“Vendi i demokratëve është në shesh”, thotë Sali Berisha, një qëndrim që nisi ta shfaqte sapo protestuesit kundër investimit në Zvërnec kërkuan dorëheqjen e Ramës. Më tej, u kërkon të rezistojnë ndaj çdo parrulle e slogani kundër PD, ndërkohë që nga militantët e tij ka pasur disa herë reagime në protestë për shkak të thirrjeve “Berisha në burg.”

“Jam këtu për t’u kërkuar demokratëve kudo që janë, çdo natë vendi i tyre është në sheshin dhe rrugët e Tiranës në betejën për liri, për votën e lirë dhe kundër autokracisë. Asnjë slogan, asnjë parullë, asnjë mashtrim i hedhur aty kundër opozitës së vërtetë, asaj opozite që në kushtet më të vështira të një kalvari të vërtetë, qëndroi e pamposhtur në dhjetëra e dhjetëra protesta kundër regjimit”, tha Berisha.

Kreu i PD u kërkon militantëve të tij të marrin pjesë, por pa përdorur simbolet e partisë.

“Pra, çdo demokrate e demokrat duhet ta ketë të qartë se vendi i nderit i tij është në fushëbetejën qytetare, kësaj radhe jo me flamurin dhe simbolet e partisë pasi kjo është një protestë qytetare, të cilën ne si të tillë e respektojmë plotësisht. Asnjë gjethe, asnjë degëz nuk duhet t’u pengojë ku të shihni trungun qytetar të kësaj proteste, kauza e të cilës në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza juaj, kauza e PD. Ndaj dhe të vazhdoni si sot, pa impresion, pa asnjë hezitim, të jepni kontributin tuaj maksimal në suksesin e kësaj proteste”, vijoi Berisha.

Kryetari i PD s’e humbi rastin të njehsonte kauzat e PD me ato të qytetarëve duke thënë se kauza e protestës “në çdo pikë të paraqitur ka qenë dhe është kauza e PD.”