Karriget që kryeministri Edi Rama nxorri sot nga godina e qeverisë për t’i vendosur ato në sheshin përpara saj në shenjë dialogu me protestuesit, u bënë copë e çikë prej tyre. Por ky akt simbolik për të refuzuar dialogun me shefin e qeverisë, ka lënë një pasojë që lidhet me historinë e vendit.

Në emisionin “Repolitix” në Report Tv, historiani Marenglen Kasmi shpjegon se karriget e kuqe u përkasin viteve ’30 dhe u kanë mbijetuar Luftës së Dytë Botërore, pushtimit nazist e komunizmit. Ato janë restauruar.

Sa për protestën, ai e sheh të largët mundësinë për dialog dhe për të prodhuar një aspiratë, ndërsa parashikon lehtësim të dhunës.

Marenglen Kasmi: Unë ende e shikoj larg mundësinë për dialog, pasi kryeministri sot e ofroi. Por te karriget e kuqe që mua sot më erdhi shumë keq që u dëmtuan, besoj se më erdhi keq se janë të vjetra.

-Pse, kanë një histori këto karrige?

Marenglen Kasmi: Karriget janë të viteve ’30, të restauruara dhe më erdhi shumë keq.

-Janë të vjetra, të republikës së parë?

Marenglen Kasmi: Janë karrige të institucionit, i mbijetuan Luftës së Dytës Botërore kur kjo godinë gjatë pushtimit gjerman ka qenë edhe spital, i mbijetoi edhe komunizimit. Më erdhi keq, është diçka tjetër. Thelbi është që do të ngelin bosh edhe për disa kohë sepse vetë protesta nuk do të nxjerrë një grupim që do të marrë në dorë drejtimin e saj, ta kanalizojë politikisht, të ketë një aspiratë në gjithë këtë betejë që po ndodh, besoj se do të vazhdojë. Mendoj gjithashtu se protesta do të vijë në rënie për sa i përket dhunës, shikojmë shenja të tilla dhe është krejt e natyrshme kështu sepse do të afrohet koha që një grupim do të mundohet ta kanalizojë.