Protestë në Shkodër kundër rritjes së çmimit të energjisë e të ushqimeve: Qeveria të marrë masa, na ka ardhur në majë të hundës
Një grup qytetarësh shkodran protestuan ditën e sotme duke kundër rritjes së energjisë elektrike, ushqimeve si dhe për rritjen qesharake siç e cilësojnë ata të pensioneve. Kjo protestë u organizua nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dega Shkodër në sheshin para bashkisë Shkodër
Redaksia 5 Tetor 2021, 13:39 | Përditesimi: 5 Tetor 2021, 15:55
Një grup qytetarësh shkodran protestuan ditën e sotme duke kundër rritjes së energjisë elektrike, ushqimeve si dhe për rritjen qesharake siç e cilësojnë ata të pensioneve. Kjo protestë u organizua nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dega Shkodër në sheshin para bashkisë Shkodër.
Protestuesit i kërkuan qeverisë që të marrë masa për uljen e çmimit të energjisë dhe të mos lejohet rritja e mëtejshme siç paralajmëroi kryeministri Rama si dhe uljen e çmimeve për ushqimet apo edhe rritjen dinjitoze të pensioneve.
Protestuesit edhe pse jo të shumtë në numër u shprehen se qytetarët nuk dalin nga frika ndërsa bënë thirrje që në protestat e ardhshme të jenë një numër shumë më i madh.
‘Pjesëmarrja është simbolike, por ky është realiteti. Ne duhet ta gjykojmë në mënyrë objektive por simbolikisht mesazhet përcillen.
Na ka ardhur në majë të hundës këtu. Më vjen keq që nuk mblidhen por rrinë duke pirë për kafe e pastaj thonë ja anergji ja uji ne duhet të çohemi të gjithë për të drejtat tona.
Këtu kemi 1001 pse duhet të dalim në protestë. Këtu emigracioni po shtohet çdo ditë edhe varfëria edhe arsimi po shkon drejt degradimit.’- thanë qytetarët
Protestuesit ishin me flamurin shqiptar në duar dhe pankarta në duar. Protesta zgjati për 30 minuta në sheshin para bashkisë Shkodër. Mes protestuesve ishin të moshuar pensionistë, sindikaliste, studente, përfaqësues të biznesit të vogël, persona të trajtuar me ndihmë ekonomike si dhe qytetar të thjeshtë