Shoqata e Gazetarëve Evropianë (AEJ) ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj grupit të xhirimit të Report Tv. AEJ kërkon identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, ndërsa thekson se sulmi është goditje ndaj lirisë së medias. 

Reagimi i plotë

Shoqata e Gazetarëve Evropianë (AEJ) ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj grupit të xhirimit të Report Tv dhe shkatërrimin e kamerës gjatë protestës së dhunshme në Tiranë. AEJ kërkon identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve,

Shoqata e Gazetarëve Evropianë (AEJ) ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e dhunshme të zhvilluara sot në Tiranë, ku mes të tjerash u sulmua me dhunë fizikë dhe u shkatërrua pajisja e punës (kamera) e grupit të xhirimit të televizionit Report TV.

AEJ dënon me forcë çdo akt dhune, frikësimi apo pengimi të gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare. Gazetarët dhe operatorët në terren janë syri dhe veshi i publikut; cënimi i tyre është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit, të drejtës për informim dhe parimeve bazë demokratike.

E drejta për të protestuar është një shtyllë e demokracisë, por ajo nuk mund dhe nuk duhet të përdoret kurrsesi si arsyetim për të sulmuar mediat apo për të cenuar integritetin fizik të gazetarëve.

Punonjësit e medias nuk janë palë në konflikte politike apo sociale, por raportues të pavarur të së vërtetës. Përmes kësaj deklarate, AEJ i bën thirrje:

Organeve të Rendit dhe Drejtësisë: Të hetojnë me shpejtësi dhe profesionalizëm këtë incident, të identifikojnë autorët e sulmit dhe t'i nxjerrin ata përpara përgjegjësisë ligjore.

Organizatorëve të Protestave dhe Pjesëmarrësve: Të distancohen nga aktet e dhunës ndaj medias dhe të garantojnë se gazetarët mund të kryejnë punën e tyre lirshëm dhe pa frikë nga sulmet fizike apo verbale.

Autoriteteve: Të marrin masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë fizike të gazetarëve dhe grupeve të xhirimit që raportojnë nga terreni në situata të tensionuara.

Shoqata e Gazetarëve Evropianë shpreh solidaritetin e saj të plotë me gazetarët dhe operatorët e Report TV si dhe me të gjithë koleget e kolegët që përballen me rreziqe në terren për të informuar publikun. Liria e medias është jo-negociueshme.


Lajmi kryesor:

Protestuesit e maskuar sulm medias, shkelmojnë dhe thyejnë kamerën e Report Tv! AGSH: Cenohet e drejta e informimit (VIDEO)