Sali Berisha mohon zërat se Partia Demokratike po përçan protestën, edhe pse sot militantët e tij u refuzuan sërish nga protestuesit. Kreu i PD tha se janë ndërmarrë masa e hapa konkretë për t’i mbështetur protestuesit dhe kjo nuk do të ndryshojë.

“Ne e kemi mbështetur protestën. Partia Demokratike, me masa konkrete, është përpjekur të kontribuojë, të mbështesë protestën, sikundër ka ndërmarrë hapa konkrete për të mbrojtur studentë e gjimnazistë brenda e jashtë vendit. Janë qindra studentë e protestues që kanë pasur përkujdesjen e plotë të PD në komisariate, në spital, zyra ligjore e PD u ka ofruar shërbime mbi 600 protestuesve që kanë pasur nevojë për shërbime ligjore. Në asnjë rrethanë nuk kemi bërë as edhe një hap më të vogël dhe nuk bëj në përçarje të asnjë proteste, përkundrazi kemi bërë gjithçka dhe do të bëjmë për suksesin e saj. Ata që përdorin modelin që asgjësuan protestën më të bukur në historinë e vendit, siç ishte ajo e flamingove, përpiqen të përdorin po atë teknikë, por i garantoj se nuk do të kenë sukses. PD është e zotuar të bashkëpunojë me cilindo që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Protestuesit refuzuan militantët e PD, Berisha ftesë: Të bashkohemi pavarësisht kundërshtive! Kryedemokrati përkrah dhunën: Treguan trimëri