‘Berisha n’burg’ dhe ‘Opozita jemi ne’, këto janë dy ndër thirrjet më të forta që protestuesit që mblidhen para kryeministrisë bëjnë prej 17 ditësh në marshimet e tyre në rrugët e Tiranës.  Por kreu i Partisë Demokratike duket se bën ‘një sy qorr e një vesh të shurdhër’ ndaj thirrjeve dhe përpiqet fort ta kapë protestën, qoftë me gazetarët e televizionit të familjes, qoftë me militantët e Partisë Demokratike.

 Të mërkurën, 81 vjeçari organizoi një takim me departamentin e arsimit në PD ku e  cilësoi protestën qytetare një ‘lëvizje të drejtë dhe masive historike” dhe u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve që të angazhohen në mbështetje të saj. Ai tha se PD e mbështet protestën por proteston pa simbolet e saj. 

“Është një rast i jashtëzakonshëm për çdo qytetar shqiptar, për çdo të ri, t’i japë një dorë, t’i japë një mbështetje, t’i japë një ndihmë vendit të tij. Unë ju ftoj secilin prej jush të japë kontributin më të madh të mundshëm. Është një moment historik që kjo protestë të ketë sukses. Është një moment shpëtimtar për Shqipërinë. Dhe Partia Demokratike duhet të japë me të gjithë potencialin e saj ndihmesën e merituar. Ne shkojmë aty si qytetarë. Është protestë qytetare dhe nuk shkojmë me simbolet e partisë sonë, shkojmë me fibrën qytetare. Ne shkojmë me fibrën qytetare. Duhet të mësojmë. Flamuri i tyre është flamuri i qytetarëve për largimin e kësaj qeverie, për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Është flamuri në të vërtetë i votës së lirë” tha Berisha.

 Një pjesë të fjalimit ia kushtoi kryeministrit Rama duke akuzuar qeverinë e tij për shkatërrim të zonave të mbrojtura dhe pasurive natyrore.

 ‘Edi Rama ka qenë një Neron i vërtetë për mjedisin,’ deklaroi ai, duke përmendur Parkun e Dajtit, Shëngjergjit, Leskovikun dhe Butrintin, për të cilat tha se janë dëmtuar nga ndërhyrjet dhe interesat e qeverisë. Berisha iu referua edhe ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe administrimin e trashëgimisë kulturore, duke thënë se ato ‘kanë hapur derën e ndërhyrjeve të pakontrolluara’ tha Berisha. 

Në deklaratën e tij të gjatë e të mbushur me akuza, kreu i PD-së, e cilësoi protestën si të vetmen rrugë për të shpëtuar Shqipërinë dhe u zotua se do ta respektojë dhe mbështesë fuqimisht.

“Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive, kaq e qëndrueshme. I kalon, u them unë juve, të gjitha protestat e tjera. Një protestë e drejtë, një protestë, e cila, po të marrim tre elementet e saj: të parin, brutalitetin ndaj qytetarit dhe shkelmimin e të drejtave të tij; brutalitetin ndaj komunitetit dhe rrethimin me tela me gjemba; dhe mungesën e plotë, 100%, të transparencës për një dosje, e cila kishte të bënte me një peizazh të mbrojtur të vendit tonë. Në këtë kuadër, Partia Demokratike vendosi të respektojë në radhë të parë plotësisht këtë protestë, të cilën nuk e kishte thirrur ajo, por ta mbështesë atë fuqimisht, sepse kauza e saj ishte një kauzë e drejtë.

Ai foli me superlativa për të rinjtë që protestojnë për çështje mjedisore dhe u betua se kur ka qenë në pushtet, ka respektuar jo vetëm ligjin kombëtar por edhe atë ndërkombëtar për mjedisin.

“Por çdo demokrat e demokrate duhet ta dijë, ta rikujtojë se kemi qëndruar me të gjithë potencialin tonë në një kohë kur askush s’ka qëndruar tjetër përveç nesh edhe për çështjet mjedisore”  shtoi demokrati.

Sipas tij, PD ka bërë gjithçka për të demaskuar përpjekjet e Edi Ramës për shkatërrimin e mjedisit përmes ligjeve dhe për këtë arsye është tërhequr nga protestat e saj dhe ka zgjedhur të mbështesë atë qytetare.

“Bëmë gjithçka për të demaskuar, për të mbrojtur si trashëgiminë kulturore, ashtu dhe mjedisin. Ne mirëpritëm me shumë kënaqësi kërkesat e protestuesve, si për anulimin e këtyre ligjeve, ashtu dhe për largimin e Edi Ramës. Ne, faktikisht, ishim në protestën tonë të nëntë. Por u thirr kjo protestë dhe ne zgjodhëm të mbështesim atë dhe u bëmë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve tanë të jenë çdo ditë në protestë. Tani thirrja ime për ju, për pedagogët e universiteteve, është të mendojnë se si të kontribuojnë në këtë protestë. Roli i studentëve dhe roli juaj në mbështetje të saj është i jashtëzakonshëm. Kjo protestë ka zgjedhur rrugën paqësore, strikt paqësore, të përballjes me regjimin. Çka do të thotë që mund të jetë më e zgjatur, por rezultatin do ta ketë. Nuk ka asnjë lloj mundësie që Edi Rama të shpëtojë nga ky zemërim i përgjithshëm popullor” tha Berisha.