PRISHTINË, 24 Janar/ATSH/.- Protestuesit e mbledhur në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë kanë gjuajtur me gurë në drejtim të selisë së qeverisë kosovare duke thyer xhamat e ndërtesës, bëri të ditur KosovaPress.
Nystrete Kumnova në emër të nënave gjakovare ka thënë para protestuesve se, "është turp për qeverinë tonë që lejon të fyhen nënat tona nga ata që vranë mbi 12 mijë qytetarë". "Kërkojmë nga kryeministri Mustafa që urgjentisht ta shkarkojë Jabllanoviqin", ka thënë ajo.
Driton Qaushi, organizator i protestave në Gjakovë, para protestuesve i ka kërkuar kryeministrit Isa Mustafa, që të shkarkojë këtë ministër pasi nuk do të tolerojnë më shkeljen e dinjitetit tonë.
"Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit tonë dhe ne nuk do të ndalemi. Kjo është koha e fundit që ju duhet ta shkarkoni ministrin Jabllanoviq", ka thënë ai.
Ai tha se jehona e protestave të Gjakovës u përhap në gjithë Kosovën, sepse qytetarët dolën në mbrojtje të vlerave të veta.
Protestuesit u zhvendosën nga oborri i Bibliotekës Kombëtare, ku dhe u mblodhën fillimisht,  në drejtim të sheshit "Nënë Tereza", ku ndodhen edhe institucionet e Kosovës. Ata po mbajnë në duar pankarta ku thuhet "Jabllanoviq jashtë", "Isa argat i Serbisë", "Trepça është e jona", etj.
Protesta u paralajmërua si një ndër më të mëdhatë që nga paslufta dhe është organizuar nga shoqata "Thirrjet e Nënave" nga Gjakova, por në të marrin pjesë edhe shumë parti politike dhe organizata jo qeveritare.
Përveç se kundër ministrit Jabllanoviqit, ata po protestojnë edhe në përkrahje të gjigantit metalurgjik "Trepça", për të cilën minatorët e këtij gjiganti bënë grevë tri ditëshe./m.m/