Kryeministri Edi Rama tha se qytetarët e kanë mbështetur pikërisht për vizionin që qeveria nën drejtimin e tij ka dhe se luftën e ka së bashku me qytetarët dhe jo kundër tyre.

“I duroj të gjitha ato që më thonë perversët, që për fat të keq kanë rënë të jenë kundërshtarët e mi. I duroj jo sepse i pranoj, por sepse kam duruar dhunë mbi kockat e tim eti, mbi fytyrën e gruas sime dhe mbi fëmijët e mi. I duroj sepse mendoj që jam këtu për ju dhe me ju.

Nëse edhe ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni me këdo tjetër që dëshironi. Unë këtu nuk rri për të vegjetuar. Ose do ta bëjmë Shqipërinë sipas atij vizioni për të cilin më keni mbështetur, ose më thoni që doni të shkoni me Sazo Gruin dhe Arlindo Dritëgjatin. Jam në rregull edhe me këtë.

Nëse ne harrojmë rolin kryesor që kemi në këtë proces, që është të krijojmë klimën e duhur për pritjen e investitorëve, atëherë bëjmë gabim. Nëse këta investitorë largohen, problemi nuk është vetëm se nuk bëhet Zvërneci. Problemi është se nuk do të vijnë më të tjerë për kushedi sa kohë, sepse do të thonë: ‘Kur nuk ia dolën këta, nuk ka njeri që merret vesh me ata atje’.

Ose do të zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës. Nuk e kam mbaruar ende listën e markave që kanë bërë marrëveshje. Unë nuk jam i interesuar të jem me forcë kundër jush. Me forcë kundër atyre që na kanë dalë përballë kundër Shqipërisë, po, deri në fund.

Por nëse ju shoh të shkoni pas Berihanit apo pas Fatos Lubonjës, që jeton me makthin e mafies që kur u nda nga unë, këtë nuk e pranoj. Kam respekt për të si person dhe për vuajtjet e tij të mëparshme, por mafien që ai më tregon mua, ma tregon njësoj siç i tregonin dikur atij armikun e popullit. Mua nuk ka nevojë të më mundni. Ju jo. Unë nuk e kam betejën me ju, e kam bashkë me ju. Pyetja që duhet të bëjmë përballë këtij projekti është: Çfarë niveli të Shqipërisë duam?”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Zvërneci’, Rama: Investim 4 mld € nga Katari, Pishë-Poro zonë e mbrojtur kategoria 5 që lejon ndërtimin! Toka iu ble pronarëve, rrethimi sipas lejes së zhvillimit