidenti i Këshilli Europian, Antonio Costa, ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve në Iran, duke i bërë thirrje regjimit që të ndalë represionin ndaj qytetarëve të vet.
Në një postim në rrjetin social X, Costa shkruan se regjimi iranian “duhet të ndalojë represionin e dhunshëm ndaj popullit të tij”. Ai thekson se Bashkimi Europian qëndron në krah të qytetarëve iranianë që kërkojnë të drejta themelore, dinjitet dhe liri.
“Jemi me iranianët e guximshëm që kërkojnë të drejta themelore, dinjitet dhe liri”, shkruan Costa në reagimin e tij, duke rikonfirmuar qëndrimin politik të BE-së ndaj situatës në Iran.

Foto e postimit të Kostas në X
Ushtria izraelite i është përgjigjur kërcënimeve të Iranit se do sulmonte nëse SHBA dhe Izraeli ndërhynin në punët e brendshme të vendit, duke mbështetur protestuesit anti-qeveritarë.
Sipas mediave të huaja, ushtria izraelite thotë se është “e përgatitur për mbrojtje” në lidhje me zhvillimet në Iran, por këmbëngul se protestat janë një “çështje e brendshme”.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, zëdhënësja e gjeneral brigade Effie Defrin tha:
"IDF është e përgatitur për mbrojtje dhe në gatishmëri për skenarë të papritur nëse është e nevojshme. Protestat në Iran janë një çështje e brendshme. Ne vazhdojmë të kryejmë vlerësime të vazhdueshme të situatës dhe do të japim përditësime për çdo ndryshim nëse ato do të ndodhin."
Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore gjatë verës së vitit të kaluar, gjatë së cilës Izraeli sulmoi infrastrukturën bërthamore të Teheranit dhe u vranë gati 1,200 iranianë dhe 30 izraelitë.
Kujtojmë po ashtu se më herët gjatë këtyre ditëve, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur se ushtria amerikane mund të ndërhyjë në mbështetje të protestuesve në Iran.
Kina thotë se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime" pasi Donald Trump njoftoi një tarifë doganore kundër atyre që bëjnë biznes me Iranin.
“Tarifa doganore prej 25% hyn në fuqi menjëherë", njoftoi Trump të hënën, si pjesë e përgjigjes së tij ndaj shtypjes së protestave antiqeveritare të Iranit. Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit.
Në një postim në X, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington deklaroi se qëndrimi i Kinës kundër vendosjes pa dallim të tarifave është konsistent dhe i qartë.
"Luftërat tarifore dhe luftërat tregtare nuk kanë fitues, dhe shtrëngimi e presioni nuk mund t'i zgjidhin problemet. Proteksionizmi dëmton interesat e të gjitha palëve.", tha ndër të tjera zëdhënësi.
Kancelari gjerman Friedrich Merz është shprehur se beson që qeveria iraniane është në "ditët dhe javët e saj të fundit".
Sipas mediave të huaja, Merz i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në Indi, teksa komentoi protestat masive që kanë ‘mbërthyer’ Iranin.
Duke folur sot, ai përsëriti gjithashtu thirrjet që autoritetet iraniane t'i japin fund dhunës kundër demonstruesve, duke thënë:
"Nëse një regjim mund ta mbajë veten në pushtet vetëm me forcë, atëherë ai në fakt është në fund. Unë besoj se tani po shohim ditët dhe javët e fundit të këtij regjimi. Sidoqoftë, ai nuk ka legjitimitet përmes zgjedhjeve në popullatë. Popullsia tani po ngrihet kundër këtij regjimi."
Merz shton se shpreson të ketë një shans për ta “përfunduar këtë konflikt në mënyrë paqësore”.
Ambasada virtuale e SHBA-së në Iran u ka kërkuar qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga vendi.
"Protestat në të gjithë Iranin po përshkallëzohen dhe mund të shndërrohen në të dhunshme, duke rezultuar në arrestime dhe lëndime. Masat e shtuara të sigurisë, mbylljet e rrugëve, ndërprerjet e transportit publik dhe bllokimet e internetit janë duke vazhduar.", thuhej në njoftim.
Sipas ambasadës, qytetarët duhet të përdorin rrugë tokësore për në Armeni ose Turqi dhe të kenë një plan që nuk mbështetet në ndihmën e qeverisë amerikane.
Nëse largimi është i pamundur, ambasada virtuale thotë se njerëzit duhet të fshihen në një vend të sigurt.

Donald Trump deklaroi se çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25%, e cila do të hyjë në fuqi menjëherë.
"Ky urdhër është përfundimtar," tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Komente






