Një grup pedagogësh i janë bashkuar protestës së studentëve dhe marshuan para kryeministrisë. Një pedagoge e Universitetit të Tiranës tha për Report Tv se studentët përballen me vështirësi ekonomike, tarifa të larta dhe mungesë infrastrukture, ndërsa kritikoi paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për heqjen e bursave për studentët që përfshihen në akte dhune në protesë. Ndërsa pedagogu Mihallaq Qirjo tha se policia ka dhunuar studentët.
“Jam pedagoge në Universitetin e Tiranës. Nuk kemi vendosur sot, kemi qenë që në ditën e parë me ta. Sindikata ka dhënë deklaratë që më 15 tetor. Kërkesat e tyre janë kërkesat e të gjithëve ne. Kushtet e studentëve shqiptarë nuk krahasohen me kushtet e kolegëve të tyre nëpër botë. Me 100 euro duhet të jetojë një student. Ai del dhe thotë: ‘Do t’u heq edhe bursat’. Me çfarë të drejte? Kush është ai?
Problemet që kanë studentët janë probleme ekzistenciale të çdo familjeje shqiptare. Nuk e përballojnë jetën në Tiranë e në rrethe. Taksat janë shumë të larta, nuk kanë infrastrukturën e duhur shkollore. Janë të detyruar ose të marrin rrugët e botës, ose të dalin në rrugë. Intelektualët s’duhet t’i lëmë të dalin në rrugë, por duhet t’i vlerësojmë me atë çfarë u takon”, tha një pedagoge nga Universiteti i Tiranës për Report Tv.
“Arsyeja e parë dhe e rëndësishme përse jemi këtu sot është mbrojtja e studentëve, mbrojtja e rinisë. Pamjet e ditëve të fundit, kur është përdorur dhuna ndaj të rinjve, irritojnë dhe bëjnë që t’i bashkohet protestës një masë më e gjerë njerëzish dhe e komunitetit. Arsyet përse e gjithë kjo protestë kërkon ndryshimin e qeverisjes vijnë nga keqmenaxhimi i fondeve publike, keqmenaxhimi i fondeve natyrore, të cilat ndër këto kanë pasur vitet e fundit dëmtime dhe shkatërrime të shumta, e më së shumti nga mosdëgjimi i këtyre njerëzve, të cilët kanë dalë këtu dhe kanë artikuluar qartazi që janë të pakënaqur nga qeverisja. Bashkohemi në zërin e të gjithëve këtu, që pa “rini nuk ka Shqipëri.”
Dhuna nga të gjitha palët është një barazim i pavlefshëm. Ka pasur një dhunë disproporcionale nga policia ndaj të rinjve. Të rinjtë kanë bërë kërkesat e tyre paqësore për shumë kohë dhe më pas kanë pasur një shprehje të irritimit të tyre në forma, të cilat nuk e justifikojnë policinë që të përdorë atë dhunë ndaj të rinjve, me shkopinj gome apo me arrestime kaq masive. Megjithatë, policia duhet të ndjekë ligjin dhe duhet të jetë brenda kornizave që i përcakton ligji. Unë të rinjtë e protestës i dua dhe i mbroj.
Ministria e Arsimit është fizikisht pak e dëmtuar, pra, nga jashtë mund të lyhet, por është e shkatërruar si strukturë, pasi nuk i mbështet studentët në këtë ndërmarrje”, tha pedagogu Mihallaq Qirjo.
Një tjetër pedagog, nga një universitet katolik në kryeqytet, akuzoi policinë për përdorim të dhunës ndaj studentëve gjatë protestave, duke pretenduar se janë goditur edhe grupet e ndihmës së shpejtë.
“Jam pedagog pranë një universiteti katolik në Tiranë. Dikur studentët morën në dorë fatin e tyre. Në të gjitha këto ditë që kemi parë dhunë represive, i kemi parë ata të përndiqen në stilin e Gestapos në rrugicat e Tiranës. Për shkak të një pjese të dhunshme të protestës, janë tmerruar studentët.
Studentët e mi kanë qenë pranë grupeve të ndihmës së shpejtë. Janë sulmuar me molotovë, ujë, gaz dhe plumba gome. Edhe në luftë nuk goditet ndihma e parë, ndonëse kanë ndihmuar edhe policë. Ata kanë marrë frikë nga represioni që iu është komunikuar dje nga kryeministri. Nuk e di me çfarë baze ligjore thotë se kush ka marrë pjesë në protestë do të dënohet. Ky është represion, kjo është tentativë e dështuar e shtypjes së problemeve. Nuk ka diskutim me dhunuesit”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Një grup pedagogësh, mes tyre dhëndrri dhe vajza e Berishës, i bashkohen edhe sot protestës! Përmbysin ‘karriget e dialogut’ te Kryeministria: Dorëheqje! Iu bashkohen edhe studentë (VIDEO ME DRON)








