Pasi njoftuan krijimin e një organizimi të ri studentor, një grup të rinjsh dhe protestuesish u mblodhën rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit.

Për shkak të numrit të vogël, për disa minuta policia arriti t’i spostojë duke krijuar kordon sigurie në dy anët e “Rrugës së Durrësit”, dhe duke e liruar për kalimin e automjeteve.

Rreth orës 15:00 me shtimin e numrin të protestuesve, arritën ta bllokojnë plotësisht rrugën e Durrësit.

Pasi qëndruan për rreth dy orë dhe pa asnjë incidente të regjistruar protestuesit nisën marshimin, duke u kthyer te rruga “Mine Peza”, te rruga e “Kavajës” dhe te “Myslym Shyri”. Aty policia kishte vendos kordon për të bllokuar avancimin e mëtejshëm të protestuesve, të cilët nisën me akte sporadike dhune duke i vënë flakën një koshi.

Më pas, një grup protestuesish u mblodh para godinës së Kryeministrisë. Pas qëndrimit prej disa orësh, protestuesit marshuan për nga sheshi "Skënderbej".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:05
VIDEO/ Protestuesja fyen me fjalor vulgar efektivët e policisë

Protesta ka degraduar në përdorimin e një fjalori banal. Një protestuese, në këtë video, dëgjohet teksa sulmon verbalisht dhe me fjalor ofendues punonjësit e policisë, ndërsa këta të fundit nuk po i lejonin që të bllokonin rrugën para Kryeministrisë.

Momenti sulmit verbal ndaj policëve është publikuar nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i cili krahas videos shkruan: “Në fund gjithmonë mbetet llumi TURP! Po si mund të sulmosh verbalisht kështu një punonjës policie?! Shtuar këtu faktin që je dhe vajzë.”

Ora 19:22
Me flamurin kuqezi në duar, protestuesit hipin në monumentin e Skënderbeut (VIDEO)

Disa protestues u ngjitën në monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ata mbajtën në duar flamurin kuqezi.

Ora 19:20
Protestuesit ikin nga Kryeministria, nisin sërish marshimin nëpër rrugët e Tiranës (VIDEO)

Grupi i protestuesve që po qëndronte para godinës së kryeministrisë u largua. Ata nisën sërish marshim  nëpër rrugët e Tiranës.

Ora 17:19
Pas marshimit, një grup protestuesish mblidhen para Kryeministrisë (VIDEO)

Pas marshimit, një grup protestuesish janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë.

Ora 16:46
Protestuesit i vënë flakën koshave të plehrave në mes të rrugës (VIDEO)

Një grup protestuesish i kanë flakën koshave të plehrave në rrugën “Myslylm Shyri”. Aty policia u zuri pritë me kordon.

Ora 16:05
Pas qëndrimit te Ministria e Arsimit, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugë (VIDEO)

Protestuesit që u mblodhën te Ministria e Arsimit nisën marshimin nëpër rrugët e Tiranës. Fillimisht shkuan drejt rrugës “Mine Peza” ku patën edhe një ndalesë para komisariatit dhe më pas u larguan.

Ora 15:42
Vijon protesta para Ministrisë së Arsimit, policia lejon protestuesit të qëndrojnë në mes të rrugës (VIDEO)

Pasi njoftuan krijimin e një organizimi të ri studentor, protestuesit janë mbledhur në protestë para Ministrisë së Arsimit. Tubimi deri më tani nuk ka regjistruar incidente dhe Policia i ka lejuar edhe të qëndrojnë në rrugën para godinës së Ministrisë.

Ora 14:36
Protestuesit grumbullohen te Ministria e Arsimit, policia i largon nga rruga

Një grup protestuesish janë vendosur te Ministria e Arsimit, por policia ka krijuar kordon sigurie në dy anët e “Rrugës së Durrësit” për të mos lejuar bllokimin.

Deri më tani nuk ka bllokim të qarkullimit të mjeteve.