Sali Berisha ka përsëritur ftesën e tij ndaj protestuesve për t’u bashkuar “pavarësisht dallimeve”. Ftesa vjen pas refuzimit të tretë radhazi të protestuesve kundrejt militantëve të Partisë Demokratike. Këta të fundit, sot i sulmuan fizikisht protestuesit.

“Të bashkohemi të mbështesim studentët, të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me studentët që po zhvilloj një betejë epike kundër së keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, ai mbështeti plotësisht dhunën e protestuesve, të cilët edhe sot nuk i kursyen sulmet me gurë e molotovë, por për Berishën ishin akte “trimërie”.

Fjala e plotë e Sali Berishës:

Sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës dekretet diktatoriale të padrinos me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore. Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, studentët do t’i jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mbrojtje, mendoi se do të mund të ndalojë protestën. Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga PD. Por siç u faktua, këto përpjekje dështuan me turp sot në rrugët e sheshet e Tiranës pasi qytetarët e studentët u bashkuan në një dhe i dhanë përgjigjen e merituar narkodiktatorit.

Shpreh mirënjohje shumë të madhe për qytetarët, për rekordet e reja që treguan në përballjen dhëmbë për dhëmbë me mercenarët e Edi Ramës. kërkoj lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të shoqëruar. Garantoj se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre në vlerë 3 herë më të lartë, por edhe gjobëvënësi që vë firmën e tij do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos. U rikujtoj atyre që marrin aktin antikushtetues të firmosjes së firmave, mos kryeni krime të tilla se mund të ndiqeni edhe penalisht, paçka se me rrogat tuaja do të dëmshpërblehen të gjithë ata që keni ndështuar. Sot u faktua se protestuesit në revoltën e tyre paqësore u provokuan në mënyrë të përsëritur nga policia, e cila vepron me një skenar kriminal ndaj revoltës studentore.

Do ta mbyll këtë fjalë me ftesën për të gjithë ju: të bashkohemi të mbështesim studentët, të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me studentët që po zhvilloj një betejë epike kundër së keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama. Ju garantoj se PD është e vendosur t’i mbështesë totalisht studentët në revoltën e tyre dhe të respektojë plotësisht të gjithë ata të cilët janë në këtë linjë, janë të pranishëm. Ftoj çdo qytetar të angazhohet në këtë betejë. Bashkimi i gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje të paparë që po zhvillohet në Shqipëri për t’u ndarë nga regjimi i narkoshtetit, për të proceduar me një qeveri që përgatit teknika apo kujdestare, kuadrin ligjor dhe krijon të gjitha kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme që çdo shqiptar të votojë me vullnet të lirë për forcën politike dhe kandidatin që do.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:28
PD përçau protestën? Berisha e mohon: E kemi mbështetur! Kemi kontribuar me masa e hapa konkretë, do të vijojmë (VIDEO)

 

Sali Berisha mohon zërat se Partia Demokratike po përçan protestën, edhe pse sot militantët e tij u refuzuan sërish nga protestuesit. Kreu i PD tha se janë ndërmarrë masa e hapa konkretë për t’i mbështetur protestuesit dhe kjo nuk do të ndryshojë.

“Ne e kemi mbështetur protestën. Partia Demokratike, me masa konkrete, është përpjekur të kontribuojë, të mbështesë protestën, sikundër ka ndërmarrë hapa konkrete për të mbrojtur studentë e gjimnazistë brenda e jashtë vendit. Janë qindra studentë e protestues që kanë pasur përkujdesjen e plotë të PD në komisariate, në spital, zyra ligjore e PD u ka ofruar shërbime mbi 600 protestuesve që kanë pasur nevojë për shërbime ligjore. Në asnjë rrethanë nuk kemi bërë as edhe një hap më të vogël dhe nuk bëj në përçarje të asnjë proteste, përkundrazi kemi bërë gjithçka dhe do të bëjmë për suksesin e saj. Ata që përdorin modelin që asgjësuan protestën më të bukur në historinë e vendit, siç ishte ajo e flamingove, përpiqen të përdorin po atë teknikë, por i garantoj se nuk do të kenë sukses. PD është e zotuar të bashkëpunojë me cilindo që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe”, tha Berisha.