Provimet me zgjedhje, ja
çfarë do të përmbajnë testet

Provimet me zgjedhje, ja<br />çfarë do të përmbajnë testet
TIRANE- Ministria e Arsimit ka përcaktuar pragun minimal të pikëve për të qenë kalues në provimet e Maturës Shtetërore 2014. Ndryshe nga sa ka ndodhur në provimet e viteve të shkuara, për të qenë kalues në provimet me zgjedhje apo ato të detyruara maturantit i duhet të arrij 20 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet testi përkatës. Ky kusht është sanksionuar tashmë në rregulloren zyrtare të provimeve të maturës. Në rregullore përcaktohet se “Të gjitha provimet e maturës do të zhvillohen vetëm me shkrim. Struktura, datat dhe kohëzgjatja e provimeve caktohen me udhëzim të posaçëm të MAS.

Struktura e testit dhe kohëzgjatja e të gjitha provimeve të maturës do të jetë e njëjtë: Maturanti apo kandidati që merr pjesë në këto provime nuk quhet kalues nëse ka marre më pak se sa 20 për qind të pikëve të testit”. Ndërkohë që në programet orientuese të nxënësve është përcaktuar edhe përmbajtja e testeve. Kështu për letërsinë është përcaktuar se nxënësit do ti jepet një fragment teksti ku do të testohet për aftësinë për të kuptuar nivelin bazë të aftësive intelektuale.

Po kështu me anë të këtij teksti do të shihet edhe aftësia për të analizuar dhe zbatuar, aftësia për të vlerësuar, gjykuar apo për të mbrojtur qëndrime të caktuara. Ndërkohë që struktura e testit do të jetë 45 % letrar dhe 55 % jo letrar. Kjo do të thotë që për përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës Shtetërore do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, zbatuese, analizuese dhe vlerësuese. Ndërkohë sa i përket testit të matematikës, pjesën më të madhe të tij do e ketë gjeometria me 25 për qind të ushtrimeve. Po kështu edhe njësimi diferencial dhe integral kanë 20 për qind, ndërsa statistika kap 13 % të linjave.

“Modelimi matematik, aftësia për të zgjidhur problema, aftësia për të përdorur njohuritë matematike në situata nga jeta reale dhe në problema me përmbajtje nga shkencat e tjera, aftësia e të menduarit kritik, aftësia për të argumentuar, për të gjykuar, si dhe aftësitë ndërkurrikulare të kurrikulës së gjimnazit duhet të jenë në vëmendje përgjatë përgatitjes për provimin e matematikës” thuhet në udhëzimin që jepet nga Ministria e Arsimit për provimin e matematikës.

Sipas MAS, aktualisht janë shpërndarë udhëzimet përkatëse për Drejtoritë Arsimore në të gjithë vendin ku dhe ka nisur përgatitja për provimet. Sipas rregullores deri në datën 15 shkurt në të gjitha shkollat e vendit do të nisë funksionimi i komisioneve shkollore të maturës. Një pikë e rëndësishme që duhet të zbatojë ky komision është se administruesit e provimeve nuk duhet të kenë të afërm në provime. Personat e përfshirë në të gjitha nivelet e administrimit të procesit të provimeve të Maturës Shtetërore duhet të deklarojnë me shkrim se nuk kanë fëmijë, nipë, mbesa, motra apo vëllezër maturantë që do të japin provimet e maturës 2014.

Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Protesta e dhunshme e Rithemelimit para godinës së Bashkisë Tiranë, policia arreston një person

FOTO/ Protesta e dhunshme e Rithemelimit para godinës së Bashkisë Tiranë, policia arreston një person