Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro është thirrur në interpelancë nga deputetët e PD për të dhënë llogari për një udhëzim të nxjerrë në shkurt të vitit 2025, ku i kërkohet mësuesve, të cilët janë diplomuar përpara vitit 2011 dhe futur në sistemin arsimor pas këtij viti, të japin provimin e licencës.
“Me një udhëzim, kujtohen dhe thonë që pasi ke 15 vite që je mësues dhe pasi ke dhënë kontribut në arsim, pasi ke kaluar nga mësuesi i kualifikuar në atë specialit, kur t’i duhet të marrësh kualifikim si mësues mjeshtër, këta të thonë bëhu dhe njëherë student dhe jep provimin e licencës”, thotë Zhupa.
Ministrja Kumbaro iu përgjigj pretendimeve të opozitës se vendimi i vitit të kaluar është i bazuar në ligjet e hartuara nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha.
“Në nenet 7 dhe 8 të ligjit “Për Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe që ka hyrë në fuqi në 12 janar të vitit 2011, përcaktohet se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Është e përcaktuar shumë qartë edhe në ligj, se mësuesit të cilët kanë qenë të punësuar në sistem, para vitit 2011, përpara se ligji për profesionet e rregulluara, të ketë hyrë në fuqi, përjashtohen nga ky detyrim! Sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese”, tha Kumbaro.
Deputetja Zhupa ndër të tjera tha se ky vendim është hartuar për t’i shërbyer “klientëve privatë” të ministres, referuar projektligjit në rendin e ditës sot “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore", ku Qendra e Shërbimeve Arsimore do të kthehet në institucion autonom. Mësuesit duhet të paguajnë vlerën 10 mijë lekë si tarifë aplikimi për marrjen e licencës.
“Ju prishni sigurinë në vendin e punës, e drejta e fituar, siguria juridike mësuesve, që nuk janë pak, janë 2 mijë mësues. Përveç se duhet të mësojnë, duhet të paguajnë dhe 100 mijë lekë për aplikimin. Sot kemi një pikë tjetër, këtë qendrën e shërbimeve arsimore që jep licencat, ta marrë privati. 200 milionë lekë janë vetëm nga ky detyrim. Marrëveshje për tu pasuruar në kurriz të mësuesve”, tha Zhupa.
Ministrja Kumbaro tha se udhëzimi i muajit shkurt 2025, për të cilin është thirrur interpelanca, nuk bën asgjë tjetër përveçse rimerr referencën ligjore te ligjeve të cituara më parë.
“Është e rëndësishme të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë. Dhe mbi të gjitha, dua ta them shumë qartë: nuk po hiqet askush nga puna! Por po shoqërojmë me komunikim dhe trajnim edhe ata pak mësues qe ende nuk e kane kryer këtë detyrim ligjor, pa u cenuar aspak sigurinë juridike apo profesionale, qe nuk e di se nga e shpikët”, tha Kumbaro.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Interpelanca/ Opozita: Mungojnë barna, vetëm 30 poltrone për 120 pacientë në ditë në Onkologjik! Sala: Sot në QSUT nuk mungon asnjë ilaç, Institut Kombëtar për Tumoret










